Si ta dallosh një sorosian të vërtetë në Shqipëri?

Postuar në 28 Gusht, 2016 21:29

E para një sorosian nuk flet asnjëherë publikisht për Sorosin. Pavarësisht nga detyra dhe angazhimi, sorosiani flet përherë për projekte, por asnjëherë strategji, plane, planifikim. Termi projekt është moda e gjërave të zgjuta dhe me leverdi. Me projektin si strukturën finale, një sorosian alla shqiptar, operon në sipërfaqe, jo në thellësi. Ose më saktë është një broker i vlerave të një shoqërie ndaj të cilave është neutral dhe i ftohtë.

Duke konsideruar se debate të këtilla, që i përkasin shekullit të 20-të prodhojnë një barrë për progresin, aty ku në fakt ka thjesht ndarje dhe përballje të natyrshme, sorosiani, ofron as më shumë e asmë pak sesa...një tjetër Projekt. Pa ide të vërteta, por me disa referime bibliografike të “reja”, skematike dhe shkollareske, një si biçim frekuentimi prej power point i dijes së “lartë”, sorosiani arrin të bëhet palë në debat, duke përftuar me Projektin e vet, një rol të beftë moderatori. Duke lënë pas vazhdën e anakronizmit, kundër së cilës vetëshpallet kampion.

Kuptohet këtu është sërish mundësia e një tjetër Projekti.

Sorosiani pëlqen të bëjë ndonjë analizë, të shkruajë ndonjë opinion, atëherë kur duhet dhe në median që duhet. Ai mundet edhe t’i flasë pa problem një turme: në të dyja rastet e ka të thjeshtë: mikrofonin, apo diktofonin, kolanën apo hapësirën e ka të garantuar.

Parimi operativ i këtij kontigjenti trans-humanist është ai i virusit të gripit. I lehtë, me simptoma të njëjta, por përherë e më frekuent në shfaqeje. Por edhe duke u modifikuar.

Nuk ka rëndësi kontributi, por prezenca. Dhe këtë e siguron tjetër kush, përmes Projekteve. Kjo është arsyeja pse sorosianët i kanë inat, zili ndoshta, por askush nuk do mendonte t’i luftonte. Ata janë edhe nuk janë, ikin pa problem, për t’u rikthyer me të tjera disertacione për politikën. Dikush mund ta quajë këtë një shqyerje të plotë të sistemit imunitar etik, e moral. Sorosi do përgjigjej në mënyrë të sofistikuar ndaj kësaj akuze, por sorosiani e ka gati përgjigjen: Shoqëri e Hapuur, o i prapambetur.

Si ta dallosh një sorosian shqiptar? Kjo është e thjeshtë: do të të flasë për mediat, që nuk kanë etikë, që po helmojnë opinionin, se nuk ka gazetarë të vërtetë. Edhe kur i kap në kamera me prova e fakte të vërteta, është gati në valixhe file i duhur: një vështrim si prej superiori, që të thotë: qenke lodhur goxha sa për t’i shërbyer Salës dhe malokëve të tij.

Dhe do ketë shumë shokë në këtë mendim. Po po, ai madje është mendim unanim i një grupi çunash dhe gocash të shkolluar dhe të veshur mirë. Sepse, një detaj nuk duhet neglizhuar: Sorosiani vishet mirë. D.m.th diçka mes një shkrimtari bohem dhe intelektualuci bukurosh e të kuruar. Provo të hysh në grup i veshur “random”. Lëvizja është Qytetare, ose duhet të duket e tillë. Dhe nisur nga natyra ekzibicioniste e saj, e përmbush më së miri kredencialin “elitist” përmes aparencës: a nuk ndodh që një qytetar, sidomos prerja e pas 1967-ës kur doli koncepti “lek i ri e lek i vjetër” thjesht të përbuzë e nënçmojë të tjerët, por pa ua thënë atë?

Doja të thosha një Qytetar që ka në biografi diçka për të mbuluar si origjinën e një gjyshi që e bëri sefte vonë qytetin. Ahhh, nuk ka fare problem. Ky është diskutim për konsum të brendshëm. Plus që origjina jo dhe aq e ndriçueme, kompensohet nga një akt heroik i imagjinuar dhe propaganduar, lidhur padyshim me Luftën.

PS: Janë kaq të ndryshëm, gjynah të të ikin pa i dalluar:-))))

"Shaptilografisti"

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Shapti, shume falemnderit. Vetem se ketyre Sorosianeve u duhet rene edhe me shpesh, edhe me fort, nuk jane edhe aq per te qeshur, kam frike se ata, duam a s'duam ne, jane e ardhmja e "ndritur" e laboratorit Shqiperi. Nuk e di a do t'u mbetej qejfi nqs ne fjalen "fOndet" germen "O" do ta zevendsonim me "E".

Submitted by Arbeni (not verified) on

Jo Sorosianet, por "Sorristet" ose ideale do ishte perdorimi "Sorracaket". Sepse per kete bicim duhet te perdoresh prapashtese pejorative, derogative.

Submitted by Andreas (not verified) on

Mikroanalize perfekte, e thjeshte dhe perfekte! Si te ishte e shkruar nga nje sorosian :)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.