Importi i mbetjeve drejt finalizimit. Kreu i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese Shalsi si zëdhënës i industrisë

Postuar në 14 Shtator, 2016 10:56

Importi i mbetjeve është tashmë në proces finalizimi. Ndonëse shumica në pushtet e bëri një ndër kauzat e veta këtë çështje kur ishte në opozitë, sot ajo po inicion projektligje të kundërta me qëndrimet e deridjeshme. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” nismëtari i këtij projektligji, Eduard Shalsi, thotë se është pranuar kërkesa e shoqërisë civile për të mos lejuar importin e mbetjeve që destinohen për djegie.

“Pas diskutimeve, kemi bërë dy ndryshime në projektligjin tonë. Me kërkesën e deputetëve Besnik Bare dhe Namik Kopliku, në bashkëpunim me disa ambientalistë, drafti im ka rënë në një propozim të ri, ku kërkohet që të zëvendësohet dhe të riformulohet pika tre e nenit të parë: Këshilli i Ministrave ndalon importin e mbetjeve që destinohen për insinerim. Në draftin tim, në pikën 3 te nenit 2 që ndalohet importi i mbetjeve, jo të rrezikshme për qëllim ruajtje ose asgjësimi në Republikën e Shqipërisë. Për shkak të shqetësimit të ambintalistëve se mund të importohen mbetje për qëllime insinerimi, Besniku (Bare) më kërkoi që kjo të specifikohej dhe unë pranova. Ndryshimi i parë është që Këshilli i Ministrave ndalon importin e mbetjeve që destinohen për insinerim. Ndryshimi i dytë, është në nenin tre ku unë kisha propozuar: Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetje jo të rrezikshme apo mbetjet inerte, si dhe mbetje që parashikohen tek lista e gjelbër. Sugjerimet janë që unë ta riformuloj këtë nen dhe po prapë Besnik Bare ka sjellë një propozim tjetër dhe kërkon: Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet jo te rrezikshme të ngurta të listës së gjelbër si lëndë e parë dytësore”, shprehet Shalsi.

Sipas tij importi i ndihmon industrisë vendase e cila është në prag falimenti për shkak të lëndës së pakët në vend. Ai ka folur për një nismë të Bashkisë së Tiranës që shfaqet kështu si aktor i interesuar në këtë proces.

“Në tetor, bashkia e Tiranës fillon procesin e sensibilizimit dhe brenda dhjetorit ndarjen e mbetjeve në burim. Kjo do të thotë që fillon të ushqehet industria ricikluese me produkt vendase. Ne po e bëjmë këtë, që ato të mos falimentojnë, ato kanë nevojë për oksigjen nga jashtë. Në rast se do te ketë sukses, bashkia e Tiranës dhe ato në rang vendi, atëherë projekti do vijojë. Rritet mundësia që bashkitë të ndërmarrin nisma vetëm, por edhe të bashkëpunojnë. Ato mund të bëjnë politikat e tyre në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit...Objektivi madhor mbetet mbledhja e mbetjeve të vendit, por ne nuk mund ta linim industrinë të falimentonte. Një pjesë e këtyre kompanive e merrnin lëndën në Kosovë, Maqedoni dhe një pjesë ishin bërë gati të shpallnin falimentin. Unë u tregova i gatshëm ta ndryshojë ligjin me qëllim që të jetë e qartë që nuk bëhet fjalë për mbetjeve të rrezikshme dhe për mbetje për djegie. Sa i përket opozitës, nuk kam arsye të besoj që të jetë kundër. Ne kemi deputetë qoftë nga opozita, qoftë nga maxhoranca që kanë shprehur rezerva, por ne po diskutojmë vazhdimisht”, thotë deputeti socialist, në këtë rast thjesht një zëdhënës i grupeve të interesit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.