Whistleblower*

Postuar në 10 Shtator, 2016 00:07

Në ndërgjejen time jam i qartë se këta njerëz nuk janë thjesht nxjerrës sekretesh, të fshehtas, sensacionesh, por janë promotorë dhe nxitës të evolucionit njerëzor, janë zbatuesit më të ndershëm të ligjeve të vendit, janë mbi të gjitha humanë dhe përparimtarë. Ndaj dhe nuk e kuptoj përse u vihet ky emërtim këtyre njerëzve të guximshëm, në një kohë që pasojat e veprimeve të tyre kanë qenë negative vetëm për një numër të vogël njerëzish të kastave të “larta”, dhe kjo për një kohë të shkurtër, nga ana tjetër këto veprime të tyre kanë qenë mjaft pozitive për masa të gjëra njerëzish, për t’mos thënë me ndikim pozitiv deri në skuta diktaturash të përtejme, deri në bërthama shoqërish të mbyllura fanatike. Veprimet e tyre kanë patur për shtysë një ndërgjegje të formuar nga nektari i kulturës së njerëzimit, nga e gjithë përvoja e veprimtarisë njerëzore, nga dashuria e pamunguar e rrethit të tyre familjar dhe shoqëror.

Oratori me fjalime të parapregatitura, Riçard Nikson, presidenti i 37 i USA (ShBA) u detyrua të jepte dorëheqjen nga njëri prej të parve whistleblower, Daniell Ellsberg, i cili nxorri në dritë (1971) dokumenta sekrete të ministrisë së mbrojtjes, duke shkaktuar më pas atë që bota mbarë e njohu me emrin “Skandali i Uotergejit”. Dhe çfarë nxorri në dritë Daniell Ellsberg? Nxorri në dritë gjithë gënjeshtrat e ministrisë së mbrojtjes, mbështetur nga presidenti Nikson, në lidhje me gjëndjen dhe luftën në Vietnam, si dhe gjithë Indokinën më parë. Zbulimi i këtyre gënjeshtarve çoi në fund (1974) në dorëheqjen e Niksonit dhe zëvendësimin e tij me Fordin. Por jo vetëm kaq, por edhe në kuptimin dhe pranimin e gjendjes së vërtetë (e biles edhe të shkaqeve) të luftës në Vietnam, duke çuar më pas –nëpërmjet bisedimeve të fshehta të Kisinxherit më parë– në arritjen e paqjes dhe çlirimin e Vietnamit prej ushtrisë amerikane.
Situata e zbulimit të skandalit të Uotergejtit përfshiu natyrisht edhe disa të tjerë, si punonjës të FBI-s, ashtu dhe gazetarë. Por këta whistleblower mbeten shpesh dhe për kohë të gjatë të panjohur nga publiku i gjërë. Çfarë e kundërta ka ndodhur me një prej tyre, por rreth 30 vjet më vonë, Xhulian Asanxh (Julian Assange), njëri prej atyre pak personave që krijuan faqen më të klikuar në internet para disa vjetësh, wikileaks, e cila ka publikuar me qindra mijra dokumente të fshehta shtetërore, e-maile qeveritarësh, letra elektronike të karakterit sekret, e sa e sa të tjera, të cilat vërtet nuk e ndryshuan dhe përmisuan botën në pak vjet, por bënë që shumë plane ogurzeza të shtyhen, të zbuten, të korrigjohen. Bota nuk u bë aq e zezë sa mund të ishte bërë, sepse skenaristët bolemëdhenj u trembën. Dhe kjo falë vikiliksit dhe Xhulien Asanxhit.

Ndërkohë që skenaristët e zinj kanë arritur disa suksese, duke e neutralizuar disi vikiliksin, nëpërmjet gjoja “vikiliksave” të tjerë dhe disa manovrave mjaft të sofistikuara, indivitë të pavarur kanë nxjerrë sekrete të tilla që kanë tronditur si botën, ashtu dhe më tepër ata që kanë qëndruar prapa atyre sekreteve. Një i tillë ishte Bredli Maning (Bradley Manning), i cili sot përjeton një burg të sigurisë së lartë në USA! Ushtari në fjalë i dha vikiliksit filmime të ushtrisë amerikane në Bagdad, ku ajo qëllonte civilë të pafajshëm, mes tyre gazetarë, njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me islamikët apo me forcat ish-qeveritare të Sadamit. Natyrisht, ky ushtar mund të mos e bënte këtë “spiunllëk” e të vazhdonte të flinte “i qetë”, pa pikën e vrarjes së ndërgjegjes. Mirpo kjo ndërgjegje nuk e la të flinte “i qetë”. Dhe pikërisht ai ligj amerikan që nuk i denon njerëzit për ndërgjegjene tyre të lirë, e dënoi Bredli Maningun me 35 vjet burg për ndërgjegjen e tij të lirë e të pastër!!!

Megjithë këtë panik që elita ushtarake amerikane dhe ajo e spiunazhit do të shtojë tek punonjësit e saj, nxjerrësit e sekreteve të saj nuk munguan. Eduart Snouden kapërceu pragun e zyrave të spiunëve, duke treguar ato që tashmë i dinin të gjithë, qeveria amerikane spiunon jo vetëm një pjesë të madhe të qytetarve të saj, por një pjesë të madhe qytetarësh edhe në shtete të tjera, inkluzive këtu edhe qeveritarët e këtyre shteteve, përfshi gjykatësit, deputetët, biznesmenët, etj. (Shkarazi po e përmend, se shitja e telekomit shqiptar tek një shoqëri turke nuk duket thjesht si një biznes i zakonshëm, ku të korruptuarit shqiptarë kanë marrë para nën dorë, por sepse nëpërmjet të tjerve, në këtë rast turqve, amerikanët bëjnë shpesh punët e tyre të pista.) Skandali “Snouden” jo vetëm tërboi sekretaxhinjtë e Amerikës, jo vetëm tregoi të palarat e Mëmës tonë perëndimore, por shpalosi mbi të gjitha edhe dobësinë morale dhe juridike të Europës (EU-s), nga vëndet e të cilës as edhe njëra nuk guxoi ti jepte Snoudenit azil politik apo mbrojtje, duke i bërë kështu një nder Rusisë cariste të Putinit, të cilën ajo e kritikon nga mëngjezi në darkë.

E meqë jemi në Rusi, nuk mund të rrimë pa kujtuar gazetaren Ana Politiskovaja e novaja gazeta, e cila e pagoi me jetë, si dhjetra gazetarë të tjerë në Rusinë post “socialiste”, angazhimin e saj për zbulimin e të vërtetave, mes të cilave dhunime të ushtarve rusë dhe çeçenas në popullsinë çeçene, biznese të pista në ministrinë e mbrojtjes, etj.-etj. të vërteta të hidhura. Gazetarët e të vërtetave kanë firasur disi këto vitetet e fundit në Rusinë putaniste, sepse helbete, terrorizmi islamik, embargo e padrejtë e perëndimit, këto “arsye” i kanë dhënë dorë partisë së Putinit ta lidhin popullin rreth saj drejt fitoreve të reja, ... por për fat gazetaria e të vërtetës nuk ka humbur për fare edhe në këtë Rusi të sotme oligarko-qeveritare.

Në Amerikë whistleblowers kanë fat. Nuk vriten, por vetëm burgosen. Si Xhon (John) Kiriakou, që denoncoi metodat e torturës së hetuesisë amerikane të periudhës së Xhorxh Bushit (junior). Apo Thomas Drake drejtues në institucionet e NSA (Agjensia e Sigurimit Nacional), i cili rrezikoi burgun pasi i tregoi konkresit amerikan për metodat antiligjore të punonjësve të FBI-s. Apo Anton Deltour këtu në Europë, që tregoi makinacionet e firmave të ndryshme të mëdha për të mos paguar taksat, e për këtë shkak ka marrë një dënim me kusht. (Emisioni mbi ’të sot tek arte u bë shkak për këtë shkrim të shpejtë.)

Por nuk është vetëm largimi nga puna apo burgosja ajo që i vret këta tregues të së vërtetës! Më shumë këta i vret ai angazhim i mjaft shërbyesve të zellshëm të qeveritarve të ndryshëm, të biznesmenëve të ndryshëm, të lloj-lloj mafiozësh, pra ai angazhim laskarësh pa cipë dhe karakter, të cilët u vihen këtyre nga mbrapa me lloj-lloj friksimesh, ngritje pengesash, shqetësimesh nga më të ndryshme, me gjithfarë zullumesh që vetëm mendja e këtyre shërbëtorëve të bindur di të shpikë. Kjo zullumtari prapa krahëve është ca më e rëndë për ata që nxjerrin të vërtetat e hidhura.

*Ata që nxjerrin sekretet shteterore

Shkrim i dërguar nën autorësinë: Karl Marx

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.