Kur Noli pritej në Durrës si “zheni, nga paria e vegjëlia”

Postuar në 17 Korrik, 2016 09:08
Prof. Nasho Jorgaqi

Me ndjenjën e krenarisë dhe të ven erimit të thellë inauguruam bustin e Fan Nolit, njërit prej figurave emblematike të historisë dhe kulturës shqiptare, frymëzuesit dhe themeluesit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ngritja e bustit të tij në qytetin tuaj nuk është rastësore dhe as formale. Durrësi është pjesë e pandarë dhe tepër e çmuar e jetës së tij si atdhetar, burrë shteti dhe udhëheqës shpirtëror. Themi një të vërtetë të pamohueshme se kur ai shkeli për herë të parë në Shqipëri, për rrethanat e ndërlikuara politike të kohës u prit çuditërisht ftohtë në Vlorë, qytetin e flamurit. Në këto kushte prifti patriot, ndonëse i zhgënjyer e i dëshpëruar, u kthye përsëri në atdhe brenda një kohe të shkurtër dhe zbriti kësaj here në qytetin e Durrësit, ku gjeti një mikpritje vëllazërore dhe një strehë të sigurt.

Sipas gazetës “Liria e Shqipnisë” të Sofjes, “Ky patriot i kthjellët u ngjatjetua me një entusiazëm të madh nga ortodoksë, myslimanë e katolikë. Ndonëse në ditë të pakta qëndrimi dhe me një program të ngjeshur, i rrezikuar nga intrigat turke dhe greke, ai zhvilloi një veprimtari të suksesshme patriotike, duke u takuar me qeveritarin atdhetar Abdi bej Toptanin, vizitoi xhaminë e madhe të qytetit, duke u përqafuar vëllazërisht me hoxhën Hysen Alushi, siç bëri dhe me priftin katolik Frano Gjini. Shkoi dhe foli në klubin “Dituria”, siç mbajti dhe një fjalim të zjarrtë në lulishten e qytetit, por i penguar nga peshkopi grek Jakovi nuk arriti të meshojë në gjuhën shqipe në Kishën e Shën Spiridonit.”

Por Noli nuk e humbi shpresën se do të vinte një ditë ta realizonte këtë ëndërr të jetës. Dhe vërtet, pas një viti, kur këtu kish ardhur Princ Vidi, prifti patriot nuk vonoi të kthehej rishtas në Durrës plot entuziazëm dhe me një program të guximshëm politik. Ai nuk harronte se Durrësi për shekuj me radhë kish qenë qendra kishtare e Ilirisë dhe në shekullin XV kryepeshkop i Durrësit dhe trevave të Arbërit kish qenë Pal Engjëlli, bashkëpunëtor i Skënderbeut. Prifti kombëtar e gjeti Durrësin, kryeqytetin e principatës shqiptare, në një atmosferë të ndezur festive. Sipas gazetës “Ushti-ma e Krujës”, Fan Noli u prit si asnjë personalitet tjetër shqiptar. Kurse gazeta “Shqipëria e Re” e plotëson me fjalët: “U prit si një zheni, si prej vegjëlisë ashtu dhe prej parisë”.

Si ditën e pritjes ashtu dhe ditët e tjera gjindja entuziaste brohoriste dhe këndonte për nder të tij ngado që kalonte. Shtëpia e patriotit durrsak Stefan Kaçulini u bë streha dhe rezidenca e tij. Populli dhe gjithë opinioni priste me padurim shfaqjen publike të priftit kombëtar. Dhe fakti është se ai pas dy ditëve mbajti meshën e parë në gjuhën shqipe, organizuar para Pallatit Mbretëror, në një tribune të ngritur posaçërisht. Më shumë sesa një Tedeum, ai u kthye në një miting madhështor. Noli gjithashtu mbajti një fjalim me fjalë të zjarrta për lumturinë e kombit shqiptar, për të ardhmen e Shqipërisë, për t’u bërë, sipas fjalëve të tij, “një Shqipëri evropiane”. Prifti kombëtar pastaj u prit zyrtarisht nga Princ Vidi në Pallatin Mbretëror, por me gjithë nderimet e bëra, si kaloi entuziazmi i parë, Noli do ta vështronte dhe gjykonte situatën nga pozita realiste.

Duke u bërë dëshmitar i gjendjes tragjikomike në të cilën po futej vendi, duke parë shtetin anadollak, me nëpunës merhumë që flisnin vetëm turqisht, ai do të tronditej e do të zhgënjehej rëndë, bile do të tallej e satirizonte hidhur situatën paradoksale, aq sa do të shkruante vjershën satirike “Kënga e Dervish Beut”, që vinte në lojë klasën politike në fuqi. Por Fan Noli nuk do të kufizohej me kaq, por duke studiuar situatën dhe duke menduar thellë gjendjen, do të shfaqte idetë dhe pikëpamjet e tij për të ardhmen e Shqipërisë në një intervistë të gjatë dhënë gazetës austriake “Korispondenca shqiptare”, që u quajt “Programi i nacionalistëve”. Aty ai do të paraqiste në 15 pika platformën politike që konturon shtetin dhe shoqërinë shqiptare në perspektivë.

Lidhjet shpirtërore dhe kontaktet e drejtpërdrejta të Fan Nolit me Durrësin do të forcohen e thellohen më tej në vitet ’20, kur ai u kthye në Shqipëri si deputet i Parlamentit shqiptar dhe u kurorëzua zyrtarisht si peshkop në qytetin e Korçës, ku kish sjellë nga SHBA fronin e Kishës autoqefale ortodokse shqiptare. Por është fakt i pamohueshëm se pozita e tij e lartë kishtare në vitet ’20 lidhet me Durrësin. Kështu, Hirësia e tij Theofan, në një ceremoni të organizuar në Kishën e Shën Spiridhonit, mori në dorëzim fronin peshkopal nga përfaqësuesit e qytetit. Jo rastësisht Hirësia e tij vendosi ta ngrejë rezidencën e vet peshkopate në Durrës. Së pari se Durrësi kish qenë qendra tradicionale kishtare e Ilirisë, së dyti se ai mbante titullin e lartë Kryepeshkop i Durrësit, i Tiranës, i Elbasanit, Gorës dhe Shpatit, primat dhe ekzark i Ilirisë dhe i gjithë Shqipërisë.

Mitropolia e ngritur në krah të Kishës së Shën Spiridhonit, u bë për Nolin selia zyrtare dhe shtëpia e tij në vitet 1921- 1924, ku ai jo vetëm do të banonte, por edhe do të zhvillonte veprimtarinë kishtare dhe social-politike. Kështu jeta e tij në këto vite do të ndahej mes Mitropolisë dhe Parlamentit. Qëllimi i tij ishte ta bënte dioqezën e Durrësit qendër dhe shembull për dioqezat e tjera, duke i kthyer qytetit edhe nga kjo pikëpamje lavdinë e dikurshme dhe për t’i kujtuar botës se krishterimi në Shqipëri ishte apostolik. Gjatë kohës së qëndrimit në Durrës, Noli do të bënte një jetë të gjallë kishtare nëpërmjet meshimeve dhe ceremonive që zhvillonte në Kishën e Shën Spiridhonit.

Nga ana tjetër, në mitropoli, kryepeshkopi dhe deputeti do të bënte takime, duke pritur e përcjellë politikanë e diplomatë, veçanërisht këta të fundit, pasi trupat diplomatike ishin të vendosura në Durrës. Kështu, janë të njohura takimet e bisedimet zyrtare me ministrin fuqiplotë të Italisë Durazzo, me ministrin anglez Ejers, me të ngarkuarin amerikan Xh. Smith apo diplomatin anglez Robert Pari. Mitropolia do të bëhej dëshmitare e kontakteve të Nolit me botën politike dhe diplomatike, ku ai do të shpërfaqte mendimet e tij liberale e humane dhe, mbi të gjitha, qëndrimet patriotike e demokratike si deputet, ministër, kryeministër si dhe udhëheqës shpirtëror në mbrojtje të interesave të Shqipërisë e të shqiptarëve.

Nga ana tjetër, ky personalitet i lartë, duke jetuar e punuar në Durrës për një kohë të gjatë sa në asnjë qytet tjetër, do të ndihej këtu një qytetar shumë i nderuar, i rrethuar nga miqtë dhe kolegët, e për më tepër nga bashkëqytetarët durrsakë, që do t’i kujtonte tërë jetën me nostalgji dhe mirënjohje. Por dhe Durrësi do ta ruante qytetarin Fan S. Noli në analet e historisë së vet, ashtu siç do të jetonte e jeton akoma në kujtimet dhe zemrat e durrsakëve të disa brezave. Kjo është arsyeja dhe aspirata legjitime që Durrësi, ndonëse me vonesë, i ngre sot bashkëqytetarit të tij të nderuar këtë përmendore, ku është mishëruar dhe skalitur imazhi i pavdekshëm i shqiptarit të madh Fan Stilian Noli.

Busti që shpërfaqet sot para nesh është vepër e çmuar e skulptorit të talentuar Idriz Balani. Një krijim mjeshtëror, ku autori, falë njohjes dhe studimit të thellë të figurës, ka arritur të kapë dhe të mishërojë jo vetëm veçoritë e tij fizike, por mbi të gjitha karakterin, personalitetin kompleks, njeriun dhe udhëheqësin, mendimtarin dhe artistin, shqiptarin dhe qytetarin e botës. Portreti i Nolit i derdhur në bronz, duke pasur për sfond shtëpinë e tij shpirtërore, do të mbetet sa dëshmi historike, aq edhe një vepër artistike e goditur, që zbukuron qytetin tuaj të lashtë, ballkonin e Adriatikut. Urime dhe përgëzime. E gëzofshi!

"Gazeta Shqiptare"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.