Samiti i Varshavës, propozime që NATO të kthejë vëmendjen nga krahu jugor

Postuar në 14 Qershor, 2016 23:30

Në prag të samitit të Varshavës të NATO-s, po publikohen disa mendime dhe ide mbi atë që duhet të jetë përgjigja e Aleancës ndaj kërcënimeve që janë identifikuar prej saj në Lindje. Në një analizë të publikuar në “Carnegie”, një think tank me shumë peshë, vihet theksi te krahu jugor i NATO-s, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Autorët e analizës janë dy studiues turq të sigurisë, Can Kasapoğlu nga “The Centre for Economics and Foreign Policy Studies” (EDAM) dhe Sinan Ülgen, diplomat dhe analist i çështjeve të sigurisë, të cilët i mëshojnë idesë se NATO përballet me sfida shumë më komplekse në krahun jugor të saj sesa në veri. Pikat kryesore që mishërojnë këto sfida janë: lufta hibride, shtimi i kapaciteteve raketore iraniane, shtetet e dështuara, aktorët radikalë jashtështetërorë si dhe përhapja e armëve të shkatërrimit në masë. “Aleanca duhet të përpunojë përgjigje ndaj një game të gjerë skenarësh kërcënues...”, shkruajnë autorët që sipas tyre "duhet të ndërtohen mbi qasje që duhet të reflektojnë heterogjenitetin e peizazhit në këtë rajon”.

Rasti tipik i luftës hibride është Ukraina, por për dy autorët turq, ai mund të shtjellohet edhe në Jug, me pikënisje Sirinë dhe me synim destabilzimn e krahut jugor të NATO-s, sidomos Turqinë. Përgjigja rrjedh detyrimisht nga Koncepti Strategjik, publikuar në vitin 2010 dhe ajo duhet të mbajë parasysh tri pika: mbrojtja territoriale. Bashkëpunim për sigurinë dhe menaxhim. Vendosja e Rusisë në Siri, shoqëruar me instalimin e kapaciteteve ushtarake të sofistikuara, mbështetur nga flota e Detit të Zi, vlerësohet si një ndryshim i madh në zonën e Mesdheut Lindor. Sipas dy autorëve, Moska ka nisur instalimin e raketave balistike, SS – 26 Iskander, të cilat “kërcënojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë krahun jugor të NATO-s në dy mënyra”. “Rrezja e tyre që nga Siria kërcënon direkt Ankaranë dhe së dyti, raketat në fjalë, operojnë në një mënyrë të tillë që nuk kapen nga sistemet e radarëve”, thuhet në analizën në fjalë. duke e parë stabilizimin rus në një pikëvështrim gjeostrategjik, autorët nënvizojnë se “sipas doktrinës Gerasimov...Rusia është duke u kthyer në fqinjin permanent të krahut jugor të NATO-s, apo një faktor risku në dekadata që vijnë, pavarësisht sesi shkon lufta civile në Siri”. Kundërpërgjigja që sugjerohet është rritja e kapaciteteve detare në Mesdheun Lindor, diçka që mbetet në kuadrin e sugjerimit. Irani përfaqëson një tjetër kërcënim që merret seriozisht nga autorët, të cilët qartazi nuk e ndajnë shqetësimin për pozicionin delikat që merr Turqia në këto zhvillime.

Nisur nga vlerësimet ushtarake për kapacitetet raketore iraniane, vlerësohet se duke nisur që nga koha e tanishme, Teherani zyrtar, teorikisht, ka potencialin që të shënjestrojë dhe godasë në mënyrë të plotë, që nga bazat e veta tokësore në Iran, të gjithë territorin e Shqipërisë, Bullgarisë, Kroacisë, Greqisë, Hungarisë, Rumanisë, Sllovakisë, Sllovenisë dhe Turqisë. Në mënyrë të pjesshme Irani është në gjendje të godasë pjesë të territorit çek, italian dhe polak. Në disa variante të tjera, që marrin parasysh përmirësimet e mundshme nga Irani të sistemeve Shahab dhe Toqyān, në rreze hyn gjithë Europa përfshirë Britaninë e Madhe. Kërcënime paraqesin dështimet e shteteve arabe që lënë të hapur të gjithë Mesdheun jugor për gjithafarë penetrimesh, përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë. Një shembull është përpjekja e Shtetit Islamik për të përdorur si armë biologjike Ebolan, çka do të ishte katastrofike.

Të gjithë këta faktorë analizohen si shfaqje dinamike që kanë ndryshuar peizazhin e sigurisë që nga viti 2010 kur u adoptua Koncepti Strategjik i NATO-s, prej nga ku sipas autorëve mund të përpunohet një Strategji për Krahun Jugor. Pra pa e prekur dokumentin bazë. Do të jetë Samiti i Varshavës që do të vendosë se çfarë do të bëhet, por e sigurtë është se këto probleme prekin edhe Shqipërinë për pozicionin që mban. Qeveria shqiptare ka marrë vendime që e ekspozojnë vendin, siç është ta zëmë pranimi i muxhahedinëve iranianë. Por shumë pak varet nga Shqipëria, qeveria e së cilës ndoshta do të duhet të informonte më shumë dhe më mirë qytetarët e vet se çfarë ndodh, apo se çfarë urdhërash i japin.

http://carnegieeurope.eu/2016/06/10/threat-based-strategy-for-nato-s-sou...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.