Një kryeministër që përdor kompleksin e inferioritetit si argument dhe mbrojtje

Postuar në 30 Prill, 2016 14:01

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duket se ka humbur qetësinë në raport me kundërshtitë që ka prodhuar projekti i ri i stadiumit në Tiranë. Ndalimi i disa gazetarëve që kërkonin të hynin në mbledhjen e djeshme ku diskutohej – vetëm nga një njeri – projekti, dëshmon këtë gjë. Kryeministri u justifikua se “ata nuk kishin ftesë”. Apo se “shoqata e arkitektëve e mbështeti projektin”, duke aluduar se atë e miratojnë profesionistët dhe e kundërshtojnë “gjithologët”. Të cilët meqë ra fjala ishin shumë të dobishëm kur i kundërviheshin Berishës thuajse për çdo gjë.

Në këtë skemë kriteresh profesionale, pra të një “standardi në diskutim” shkoi më tej Erjon Braçe, i Komisionit të Ekonomisë, kur shkruante në Facebook, se asnjë prej katër të përzënëve nuk ishte as ekonomist e as urbanist. E njëjta këngë e cila kërkon të neutralizojë apelin për debat dhe diskutim me argumentin strikt profesional.

Po kryeministri që e mbron a është vallë arkitekt në këtë çështje, apo edhe Kryeministër? Pra edhe një person i zgjedhur që të mbrojë interesin publik e të diskutojë me qytetarët? Le t’ia lëmë Braçes ta gjejë përgjigjen, tani që referendumi i partisë e qetësoi trazirën.

Ajo çfarë të lë të befasuar në sjelljen kaotike të kryeministrit është fakti që në gjuhën popullore do të shprehej: “Ky është kaq pa lidhje sa ua dhjet të gjithëve”. Ndërkohë që edhe ndonjë filozof i vetëshpallur e mbështeti kryeministrin pikërisht me tezat profesionale të Braçes, kryeministri shkon sot e publikon në Facebook një status ku e mbron projektin në fjalë, e madje Kullëzimin e Tiranës, me...një shkrim gazete. Por duke shpalosur njëkohësisht kompleksin e madh inferioritetit dhe paaftësinë për debat, pas një testate të njohur mediatike si “Corriere della Sera”: “Ja dhe prestigjozja Corriere della Sera plot fjale te mira per Tiranen kullat stadiumin e ri frymen e transformimit”, shkruan zoti Rama.

Pra e thotë gazeta italiane, çfarë vlere ka zhurma e këtushme?

Nuk ka nevojë për fjalë të mëtejshme për të lexuar se ajo që quhet “moderne” te zotëria, është as më shumë e as më pak një refleks i kushtëzuar për imitim dhe dukje, brenda një fshati të madh si Shqipëria. Një dëshirë për t’u vetëofruar si kanaçja vezulluese e bufeve shqiptare të para ’90-ës që ishin bosh, por nga padija dhe mungesa e një kultivimi estetik, e sidomos varfërisë, mendohej se përcillte efektin e modernes, ndërkohë që neglizhonte statusin e vërtetë të saj: mbeturinë e një qytetërimi tjetër, nxjerrë në breg nga deti.

Sa për Korrieren që po na del sot si avokati, i kujtojmë zotit kryeministër se ishte kjo gazetë që para një viti ministrja e tij e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e paditi për shpifje(http://vizionplus.al/kodheli-padit-corriere-della-sera/). Një rast tipik nga ato që Edi Rama i përshkruan kështu: “Ju i krijoni, i publikoni, e pastaj na pyesni ne që duhet të përgjigjemi”.

Një njeri i frustruar në krye të një vendi të varfër, e të frustruar që qeveriset me gënjeshtra dhe hajdutëri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.