26 vjet nga Revolta në Stadiumin e Kavajës

Postuar në 24 Mars, 2016 19:54
Aleksandër Meksi

Pas rënies së Murit të Berlinit dhe Bashkimit të dy Gjermanive ishte e qartë për këdo se sistemi komunist kishte falimentuar dhe përfundimisht edhe transformimet demokratike filluan në të gjitha vendet e ish- lindjes komuniste. Ky proces i filluar nga Gorbaçovi në mëmëdheun e komunizmit me dy parullat emblemë : transparencë e pjesëmarrje, shkallë-shkallë preku të gjitha këto vende. Veç Shqipëria komuniste e Ramiz Alisë dhe Partisë së Punës, që nuk perëndon, nuk tundej nga istikami.

Kavaja mund të quhet me plotë gojën si djepi i parë i kundërshtimit masiv të shqiptarëve ndaj regjimit komunist, ku të gjithë banorët e saj, me kurajë dhe guxim, e në mënyrë spontane apo thuajse të paorganizuar, filluan rezistencën apo revoltën reale. Dy muaj më parë, në mes të janarit, ishin shkodranët, demokratë të kahershëm që tentuan të rrëzonin bustin e gjakësorit Stalin, babait shpirtëror të komunistëve shqiptarë, që mburreshin ato vite se ishin besnikë të stalinizmit dhe enveristë. E patën lënë për në 14 janar, por Sigurimi një natë përpara ditës së caktuar bëri dhjetëra arrestime, i torturoi e gjymtoi në qelitë e veta, i dënoi, e ndonjëri prej torturave, vdiq vite më vonë.

Filloi pra të frynte e të ndihej era e ndryshimeve edhe në qëndrimin e njerëzve.
Në fund të muajit ndodhi në Tiranë grumbullimi i heshtur në sheshin përpara Pallatit të Kulturës, me pritjen se diçka do ndodhte. Pavarësisht kësaj, ajo prani e heshtur e banorëve të qytetit kryesor të vendit tregoi se njerëzit kërkonin e prisnin ndryshime. Pati dhe këtu arrestime e rrahje të të arrestuarve, duke i quajtur ata organizatorë, kur dihej mirë se të tillë nuk pati, por kuptohet mirë që për regjimin ata që dolën ishin kundërshtarë.
Ramiz Alia dhe të tijtë me raprezaljet që pasuan, treguan se nuk do të lejonin që ndokush të kërkonte demokratizimin e vendit si të tjerët, e aq më tepër largimin e komunistëve nga pushteti i dalë “nga gryka e pushkës”.

Në Kavajë qysh nga fundi i vitit ’89 pati fillesa protestash nëpër mbledhje me punonjësit e të dërguar nga qendra, pati edhe trakte kundër regjimit. Tentativa organizimesh pati dhe para marsit. Kjo ishte klima antiregjim që parapriu e përgatiti protestën në stadium. Atë e nxiti dhe fjala e përhapur se “ 5 minuta para fundit të ndeshjes ngrini dy gishta lart”. Nën këtë lajm disa të rinj bënë një trakt me thirrjen “Kushtrim” për t’u ngritur kundër regjimit e për ta rrëzuar atë me forcë.

Në mes të muajit mars në Tiranë erdhi lajmi se të dielën më 25, në ndeshjen e futbollit Besa me Partizanin do të ndodhte diçka, do të kishte një demonstratë. Pritëm, dhe të nesërmen lajmet erdhën, madje plot hollësira, pavarësisht heshtjes së mediave dhe institucioneve zyrtare. Për këtë ngjarje të pritshme regjimi nuk qëndroi indiferent, por dërgoi në qytet trupat speciale e sambistë. Kur ndeshja po mbaronte, tifozët kavajas që mbushnin krejt stadiumin filluan të hidhnin parulla kundër regjimit, libra të diktatorit në tokë dhe u përleshën me trupat e ardhur enkas, duke dhënë shembullin e një kuraje të vërtetë e vetëmohuese. Ishin parullat emblemë për ato vite: “Liri Demokraci”, “Enver Hitler”, “Poshtë Komunizmi” “Poshtë Diktatura” e të tjera me përmbajtje të qartë politike e kundër regjimit, të shoqëruara dhe me këngë patriotike.

Menjëherë ndërhyri policia e forcat speciale me të cilat u përleshën të rinjtë. Ndërkohë policia filloi të godiste pa dallim ata dhe të arrestonte disa prej tyre, at që ishin më aktivët dhe në krye të protestës.
Demonstrata pati dhe të nesërmen 26 mars për të kërkuar lirimin e të arrestuarve nga policia e Kavajës dhe të dërguar në Degën e Punëve të brendshme në Durrës. Duhet të shënojmë se në ato ditë në protesta ishin dhe gratë e vajzat e Kavajës.

Një protestë tjetër u zhvillua dhe më 29 mars kur u hap fjala se një nga të arrestuarit në Durrës, Ilir Rrugeja , kishte vdekur nga torturat, ndërsa vëllai i tij Rexhepi, ishte në gjendje të rëndë... Me atë rast gjithë qendrat e punës lanë punën dhe dolën në shesh, u shkua dhe në Durrës ku panë dhe dy djemtë që ishin gjallë, por me shenja të qarta të torturave.

Kjo gjendje tensioni politik e mosbindjeje ndaj regjimit në Kavajë vazhdoi gjatë gjithë vitit ‘90 në qytetin e Kavajës, madje dhe vetë dokumentacioni i kohës e quan “gjendje e rëndë”; pati edhe një të vdekur - dëshmori Josif Buda - pati të arrestuar e të torturuar barbarisht, por dhe të dënuari si Ilir Rrugeja me 1 vit burg, Qazim Karriqi dy muaj burg, Arjan Kazazi tre muaj burg, Fatmir Veliu dy muaj burg , Jak (Zija ) Shtini tre muaj burg, Selaudin Cara 6 muaj burg e shumë të tjerë që u ndaluan nga policia për disa ditë. Të gjithë ata iu nënshtruan terrorit psikik dhe torturave të egra nga hetuesit dhe sigurimsat, por nuk u përkulën.

Kjo frymë e një lëvizjeje antikomuniste për demokraci vazhdoi gjatë në Kavajë dhe sigurisht tërhoqi vëmendjen dhe simpatinë e shumicës së shqiptarëve. Shembulli i tyre i dha kurajë të tjerëve për të protestuar, i tregoi botës se shqiptarët duan ndryshime rrënjësore, çka rriti presionin ndërkombëtar ndaj Qeverisë së Partisë së Punës, që vazhdonte në rrugën e vet të gënjeshtrave mbi realitetin shqiptar. Ajo vazhdoi për muaj të tëra në forma të ndryshme deri sa u shpall pluralizmi dhe kulmoi më 25 dhjetor me mitingun e madh për të festuar themelimin e Degës së Partisë Demokratike në Kavajë, në prani të gjithë qytetit.

Ndodhitë e atij viti historik në qytetin e Kavajës mendoj se duhet të studiohen e të njihen me hollësi e saktësi, shkaqet e rrjedha e tyre, protagonistët, dhunuesit, dhe kjo jo vetëm mbi bazën e dëshmive të protagonistëve e të tjerëve që kanë dijeni, por edhe me paraqitjen e tyre në dokumentacionin zyrtar të regjimit, që flet qartë mbi to. Dhe kjo pa ndarë nga situata politike dhe ndodhitë në mbarë Shqipërinë.

Së fundmi një propozim personal për Kryetarin e Bashkisë së Kavajës dhe Këshillin Bashkiak : Stadiumit të qytetit t’i vihet emri “ Stadiumi 25 Marsi ”.

Comments

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

"Kavaja mund të quhet me plotë gojën si djepi i parë i kundërshtimit masiv të shqiptarëve ndaj regjimit komunist" !?!?
Po ç'thua mo Aleks?

Demokracia asht koncept europian dhe nuk asht as koncept aziatik e askoncept afrikan. Vetem kush ka pase lidhje historike me qytetnimin europian mund te kete konceptet europiane. Qyteti i vogel i rrethit te Durresit Kavaja nuk i ka pase keto lidhje.

Per kete arsye vetem Shkodra ka qene djepi i kundërshtimit masiv të shqiptarëve ndaj regjimit komunist, sepse Shkodra ka qene gjithmone qendra e kultures europine ne mesin e gjitha qyteteve shqiptare.
Shkodra ka pase lidhjet me Eurpen qyshe ne shekullin e XIII e ma perpara. Kete ti Aleks e din mire sepse kjo asht vertetu edhe me Statutet e Shkodres shekullit XIII te zbuluem ne arkivat e Vendikut nga studjuesja veneciane Lucia Nadin. Me kete STATUTE te stilit europian asht qeverise Shkodra, pa fole per te gjitha provat e tjera.

Ne Shkoder u ba E PARA TENTATIVE per rrezimin e bustit te Stalinit, per te cilen u arrestuen dhe u torturuen te rij shkodrane njeni prej te cilve per shkak te torturave te randa u dergue ne spitalin e qyetit Klagenfurtit-Austri ku dhe vdiq.
Nuk due te merzis lexuesit me mija prova te tjera qe vertetojne kulturen prendimore te Shkodres.

Submitted by Filip SCUTARI (not verified) on

Ju pershendes Prof. Meksi, duke ju uruar shendet e jete te begate.

Submitted by Ilir (not verified) on

JU qe beni komente jeni aq te zgjuar sa i tregoni ish shtetit ja baba trego arat kur te besh komente duhet te demostrosh fakte apo prova dhe jo ham ham mo keq se qeni i sillos

Submitted by ISH TIFOZ I PAR... (not verified) on

ASHTU ESHTE EVERTETA SIC THOTE PROF AL MEKSI,UN JAM NJE TIFOZ I PARTIZANIT KAM QENE NE ATE NGJARJE GUXIMTARE KUR NJE GRUP ANTIKOMUNISTESH KAVAJES ME ORGANIZATOR DY VELLEZERIT RRUGEJA DEMOSTRUAN DHEMB PER DHEMB KUNDER MBROTJES DIKTATORIALE NE SHQIPERI POR TE PA MPOSHTUR DHE TE VENDOSUR DERI NE VDEKJE PER REALIZIMIN E DEMOKRACISE.SAKRIFICA E DY VELLEZERVE RRUGEJA EDHE SOT NDERON NJE QYTET ME VLERA HISTORIKE DHE TE LAVDISHME KAVAJA E MERITON DJEPI I DEMOKRACISE!!!

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Fatkeqesisht, Kavaja sot ka rene pre e hajduteve tip Ervin, Elvin Elvis Roshi.

Submitted by Dritan (not verified) on

ngjarja e stadiumit besa te kavajes 25mars1990 eshte met vertete nje ngjarje heroike dhe historike eshte nga te paret revolte ne shqiperi dhe per merite te vecante si heroj kan zene vend te pare ne kavaje dy vellezerit rrugeja

Submitted by Historian (not verified) on

Kam respekt per dy vellezerit Rrugeja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.