Tjetër minus për INSTAT. Ministri i Bujqësisë: “Të dhënat për vitin e kaluar, joobjektive”

Postuar në 15 Shkurt, 2016 13:28

Të dhënat e INSTAT marrin një tjetër minus besueshmërie dhe kësaj radhe nga brenda vetë qeverisë. Në një intervistë dhënë për gazetën “Shqip”, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka hedhur poshtë statistikat e INSTAT-it për eksportet bujqësore.
“Instituti i Statistikave prodhon të dhëna të ashtuquajtura të pritshmërisë së rritjes së sektorit. Këto të dhëna ndikohen edhe nga faktorë të rrezikut, si përmbytjet, thatësira, zjarret, dëmtuesit e bujqësisë etj. Nisur nga përmbytjet e vitit të shkuar, INSTAT-i për të “qenë brenda” projektoi të dhëna shumë konservative dhe tendencë uljeje për bujqësinë, të cilat siç u pa edhe më vonë, nuk përputheshin aspak me të dhënat objektive të matshme të prodhimit dhe të eksporteve bujqësore, të cilat shënuan një rritje spektakolare. Ndryshe nga INSTAT-i, të dhënat e prodhimit dhe të eksporteve bujqësore janë të dhëna të matura, serrë më serrë, stallë më stallë, kilogram për kilogram, litër për litër prodhim dhe janë të vërteta e të vërtetueshme”, thotë Panariti.

Ai ka folur edhe për pajisjen me NIPT në sektorin e bujqësisë. Panariti ka nënvizuar se ky akt nuk lidhet me detyrime tatimore dhe fiskale: “Dëshiroj së pari të theksoj se pajisja me NIPT e fermerëve nuk përbën për ta asnjë detyrim të karakterit tatimor apo fiskal. E thënë ndryshe, pajisja me NIPT është e vetmja mënyrë për t’u bërë i dukshëm për shtetin, donatorët, si dhe për të përfituar nga fondet e mbështetjes buxhetore dhe ato të BE-së. Të jesh i padukshëm, të jesh informal, tashmë thjesht nuk është me leverdi. Prandaj, procesi i pajisjes me NIPT po ecën mjaft mirë dhe me shpejtësi, sepse shtyhet nga interesi dhe jo nga thirrjet apo apeli. Për t’ju dhënë një shembull konkret të përfitimit nga formalizimi: për çdo kilogram sherbelë të shitur në pikat e grumbullimit, fermerët e pajisur me NIPT përfitojnë 120 lekë/kg, ndërsa ata jo formalë 100 lekë/kg. Pra grumbulluesi, blerësi aplikon për fermerët me NIPT çmime preferenciale në blerje, sepse për këtë ai subvencionohet në masën 20% nga ne nëpërmjet rimbursimit të TVSH-së”, deklaron Panariti.

http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/02/15/panariti-rritem-eksportet-t...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.