Një qeveri, dy axhenda. LSI propozon krijimin e PostBankës. Bie ideja për shërbimin bankar të pensioneve

Postuar në 16 Janar, 2016 20:24

Drejtori i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi ka dhënë sot një intervistë për gazetën “Shekulli” ku përsërit qëndrimin e tij të muajit dhjetor për shpërndarjen e pensioneve. Lazimi, një zyrtar i ardhur nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka sqaruar disi më hollësisht se cilat janë masat që do të marrë Posta në mënyrë që të shmangen radhët e gjata. “Zyrat postare që shpërndajnë pensionet punojnë çdo ditë të javës nga ora 08:00 e mëngjesit, deri pasdite, por tendenca e pensionistëve është për t’u paraqitur në orët e para të mëngjesit, normalisht duke krijuar një fluks të përkohshëm, ndërkohë që pas orës 11:00 në pjesën më të madhe të zyrave të dedikuara të pensioneve fluksi bie dhe pensionistët tërheqin lehtësisht pensionin pa qëndruar në radhë. Për vitin 2016, Posta Shqiptare, në ato zyra ku fluksi është më i madh, do të organizojë shërbimin për të rritur numrin e sporteleve të shpërndarjes së pensioneve duke krijuar sportele universale, të cilat krahas shërbimeve të tjera të realizojnë edhe pagesën e pensioneve”, tha Lazimi.

Bëhet fjalë për 620 mijë pensionistë dhe projekti i Postës në këtë drejtim ndihmon shumë. Mirëpo ky propozim vjen disi me vonesë dhe ka prapavijë të qartë politike. Në muajin dhjetor, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi hodhi idenë që ky shërbim t’u ofrohet pensionistëve shqiptarë përmes bankave, të cilat kanë infrastrukturën të gatshme. Me këtë rast, fondi që i kalon Postës për këtë shërbim do të binte, pasi bankat e kryejnë këtë shërbim, pa investime shtesë dhe kundrejt një komisioni. Dhe me heqjen e fondit, Postës me siguri i ikën në mënyrë të logjikshme një pjesë e mirë e mbulimit financiar për të punësuar të shumtë që dihet se janë aty si njerëz të LSI-së. Tha Klosi: “Ne nuk mund të pranojmë që sistemi bankar ka sot vetëm 3.4% të të gjthë numrit të pensionistëve të vendit tonë. Janë 620 mijë sot që përfitojnë nga skema e pensioneve, në masën e tyre më të madhe janë në zonën urbane që ka sistemin bankar në çdo lagje të qytetit. Një numër i konsiderueshëm i tyre është dhe në emigracion. Duhet të kemi të qartë që ky sistem përsëri do jetë vullnetar, ku çdo pensionisti do t’i ofrohet me vullnetarizëm, që nëse do të kalojë në bankë, të shkojë në bankë, por nëse do dojë të qëndrojë me postën, mund të jetë dhe ky një opsion”(http://www.respublica.al/2015/12/19/pensionet-përmes-bankës-kundërshton-posta-që-drejtohet-nga-partia-e-ilir-metës).

Pra shërbimi alternohet me Postën, rrit cilësinë dhe u jep mundësi pensionsitëve të zgjedhin, gjithnjë me kosto të reduktuara edhe për shtetin. Mirëpo ky është një tjetër rast i mirë për të kundruar konfliktin mes PS-së dhe LSI-së, dy parti nën të njëjtën qeverisje, por me axhenda të ndryshme. Lazimi i ka shtuar sot idesë së sporteleve edhe atë të Post Bankës që do të duhet sipas tij të krijohet me kapital shtetëror. “Bazuar në Ligjin “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”, Banka (PostBanka në rastin tonë) mund të themelohet me kapital shtetëror sipas dispozitave të këtij ligji ose me ligj të veçantë. Në kushtet kur Posta Shqiptare, është një shoqëri me kapital 100 për qind shtetëror, PostBanka mund të themelohet duke u bazuar në kushtet dhe rregullat që ky ligj përcakton për krijimin, licencimin, organizimin dhe drejtimin e bankave të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, plani ynë strategjik për krijimin e PostBankës do të mbështetet në modelet më të suksesshme europiane, duke iu referuar modelit të BancoPosta Italiane, asaj gjermane dhe franceze, operatorë me të cilët tashmë kemi filluar shkëmbimin e ideve të para. Posta Shqiptare po përgatit një draft propozim, i cili do të përcillet për shqyrtim në institucionet përkatëse qeveritare, vendimmarrëse dhe rregullatore. Së pari, ky proces kërkon vullnet politik për krijimin e një institucioni bankar shtetëror. Së dyti, nevojiten edhe kapacitete financiare dhe njerëzore përpos miratimeve rregullatore, të cilat aktualisht janë sfiduese dhe kërkojnë patjetër mbështetje institucionale dhe një mendësi të re korporative për të garantuar një histori suksesi”( http://www.shekulli.com.al/p.php?id=375180).

Përveç faktit se ky operacion është pozitiv në vetvete dhe me të vërtetë që vjen si përvorjë e disa vendeve, ai ka edhe aspektin koniunktural dhe ngushtësisht partiak: Lazimi po thotë hapur se ideja e Klosit për shpërndarjen e shërbimit do të kundërshtohet dhe se në këtë drejtim, LSI-ja po ecën fort duke propozuar edhe një bankë për të cilën natyrshëm “kërkohen fonde dhe burime njerëzore”. Çfarë mund të kuptojmë është se e vërtetë që pensionistët do ta kenë më të lehtë dhe më cilësor shërbimin, por edhe kësaj radhe, koninkturat e brendshme të mazhorancës nuk lejojnë që kjo të realizohet me optimizim të fondeve. Është nga të paktat raste kur bashkëpunimi me privatin do të ishte një zgjidhje shumë e mirë dhe ishte menduar mirë, por prita e LSI-së e komplikon skemën. Si dhe u kujton të gjithëve sinorët e brendshëm të qeverisë.

Comments

Submitted by Pensionisti (not verified) on

Do te jete gafa me e madhe financiare qe do te beje kjo qeveri, ne rast se do t'i jape ILIR METES, BANKEN E PENSIONEVE.
Edhe mendimin qe shfaq ky palo drejtor i Postave, nuk e shfaq kot. Ky eshte si Manjani, qe flet ne emer te dikasterit te drejtesise, por ne fakt, eshte mendimi i LSI, pra, i Ilir Metes.
Kete gje, opozita, t'a shfrytezoje mire dhe me mend, te organizohet dhe te ndertoje nje strategji per t'a kundershtuar kete afere te paster koruptive, per te vjedheur edhe parate e pensionisteve, qe jane robtuar gjithe jeten per te shtyre pleqerine. KY ESHTE NJE SKANDAL. ESHTE NJE KRIM.
Po e kerkoj publikisht, i drejtohem opozites, qe te kundershtoje me force kete krim financiar qe do te kryeje maxhoranca, konkretisht Ilir Meta, per te kapur dhe vjedhur pensionet e pleqerise, ne mbare vendin. Ne, populli i thjeshte, parate imduam nga shteti dhe jo nga bankat private te Ilir Metes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.