Fajin e ka populli! “Mbiprodhim cinizmi dhe energjish negative”. “Bëhuni me LSI-në, të shikoni të ardhmen”

Postuar në 16 Janar, 2016 03:29

Kryeministri ka shpërndarë në profilin e vet një material video një minutëshe, ku flasin 10 nga studentët e ekselencës që u bënë sot anëtarë të Partisë Socialiste. Besoj se do të bien dakord të gjithë që kur dëgjon këta të rinj, që teorikisht sapo kanë nisur jetën dhe të kuptojnë shumëçka, të flasin për idealizëm të partisë, për përfshirje në politikë, sepse “më të mirët punojnë me më të mirët”, etj., jemi përpara një montimi shumë të trashë. I denjë për fushatën elektorale të vitit 2013 dhe praktikën e kasetave që e promovoi në media, të cilën e shan kaq shumë, Edi Rama dora vetë. “ResPublica”shkruajti edhe diçka pak më herët për këtë soj lajmi që i serviret shqiptarëve, për këtë gjoja elitarizim të PS-së, i cili është recidivist në dështimin themelor të vetin, sado të përpiqet të shtjejë në punë kallajin e ekselencës. Sepse shembulli i parë që na vjen ndërmend me kësi lodrash politike është ai i Drejtoreshës së Tatimeve, monument i paaftësisë, e që erdhi në një nga institucionet kryesore të vendit thjesht si një tekë e kryeministrit.

Pa paragjykuar, por duke vlerësuar se idealizmi është ngujuar shumë larg Tiranës politike në këtë vend, do thënë se ekselenca që po promovohet këtu është një shfaqje e një problemi kapital të Shqipërisë, e që është ambicia e politikës për të riprodhuar kastën e vet përmes këtij lloj rekrutimi që e vendos rininë para një sfide serioze: ose të pranojë rrugën e Partisë, ose të dorëzohet e të kërkojë tjetërkund fatin dhe të ardhmen. Kjo është dhurata më e keqe që një kryeministër mund t’i bëjë këtij vendi, edhe kështu të marrë fund. Një i ri që aderon në parti nuk është problemi, por promovimi dhe vëmendja në këtë formë është tepër e dëmshme. Mjafton të hedhësh një sy te komentet e postimit të zotërisë kryeministër, për të kuptuar reagimin dhe se çfarë distance po vendos ai që qeveris me realitetin.

Në fjalën e tij, Edi Rama u ankua madje se reformat po pengohen “nga energjitë negative dhe nga mbiprodhimi i cinizmit”, dëshmi tjetër kjo e depresionit nervor ku ka hyrë kryeministri nga mediat dhe nga fakti se nuk ka më vullnet të përballojë sfidat e shumta që ka Shqipëria. Një depresion që është pranëvënë me gërryerjen e plotë morale, sa kohë që një “dorë e fortë e shtetbërjes” do të na kishte dhënë shembuj të qartë të pastrimit brenda radhëve të veta. Aty ku korrupsioni po zë nën vete edhe 25 vitet që lamë pas. Edi Rama po i heq kështu shqiptarëve edhe një alternativë që deri dje pulsonte diçka nga struktura institucionale, kaq e nevojshme dhe e vështirë për shqiptarët, duke e konvertuar një trashëgimi politike kaq të madhe në një hipotekë personale. Nuk mbetet veçse të urojmë sukses, kurse për ata që nuk binden, ndoshta vlen ajo që thotë një komentues në profilin e kryeministrit: “Bëhuni me LSI-në të shikoni të ardhmen”. Fundja “Ilir Meta është e vërteta”.

 

1 minutë me 10 pjesëtarë të grupit të madh të studentëve të ekselencës, që me përfshirjen e tyre sot në Partinë Socialiste janë një inkurajim i posaçëm në rrugën e reformave dhe një vlerë e shtuar për PS. #KrenarpërPS

Posted by Edi Rama on Friday, January 15, 2016

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.