Dinjitet, fjala që nuk duhet ta dëgjojmë më në 2016…

Postuar në 30 Dhjetor, 2015 15:06
Ilir Mborja

Nëse ka një fjalë që nuk duhet zënë me gojë nga shumica e politikanëve tanë, ajo është vetëm një. Është fjala dinjitet. Mbase edhe gjetkë, politika dominohet nga njerëz që i rrinë larg parimit që e konsideron atë si “art i së ndershmes”. Kjo qasje e pandershme ndaj politikës, dmth pa dinjitet, u jep me sa duket rezultat atyre. Për sojin e politikanëve që flasim, më e udhës do të ishte që ta anashkalojnë përdorimin e fjalës dinjitet. Të gjithë pa përjashtim. Duke filluar që nga Edi Rama, (që kur hëngri ngjalat në Gjirin e Lalzit në shtëpinë e  Ilir Metës) dhe deri tek i fundit, Nard Ndoka, fjala vjen... Nuk ka më vend për fjalën “dinjitet”. Të gjithë politikanët tanë, jo vetëm i referohen ambasdorëve të huaj, por kur ua do interesi, shpallen si miq të tyre. Nuk e lënë të nënkuptohen, por hapur fare. Psh Ben Blushi në një emision televiziv ka deklaruar : “... Pse si thoni ju, do ta lejojë ambasadori amerikan përjashtimin nga partia të një politikani shkrimtar?.. E kishte fjalën për veten...

Edhe në këto çaste, gjersa ne si popull, i kemi varur shpresat për reformën në drejtësi tek ambasadori amerikan Donald Lu,.. nuk duhet ta zëmë shumë me gojë fjalën dinjitet... Dhe, po qe se ka ndonjë politikan, që mendoj se duhet ta zhdukë fare nga fjalori i tij atë fjalë, fjalën dinjitet, ai është Bamir Topi. Mirëpo ai, në një fjalim të Asamblesë së të tijve në këtë fundviti deklaroi se: “Shqipëria po kalon një situatë të një kaosi politik. Asgjë s’ka ndryshuar, siç ishim jemi dhe FRD nuk mund të lejojë që të tjerët të ngrihen mbi dinjitetin e saj.”

 Asnjë kundërshtim për vështrimin dhe përshkrimin që i bën kryetari i FRD-së situatës së sotme politike. Nuk është ai objektivi i shkrimit tim. Edhe ashtu si thotë Topi mund të jetë... Por një fjalë ama, ta vret veshin aty në fjalimin e tij. Një, vetëm një. Fjala “dinjitet”. Atë fjalë nuk duhet ta zinte me gojë ai. Sidomos ai, kryetari i asaj që ai e quan FRD. Atë fjalë, Bamir Topi, duhet ta harrojë... Dhe, meqë jemi në prag të Vitit të Ri, po ja them në formën e një kartoline,.. Dhe, nëpërmjet tij, dua t’i dërgoj një mesazh të gjithë politikanëve shqiptarë, të majtë e të djathtë:

I dashur Bamir!

Sinqerisht ju them se ju personalisht nuk jeni kurrsesi modeli i politikanit negativ në përfytyrimin tim. Ju për mua jeni një qytetar që, përgjatë këtyre viteve, nuk ju ka dalë emri as për korrupsion  e as për krime monstruoze, si mender me thënë, mikut tuaj të dikurshëm, Sali Berishës. Por, sipas opinionit tim, bashkëpunimi juaj i gjatë pranë tij, i kishte dhënë disa fraktura karakterit tuaj. Në bindjen time, kush qëndron qoftë edhe për pak kohë pranë një krimineli, është me dinjitet të cunguar. E thonë edhe librat e shenjtë: “Të pajtohesh me veprimin e një tjetri është si ta kesh bërë bashkë me të atë veprim. Kush bashkëpunon në gjëra të mbrapshta bën dy herë mëkat: E para, bën një ligësi dhe e dyta, s′pengon tjetrin në bërjen e saj.”

Kështu është kjo botë o zoti Topi. Të jep dhe të mirat dhe të këqijat e të tjerëve që u rri pranë, por kur të kthen kurrizin ama, të merr dhe të mirat që ke hak. Duket se kështu ka ndodhur edhe me ju.

Qysh në fillim, pa u bërë ende president, ju kishit një dinjitet, siç thashë për mua, të cunguar. Ai dinjitet u dëmtua akoma më shumë, kur ju u propozuat për president, prej kryetarit të PD-së së asaj kohe (prej atij që etika e kartolinës nuk më lejon t’ia përmend shpesh emrin). Dhe në atë moment, të zgjedhjes tuaj si president me vota të blera nga kundërshtarët politikë, ju pësuat frakturën më të pariparueshme të dinjitetit si politikan, madje dhe si njeri, si Bamir Topi.

(Ju mund ta keni harruar, por njerëzit jo. Ata e mbajnë mend shumë mirë, njërin nga të katërt deputetët socialistë, atë që ia tregoi kamerave, para se ta hidhte në kuti, fletën e tij të votimit, që ju bëri juve president.)

Ju zoti Topi shqelmuat në atë moment nderin tuaj dhe vrapuat turpshëm drejt famës që të serviri ai, ish miku juaj “B...”. Ju patjetër nuk e kishit lexuar fare Schopenhauer -in që ka shkruar dhe shtjelluar gjerë e gjatë në esetë e tij nocionet e famës dhe nderit, ku ka dalë në përfundimin se: "Fama dhe nderi janë binjakë. Fama është vëllai i pavdekshëm i nderit jetëshkurtër. Fama është një gjë që duhet të fitohet, ndërsa nderi, veçse një gjë që nuk duhet ta humbim."

Ju nuk humbët vetëm dinitetin tuaj atë natë kur “u zgjodhët” në asisoj mënyre president, por dëmtuat rëndë edhe perceptimin e njerëzve për atë post të lartë. Aq e dëmtuat ju imazhin e institucionit, sa më pas ushqyet indiferencën qytetare për pasardhësin tuaj. Aq sa sot, pak kujt i bëjnë përshtypje gafat dhe budallallëqet e shumta  të presidentit Nishani...

Pastaj, shumë shpejt erdhi dita kur juve si rrallëkujt jua mori lumi edhe të dytën, famën. Famën e pavdeshkshme për të tjerë, por jo për ju. Për ju jo, se vinit nga përroi i ndyrë i “B...”, dhe ashtu do të përfundonit,.. Me dinjitet të cunguar. Ju qëndruat deri në fund të mandatit si president i vendit, por dinjiteti juaj u qelb nga palavitë që nxorri nga goja “B...” në 21 janar. Vërtet, juve nuk ju ka dalë emri për krime si të atij, por ju nuk kishit dinjitet as për të ruajtur fshehtësinë e votës tuaj më pas... Prandaj ju Bamir Topi dhe ca aleatë të tu, kur flisni, duhet të bëni kujdes, shumë kujdes, që mos ta zini me gojë fjalën “dinjitet”. Harroje më mirë atë fjalë, ti edhe ca aleatë të tu!..

Megjithatë, Gëzuar 2016-n!”

Comments

Submitted by Ndoc DUDASI (not verified) on

Ju pershendes, zoti Mborja !
Shkrim korekt, DINJITOZ, dhe shume profesional.
Me konsiderate. . .
Gezuar vitin e Ri.

Submitted by plaka gjuheshpata (not verified) on

E o Ilir.Ja the ,po kujt ja the,kalit te ngordhur.Thuaju atyre te tjereve ,qe kane marre vrapin dhe nuk po shohin me ku i hedhin kembet.Le qe cfare them edhe une.Tani fjala Dinjitet i takon historise.Dhe dihet qe historine e shkruajne fitimtaret,ata pa dinjitet.Keshtu qe : Gezuar Vitin E Ri ,pa shohim e bejme ne 2016.

Submitted by tri (not verified) on

2016 = trinjitet

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.