Shuplakë vllazërore për ministreshën nga Tirana

Postuar në 02 Dhjetor, 2015 10:17

Protokollet e kanë dashur që Tirana të shihet si “nëna” përbashkuese e interesave politike në Kosovë e Maqedoni, madje vizitat e politikanëve të Shqipërisë kanë ushqyer idenë e ëndrrës së bashkimit nën flamurin kuq e zi sa herë që liderëve nga Tirana u duhej ndonjë kolpo elektorale.

Edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, paria e Shqipërisë ka vijuar të sugjestionojë veten se mban peshë paternaliste mbi faktorin politik në Kosovë e Maqedoni. Këtë ka demostruar edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, por përgjigjia që mori ishte një shuplakë domethënëse jo vetëm për të, por edhe një sinjal për liderët politikë të Tiranës. Duke komentuar situatën politike atje ministrja shqiptare e Mbrojtjes bëri këtë deklaratë. “Mos i bëni gabimet e shqiptarëve. Kështu që besoj se duhet të mësoni nga gabimet tona dhe në këtë mënyrë rrugëtimi juaj do të jetë, e përsëris, më i sigurt dhe do të zgjasë në kohë aq sa rrugëtimi ynë drejt këtyre strukturave”. Por përgjigjet që mori fillimisht nga kryeministri Isa Mustafa dhe më pas nga ish-kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi reflektojnë një raport të ri mes udhëheqjes politike në Tiranë dhe Prishtinë.

“Uroj që në Shqipëri të mos ndodhë gazi lotsjellës në parlamentin shqiptar, as në rrugë sepse të gjithë ne e dimë se cilat kanë qenë pasojat e sjelljeve të tilla të vitit 1997. Po ashtu konstatoj se eksponentët e asaj dhune nuk mund të moralizojnë askënd, nuk mund të moralizojnë për demokraci as në Shqipëri dhe as në Kosovë”-deklaroi kryeministri i Kosovës, duke artikuluar për herë të parë një akuzë politike për të ashtuquajturën të majtë shqiptare që sot përfaqësohet edhe nga zonja Kodheli.

Ndërsa ish-kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi ndonëse në mbrojtje të aksionit opozitar në Kosovë I quan leksionet e ministres Kodheli çoroditje:

“Është një shprehje, që për të satën herë e dëgjojmë nga zyrtarë të lartë të shtetit që e përfaqësojnë – Shqipërisë. E shajnë shtetin që e përfaqësojnë! Çfarë përfaqësimi është ky? Ku i keni marrë këto mësime të çoroditura?  Prej nga e mësuan këtë gjuhë këta zyrtarë të lartë të shtetit – Shqipërisë? Sot kësaj vjershe që e kanë mësuar si papagalli, përmendsh, iu bashkua edhe ministreja e Mbrojtjes së Shqipërisë, zonja Kodheli”-shkruan Krasniqi.

Vlen të theksohet se e majta është treguar shumë aktive për ngjarjet në Kosovë dhe arrestimin e Albin Kurtit, duke organizuar edhe protesta me aktivistë të shoqërisë civile nën drejtimin e Abdi Baletës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.