Një hipotezë e re: Materia e Errët, përgjegjëse për zhdukjen e dinosaurëve dhe shfaqjen e njeriut në Tokë

Postuar në 15 Nëntor, 2015 02:43

Nga vijmë? Kjo është një pyetje që do shoqërojë njerëzimin deri në perëndimin e vet. Një pyetje themelore, ngacmuese dhe ekzistenciale. E dyta për nga rëndësia dhe shqetësimi që shkakton pas pyetjes: Pse ekzistojmë. Hipotezat për origjinën njerëzore janë disa, ndonëse më kryesoret janë ato që ndahen mes kreacionizmit dhe evolucionit. Mirëpo një shkencëtare nga universiteti i Harvardit hedh një hipotezë të re për origjinën e njeriut, apo më saktë kushtet e daljes së tij në skenë. Lisa Randall, është një fizikane e fizikës teorike dhe ka publikuar së fundmi një libër të titulluar:  "Materia e errët dhe Dinosaurët". Në këtë libër, Randall hedh idenë se zhdukja e dinosaurëve – e domosdoshme për shfaqjen e njeriut – lidhet me materien e errët, lënda misterioze, e padukshme për astronomët e cila përbën 85% të materies në univers. Paleontologët bien dakord se rreth 66 milionë vjet më parë, një trup qiellor me gjatësi 9 milje – me gjasë një kometë – goditi Tokën. Nga goditja u zhdukën 75% e specieve në planet përfshirë shumicën e dinosaurëve. Mes atyre që shpëtuan ishin primatët e vegjël. Përgjatë 66 milionë vjetëve këta primatë u diversifikuan, u rritën, mësuan të ecin me dy këmbë dhe zhvilluan një tru të madh. Çfarë e shkaktoi përplasjen e shkëmbit të madh qiellor me planetin tonë duke u dhënë kështu primatëve shansin për të dominuar? Rastësia, fati?! Randall ka një ide tjetër. Sipas saj, një zonë e dendur e materies së errët brenda galaktikës sonë mund të jetë përgjegjëse për shfaqjen e species njerëzore. Materia e errët priret që të përqendrohet si një flluskë gjigande rreth galaktikave, por sipas Randall, mundet që të ekzistojë edhe i ashtuquajturi disk i errët mes planetëve dhe reve të gazit në galaktikën tonë. Nëse kjo hipotezë do të qëndronte, atëherë ndikimi gravitacional i tij do të ishte shumë i ndjeshëm edhe mbi sistemin diellor. Çelësi i teorisë së Randall qëndron në faktin se sistemi ynë nuk ndodhet përherë afër këtij disku, pasi sistemi ynë rrotullohet rreth qendrës së galaktikës Rruga e Qumshtit, lëviz lart apo poshtë, apo oshilon përmes planit të galaktikës. Dhe ritmi i këtij oshilacioni është shumë intrigues.

Sipas disa astronomëve që kryen një matje të tij, u llogarit se sistemi ynë diellor kalon përmes planit të Rrugës së Qumshtit një herë në 32 milionë vjet, çka do të thotë që nëse aty ka një disk të errët, ne kalojmë aty me të njëjtin ritëm. Në mënyrë shumë kurioze ka prova që sugjerojnë se zhdukjet në masë në Tokë kanë ndodhur pikërisht në këtë hark kohor, pra njëherë në 25-35 milionë vjet. Është kjo ngjashmëri mes zhdukjeve në masë dhe ritmit të oshilimit të sistemit tonë diellor përmes galaktikës që e kanë shtyrë Randall dhe kolegun e saj në Harvard, Matthew Reece, që të propozojnë pikërisht këtë lidhje mes të dyja dukurive. Randall shtron hipotezën se kur ne kalojmë përmes diskut të errët, graviteti me burim materien e errët ndikon rajonin e jashtëm të sistemit diellor, të quajtur Reja Oort. Kjo e fundit ndodhet 2 vjet dritë nga Dielli dhe mendohet se përmban miliarda objekte të akullta të paktën 12 milje të gjatë secili. Nëse një nga këto objekte do të godiste Tokën sot, kjo do të thoshte fundi i jetës siç e njohim. Kjo ka ndodhur 66 milionë vjet më parë sipas Randall. Për këtë arsye prova që do të favorizonte teorinë e saj, është ekzistenca e diskut të errët.

Hipoteza është e guximshme dhe gjithsesi hap një dritare të re për të parë tek impakti i kometës që zhduku dinosaurët një “rregull” ciklik që ka pasoja shkatërrimtare, por që nga një perspektikvë i dha mundësinë njeriut të shfaqet në Tokë si specie dominuese. Nëse do të provohet, ajo mund të lexohet si një lloj determinizmi i asgjësimit, ndaj të cilit njeriu, me mundësitë që ka sot, nuk mund të bëjë asgjë. 

http://finance.yahoo.com/news/leading-harvard-physicist-radical-theory-1...

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Teori tejet e guximshme, per vertetimin e te ciles duhen pritur 30 milion vjet. Njerezimi mund edhe te vetezhduket me ndonje "aksident" gjate kesaj kohe duke e pjerdhur kete teorine nje here e mire.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.