Çfarë kërkon Shqiptari i Ri?

Postuar në 13 Tetor, 2015 21:40
Leonard Veizi

Shqiptari i Ri nuk është si ai i vjetri. Është mendjehapur. Është më bashkëkohor dhe më qytetar padyshim. Kërkon më shumë nga vetja dhe nga të tjerët. Por më shumë fare kërkon nga Zoti. Problemi është se Shqiptari i Ri duket ca i çorganizuar në kërkesa. Nga shqiptari i vjetër, si një atavizëm i pashmangshëm ka huazuar ndonjë gjë, që e nxjerr padashje nga nënvetëdija, si p.sh. parrullën “urdhri i dytë anulon të parin”, e ka modifikuar në “kërkesa e parë rrëzohet nga e dyta”. Ndoshta kjo është dhe arsyeja që në vendin tonë sërish asgjë nuk ecën aq mirë sa mund të thuhet se tani jemi në rrugë të mbarë.

Është e frikshme të lexosh komentet pafund të anonimëve në faqet online të gazetave, por dhe në rrjetet sociale. Për shkak të pikëpamjeve të mia, - që personalisht i cilësoj si liberale edhe pse mund të mos jenë të tilla, - kam qenë gjithmonë i mendimit se njerëzve u duhet lëshuar kapistalli për të folur e për të thënë mendimin e tyre. Në të kundërt mendimet e këqija akumulohen e bëhen si një fuçi me tritol C4 që kur i vjen çasti për të shpërthyer shkakton pasoja më të mëdha dhe se një bateri topash obuz. I këtij mendimi jam akoma, nuk kam ndryshuar. Vetëm se nuk arrij të kuptoj në asnjë rast se çfarë kërkon në të vërtetë Shqiptari i Ri. Se, që është në kërkim të diçkaje kjo duket sheshit, dhe mirë bën. Por që është thjesht në kërkim të një “jete më të mirë”, për këtë zor se më mbushet mendja. Dhe jo vetëm mua. Vetë kaosi i asaj që kërkohet, të bën të dalësh në një përfundim të tillë. Shqiptari i Ri kur është pa punë është në hall vërtet, por më në hall është kur e gjen një punë. Është i pakënaqur që ditën e parë dhe do shajë e do ankohet tërë ditën për shefin, që demek e ngarkon me gjëra që nuk i takojnë dhe për kolegun që si pelivan i shpëton detyrimeve, ndërsa ai vazhdimisht e “ha” duke bërë dhe punën e të tjerëve. Po mor po. A ka shqiptar, i ri a i vjetër qoftë, që e beson këtë. Asnjëri prej nesh nuk bën punën që na takon e jo më të bëjmë dhe punën e të tjerëve. Këtu jemi ustallarë të vërtetë, nuk na e merr njeri. Mirëpo kjo është panorama më e zakonshme e mundshme që na shfaqet në çdo tavolinë ku pihet kafe e bëhen thashetheme pune.

Dhe kështu helmi i mbledhur përgjatë ditës nuk ka kohë më të akumulohet, ai thjesht çlirohet çdo pasdite kur Shqiptari i Ri sapo futet në shtëpi, pa ngrënë drekë, pa u çlodhur e pa pyetur fëmijët se si kanë shkuar me mësime, ndez kompjuterin për të hedhur një status “të fortë” apo për të gjetur ndonjë lajm ku mund të shfryjë mllefet. Fillimisht shahet qeveria, se ajo mban më shumë, po dhe opozita që shan qeverinë. Se kjo është ca e vështirë për t’u kuptuar, por s’prish punë. “Kështu e do ky popull”, thotë në fund Shqiptari i Ri dhe ngrihet nga kompjuteri që të njihet me të rejat e ditës edhe nga televizori. Në fakt, kjo është shprehja më e zakonshme që dëgjohet kudo. Ai vetë është pjesë e këtij populli, se s’ma do mendja që ka “kapërcyer ylberin” e është bërë tjetër.  

Po pse na e dashka kështu ky popull? Pse kjo marrëzi për të hedhur më të keqen te ai popull pjesë përbërëse e së cilës je vetë. Kur shtrëngohet rripi: “Kështu e do ky popull”. Kur lirohet: “Kështu e do ky popull, se nuk dëgjoi atë të parin”. Kur kombëtarja rrihet në fushën e saj, Shqiptari i Ri në emër të patriotizmit e shan ekipin e tij se nuk ishte në gjendje të na fuste në “Evropian”. Por kur Kombëtarja e kaloi pragun, tendenca bëhet më negative: “E për çfarë na duhet evropiani, ne s’kemi bukë të hamë”.

U përmbyt gjysma e Shqipërisë. Hall i madh vërtet. Të shohësh fakirët, të gjithë qahen te opozita se qeveria nuk po i ndihmon. Para ca vitesh gjysma tjetër e Shqipërisë u përmbyt, mbahet mend. Se në çdo kohë Shqipëria është përmbytur, edhe në kohën e Enver Hoxhës nuk ka shpëtuar nga qameti. E çfarë ndodhi...? E njëjta gjë, Shqiptari i Ri qahej te opozita, - e cila që tani është në pushtet, - se nuk po i ndihmonte qeveria.

Shqiptari i Ri ankohet se populli nuk ka grintën për t’u ngritur në revoltë e për të kërkuar të drejtat e tij. Por kur e fton të demostrojë përballë kryeministrisë bën sikur nuk të dëgjon dhe mbush makinën me karburantin e shtrenjtë që të shkojë për pak relaks andej nga bregdeti.

Shqiptari i Ri ka një problem të madh me shtetin. Kur ai është i dobët dhe ia lëshon frerët ankohet se “ky nuk është shtet”. E kur forcohet dhe i kërkon detyrimet, thotë se shteti po i merr shpirtin e po shkohet drejt diktaturës.

Si i bëhet hallit???

Se ajo që kuptoj më së shumti është fare e thjeshtë: Shqiptari i Ri është në një kundërshtim të  vazhdueshëm me vetveten.

Herë-herë i fus një mendje të lehtë. Kam përshtypjen se ky është një teatër i madh, grotesk e tragjik bashkë. Herë-herë acarohem sa s’bën kur lexoj nga njerëz anonim, që fshihen pas kompjuterit me pseudonime qesharake, të nxjerrin gjithë vrerin çdo ditë, për gjithçka ndodh në Shqipëri. Natyrisht, - “po të mos kesh punë do tundësh derën”,  - thotë populli. Dhe këtu, derën e tundin ca si shumë, pa punë a të punësuar në zyra komode e me rroga të mira, me 7-vjeçare apo me dy diploma universiteti, njerëz me dy pare mend në kokë dhe debila nga natyra bashkë me ta.

Comments

Submitted by shqiptari (not verified) on

Po ti ku e fut vehten , tek Alienet ?
C'fare propozon ti pas kesaj "analize kaq domethenese" qe te bejne Shqiptari i Ri ?

Te jete i kenaqur me pagen qesharake apo me keq me papunesine ? Te rrije i qete e te duartrokase kur i shkelen te drejtat elementare si qenie njerezore ? Te kenaqet nga batutuat e politikaneve ? Ta pranoje fatin e tij te hidhur , pa kurfare perspektive, duke qendruar stoik, pa iu dridhur qerpiku ? Te dale e te protestoje para kryeministrise nen udheheqjen tuaj apo ndoj tjetri si ju thjesht per kenaqesine e protestes, pasi as ti e askush tjeter nuk i jepni nje pergjigje pse ai nuk i fiton ato te drejta per te cilen proteston, pse vec e perdorni e askush nuk e merr seriozisht ate ?
Me tuaj zoteri i nderuar intelektual, cfare te drejte ke fituar ti me ane te protestes para kryeministrise?

"Kur forcohet shteti " shkruan ti, e i kerkon detyrimet,dmth shteti i forte sipas teje eshte ai qe te merr me cdo menyre detyrimet. Per mua e per shume te tjere si une , shteti iforte eshte ai qe nuk lejon njeri te me shkele te drejtat e aq me pak te mi mohoje vete, eshte shteti qe me ndihmor e me perkrah te eci perpara ne fushen ku kam vokacion, eshte shteti qe perkrah te dobetit perballe te forti e jo e kunderta.

Submitted by Lira (not verified) on

Ju lumte pena!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.