Shënim: “Përdorimi i brendshëm” i një materiali dhe diplomatët që dinë gjithçka

Postuar në 12 Shtator, 2015 20:38

Mënyra dhe formati i përgënjeshtrimit që ambasadori i Prezencës së OSBE në Tiranë, Raunig, më parë ambasadori austriak po në Tiranë, i bëri përmbajtjes së “një materiali informues të brendshëm”, është shumë domethënëse për atë se çfarë mendojnë e dinë realisht diplomatët e huaj për vendin e shqiponjave dhe politikanët e tij. Raunig tha pak e shumë se kemi mbledhur çfarë kemi dëgjuar të thonë lart e poshtë, dhe kjo nuk përbën ndonjë qëndrim zyrtar; e as të dhënat e përfshira për Ramën, Metën, Berishën, deputetët, biznesmenët etj, nuk janë të tilla, pra zyrtare e të konfirmuara.

Në realitet janë ata, diplomatët e huaj në Tiranë, aq më shumë ata jetëgjatët që kanë vite këtu, të cilët e dinë më mirë se kushdo se çfarë ndodh, si dhe cilët i shkaktojnë ato që ndodhin në Shqipëri. Kjo është e thjeshtë: Sepse janë në pozicion të atillë që t’i dinë, madje më mirë se shumica edhe e atyre shqiptarëve me peshë që kujtojnë se dinë shumëçka. Nuk konfirmojnë, heshtin, bëjnë kompromise apo nuk e shohin me leverdi të shkaktojnë stuhira politike, kjo është tjetër gjë; por raporti “jo-raport” faktikisht është pasqyrë se si e shohin ata Shqipërinë dhe “pezzo grosso-t” e saj. Dhe nuk ngurrojnë të tallen me politikanët, deputetët, zyrtarët  e lartë, ministrat etj, siç mund ta konfirmojë më mirë se gjithçka, letra e pezmatuar e kryeministrit “oksidental” drejtuar ministrave socialistë turkoshakë.

Pra, “për përdorim të brendshëm” ose për gallatë të brendshme, duhet të jemi të qartë me veten se raporti në fjalë është vërtet ajo çka dinë dhe mendojnë diplomatët e huaj në Tiranë. Dhe ata dinë gjithçka për të gjithë, ndërsa ne vendalinjtë dimë gjëra të pjesshme për ndonjërin, sidomos për palën politike që urrejmë. Ndërsa ato që thuhen për “tanët”, janë thashetheme të poshtra.

 

a.j   

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.