Sikur urinimi të ishte problemi!

Postuar në 10 Shtator, 2015 01:59

Ja një ngjarje domethënëse nga Kanadaja. Domethënëse sepse na jep të kuptojmë sesi shpesh protagonistët e shoëbiz-it politik në Shqipëri e “imitojnë” civilizimin, duke i mohuar atij pjesën thelbësore: përgjegjësinë. Ngjarja është “banale”. Në vitin 2012, Jerry Bance, prej vitesh teknik, thirret në një shtëpi për të rregulluar një lavaman. Pa e ditur që po filmohej nga një kamera e fshehtë, ai merr një filxhan, urinon në të dhe pastaj e derdh në lavaman. Nga ky rast, Bance u bë lajm sepse ai ishte një kandidat i konservatorëve për zgjedhje. Stephen Harper, drejtues i konservatorëve tha se “ne kemi standardet më të larta për kandidatët. Bance nuk është më kandidat...”. Ai u përjashtua bashkë me një kandidat tjetër. Po çfarë tha vetë tekniku vaditës? “Më vjen keq për veprimet e mia atë ditë. Por kjo nuk vë në diskutim se kush jam si njeri, por edhe si profesionist”. Kjo e fundit ha debat. Kundërshtarët politikë nisën ironinë dhe rromuzet. Pasi ngjarja ka brenda edhe aspektin komik(http://www.cbc.ca/news/politics/jerry-bance-marketplace-1.3217797).
Vijmë në Shqipëri për të kuptuar sesi përmbyset realiteti. Urinimi në publik, shpallet vepër e ndëshkueshme dhe madje serioziteti për ta ndaluar atë po kthehet thuajse në qëllim. Megjithë anët e mira, ky teprim vjen e bëhet komik në vetvete, pasi në mos Kanadanë, na kujton atë filmin, ku megjithë varfërinë dhe mjerimin që pasqyrohej, dënoheshe për rrahjen e kalit. Plus që duket sikur po punohet mirë dhe me efikasitet vetëm në një drejtim: në ndalimin e urinimit publik. Vepër e turpshme, e pahijshme, që ndot qytetin, por a e përligj vallë këtë shfaqje mediatike? Këtë angazhim institucional? Meqë kjo po ndodh në Tiranë, kryetari i Bashkisë le të na thotë: “Vallë e kishe këtë premtim në fushatë?”

Përkundrejt kësaj inercie maskiliste për të konservuar nëpër Tiranë, një arkipelag “landfillesh” me sjellje dikur ekskluzive për atë që quhej “Gropa e Hajdin Sejdisë”, kemi gropën e madhe të krimit dhe të politikës, që po urinon dinjitetin dhe sigurinë e një populli të tërë. E të cilën e përcjellim buzagaz, “me qetësi e dashuri”, me deklarata shokësh që janë si letra higjenike, por me të cilën as mund të fshihesh më. Kemi deputetë dhe të zgjedhur që po të flasim hapur, mundet fare lehtë të përzgjidhen pikërisht pse urinojnë aty ku duan. Përderisa vrasin e trafikojnë edhe mandate deputetësh. Shembulli kanadez vlen për të kujtuar diçka: kujdesi për “qiqrat në hell”, siç është ndotja nga disa qytetarë në një qytet në kaos total si Tirana, ku dihen ata që urinojnë, por jo se çfarë do të ndodhë me Liqenin, ndërtimet, koncesionin e parkimeve, është demagogji dhe djallëzi. Aq më keq kur këto “aksione” me goditje të përqendruar kërkojnë olenë e popullit që sheh sesi koburet e politikës qëllojnë mu në mes të sheshit. Punët kanë radhën e tyre, sikurse edhe sukseset që trumbetohen. Para disa javësh në Zvicër u miratua një ligj që e cilëson ndotje akustike këmborën e lopëve në një orar të caktuar. Por po flasim për Zvicrën, ku siç thonë edhe “ajri të duket HD”. Tani, vërtet dikujt nga vitet ’30 i vegoi se Shqipëria do të bëhej si Zvicra e Ballkanit, por me ngadalë more vëllezër: se ndoshta ka bërë shaka.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.