Flitet për konfliktin ruso-ukrainas, por flitet pak për gazin rus

Në ‘Zululandin’ e sotëm dua të zhvendosem nga Shqipëria. Për të shkuar – ku tjetër? – në Ukrainë. Bota e ka përqëndruar vëmendjen tek natyra militare e ngjarjes, dmth tek ushtarët rusë që kanë zbarkuar në Krime, tek bisedat në telefon mes Obamës e Putinit, tek ndonjë përthyerje dramatike që mund të ketë vendosmëria e Putinit për t’mos u tërhequr, etj. Por ka autorë e shkrime që i shkojnë më thellë këtij problemi. Më saktë, zgjidhjes së problemit.
Duket sikur gjërat do të zgjidhen me ushtri, dhe në fund nuk është çudi që edhe ushtritë të përfshihen në këtë mes, por është anashkaluar një mjet tjetër presioni që është në dorë të rusëve për ta bërë Ukrainën ose të kthejë kryet nga Moska, ose të vuajë (Janukoviçi po krijonte një distancë me BE-në ; nuk ka kaluar shumë kohë nga momenti që ai i dha fund Marrëveshjes së Tregëtisë së Lirë mes BE-së e Ukrainës; ai po afrohej qartazi me Rusinë; ndërsa qeveria e tanishme ad interim po bën të kundërtën).
Është fjala për gazin natyror. Ukraina, përsa i takon gazit, është në dorë të Rusisë. Dhe Ukraina bie në gjunjë, mbaron, fiket, nëse i ndërpritet furnizmi me gaz nga Gazpromi (Gazpromi është një nga kompanitë më të mëdha të botës në fushën e gazit, dhe është një kompani ku paketën kontrolluese të aksioneve e ka qeveria, dmth Putini vetë). Ukraina pra që ka një nevojë dramatike për gazin rus (është e tërë industria kimike e mekanike që punon me këtë gaz). Dhe rusët, për të luajtur sa më shumë e më fort me këtë varësi të Ukrainës për gazin e saj, kanë bërë që marrëveshja mes Moskës e Kievit mbi gazin të rishihet e të nënshkruhet çdo tre muaj. Ja, dje do duhej që Gazprom-i e Naftogaz-i (kompania shtetërore e gazit dhe e naftës në Ukrainë) ta rinegocjonin këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje për Marrëveshje tremujore është bërë me synimin që çmimi i shitjes së gazit të ndryshojë sipas klimës politike. Kur ukrainasit sillen mirë, rusët ua ulin çmimin; në të kundërt, ua ngrejnë. Mirëpo në ditët e sotme, ukrainasit nuk kanë fuqi të paguajnë. Ata kanë borxhe të shumta, e mbi të gjitha i kanë Gazprom-it nja katër miliardë dollarë pa paguar.
Duhet të shtojmë këtu dhe një fakt tjetër. Në vitin 2006 e 2009, kur rusët donin të hakmerreshin me ukrainasit, në lojë u futën dhe europianët. Gazi rus që merrte një pjesë e Europës kalonte në territorin ukrainas, dhe qysh nga ai moment, gazi rus me destinacion Europën ka gjetur itinerare të tjera; në njërin sosh tranzit është Bjellorusia, në një tjetër gjithçka bëhet me ndihmën e tubacioneve ‘Nord Stream’ që kalojnë poshtë Detit Baltik e përfundojnë në Gjermani, dhe në një itinerar të tretë jo-ukrainas gazi rus kalon poshtë Detit të Zi, pastaj në Turqi, e më tej në Europë. Rusët po bëjnë çmos ta minimizojnë akoma më shumë rolin e Ukrainës në infrastrukturën e shpërndarjes së gazit të vet. Kuptohet, për aq kohë sa ukrainasit do t’i kenë sytë nga perëndimi. Nëse Kievi i kthen sytë nga Moska, gjithçka rregullohet. Edhe ushtarët rusë nuk do kenë arsye të rrinë asnjë sekondë më shumë në Krime.
Dita
Add new comment