Europa është një, por kufijtë brenda saj janë “sezonalë”

Dje, në versionin online të së përditshmes britanike ‘The Independent’, të tërhiqte vëmendjen një përpjekje për të ndjekur hartën e Europës në rrjedhën e kohës me ndihmën e teknikës ‘time-lapse’ (është një teknikë fotografike e transmetimit të një sekuence të fundme fotosh, gjë që të jep idenë e një filmi të ngadaltë). Është fjala për hartën e Europës gjatë 1000 viteve të fundit, dhe lexuesi ka mundësi të ndjekë nëpërmjet kësaj videoje ‘time-lapse’ zhvendosjen e kufijve të shteteve të Europës kohë pas kohe e ngjarje pas ngjarjeje (kush ka kërshëri duhet të shkojë në linkun http://www.independent.co.uk/news/world/europe/crimea-just-a-blip-time-lapse-map-video-shows-1000-years-of-europes-history-in-three-minutes-9201414.html), dmth rënien e perandorisë së shenjtë romake, krijimin e rënien e Perandorisë osmane, krijimin, zhdukjen e pastaj rikrijimin e shteteve të ndryshme, krijimin e shteteve kryesore të Europës, Francës, Spanjës, Britanisë, e më tej të Gjermanisë e Italisë, e kështu me radhë. Është dhe Shqipëria në këtë hartë të lëvizshme që tkurret, bymehet, copëtohet, hyn e del nga një perandori në tjetrën.
Kjo video është një si parodi e kufijve të shteteve në Europë. Kjo e fundit shpesh herë shihet si një njësi e unitetshme, e ngritur mbi qytetërimin helenik, romak e të krishterë, por kjo hartë një mijë vjeçare kufijsh që shfaqen, zduken, zhvendosen, etj, e transmetuar në ‘time-lapse’, rreket të të mbushë mendjen për të kundërtën, rreket pra të të mbushë mendjen se në këtë kontinentin tonë, sidomos në këtë kontinentin tonë, asgjë nuk është e dhënë njëherë e përgjithmonë.
Është e vërtetë? Edhe po, edhe jo. Përsa i takon përkufizimit identitar të këtij kontinenti, megjithë sfumaturat e mundshme, mund të flitet për një njësi të unitetshme (edhe mbi këtë bazë ka lindur projekti mbi Europën e Bashkuar), por përsa u takon kufijve, ky kontinent është ende në një gjendje vibrimi. Vetëm pak ditë më parë patëm një ndryshim kufiri. Shtetit ukrainas ia shkulën prej trupit siujdhesën e Krimesë (në këtë diskutim po përfshij Ukrainën në Europë; dhe ukrainasit vetë nuk është se janë kundër në këto rrethana).
Ky rast i freskët është një aksident pa ndonjë domethënie kushedi se çfarë? Nuk duket se është kështu. Europa mbetet dhe sot e kësaj dite një kartë, mbi të cilën dora tekanjoze e historisë vijon të zhgarravisë kufij. Në shtator të këtij viti, skocezët kanë planifikuar një referendum, në të cilin do duhet të vendosin, nëse do të dalin, apo jo, si shtet i pavarur. Belgët, sa herë që ndodhen në vështirësi, s’e kanë për gjë ta çojnë mendjen tek ideja për ta fshirë nga harta e Europës shtetin e tyre; dhe ngjan se mund ta bëjnë pa ndonjë dhembje këtë operacion. Në Spanjë, në Itali, etj, ka tendenca të njohura separatiste. Dhe në fund, në Ballkan, askush nuk beson se loja e kufijve është e mbyllur njëherë e mirë. Përkundrazi, ka shumë vetë që janë me idenë se kjo lojë është më e hapur se kurrë, dhe ngjarja e Krimesë e ushqen dhe e mban ndezur këtë ide.
Po shqiptarët nuk është se kanë ndonjë gjë për të humbur në këtë mes. Përkundrazi.
Dita
Comments
evropa eshte e shteteve
<p>evropa eshte e shteteve kombe. kjo ju brengos pak ju internacionalistave,globalisteve, e multi-kultisteve kur shikoni qe zhvillimet ne evrope nuk po shkojne ne rrugen e humbjes se identitetit kombetar ne favor te atij kontinental. te gjithe shtetet evropiane jo-kombetare jane ne rrezik shperberje. gjithe ajo lufte ndaj nacionalizmit u doli bllof.dyshoj se ''integrimi'' juaj i zellshem behet vetem per te penguar bashkimin e ''krimese'' shqiptare me shqiperine. pra nje esatpashizem i mbuluar me salce brukseli</p>
Add new comment