Nuk ka drejtësi pa hetuar Karafilin e 21 janarit

Sali Berisha është paraqitur sot në SPAK për ngjarjen e 21 janarit në cilësinë e personit në dijeni. Për parantezë duhet thënë se hetimet janë detyruar gjithësesi deri diku nga një vendim i Gjykatës së Strasburgut që cilësoi pas një padie të familjes “Nika” se shteti kishte penguar hetimet. Dhe zvarritur ato.
Mjafton ky cilësim profesional që ta zhvlerësojë të gjithë qëndrimin e z. Berisha, por edhe të gjithë karafilat e Edi Ramës në boulevard. Sepse hetimet mund të bëheshin.
Dhe një provë për këtë e ka dhënë vetë z. Berisha sot. I pyetur nga gazetarët pas seancës së pyetjeve në SPAK, Berisha tha se nuk kishte dhënë urdhër për të qëlluar, se Garda vepron me ligjin e vet dhe rregulloret në fuqi dhe se goditja me armë bëhet sipas një rregulli të qartë.
Pra z. Berisha nuk ka dhënë urdhër. Por në mbrëmjen e 21 janarit 2011 ai kishte një bilanc faktik të provuar me 4 viktima. Pse nuk nisi menjëherë hetimet për ngjarjen? Pse refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e drejtuesve të Gardës të cilët vetë z. Berisha sot, I ngarkon me përgjegjësi ligjore dhe funksionale për atë që ndodhi atë ditë.
Është e qartë si drita e diellit se Sali Berisha sot është denatyruar edhe pë rata pak njerëz që e kanë besuar se kishte një farë kombi dhe fjale. Çfarë kuptimi kanë sot deklaratat e ditëve që pasuan 21 janarin, të bëra nga salla mbledhjeve të qeverisë e kudo se “kulla nuk merrej”, se “kulla nuk pushtohej”? Le ta gjejë përgjigjen ky plak i trembur sot nga çdo gjë.
Nga ana tjetër, hetimet për 21 janarin nuk mund të izolohen tek Sali Berisha. Sepse viktimat ishin pasojë e një interpretimi të protestës së asaj dite, e cila u paralajmërua si e dhunshme nga Edi Rama, u dëshmua e tillë dhe përfundoi me viktima.
Dhuna ndaj policisë dhe Gardës ka qenë prezente nga fillimi në fund, edhe pse viktimat nuk justifikohen me të. Dhe ajo ishte një dhunë e organizuar, e shpërndarë në vijën e parë, një dhunë me synime dhe në funksion të një politike që kishte të bënte me provokimin e një krize qeverisëse pas videos Meta-Prifti. Është deklarata e Edi Ramës në një intervistë në Top-Story ku ai shprehej se sistemi politik del jashtë loje, është deklarata e Skënder Gjinushit se shqiptarët duhet t’I japin Berishës një të shtyrë si tunizianët Ben Alisë.
Për kontekst duhet të kujtojmë se dhuna si instrument politik në atë ditë ishte pasojë e një procesi sugjestionimi politik tek opozita socialiste e cila pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2009 dhe dështimit me grevën e urisë në bulevard, mbeti pa opsione të besueshme për të ardhur në pushtet. Pranë z. Rama nisën përherë e më shumë të tubohen njerëz që sugjeronin dorën e fortë kundër Berishës, ndonëse në vitin 2008, z. Rama kishte shpërdoruar një shans me ngjarjen e Gërdecit kur në vend se të kërkonte largimin e Berishës, vendosi të ndryshonte Kushtetutën dhe nxirrte jashtë loje LSI-në.
Ndaj hetimi i 21 janarit nuk mund të realizohet objektivisht dhe brenda suazës së një objekti të ngushtë siç janë 4 viktimat, pas gjurmuar militarizimin e PS-së në atë kohë, e cila arriti të rekrutonte, organizonte dhe vinte në veprim detashmente të dhunës.
Viktimat e 21 janarit, në mënyrën sesi u ekzekutuan nuk shpjegohen dot si shkak pasojë e përleshjeve, por thjesht si lexim i një agjende të dhunës që e çoi kryeministrin e asaj kohe drejt vendimit parandalues me vrasje në bulevard. Të mos harrojmë se sjellja e ish-presidentit të Republikës Bamir Topi në atë kohë, që foli zyrtarisht “për ngjarje në bulevard”, kur 21 janari ishte në kuptim të rendit kushtetues dhe sigurisë një akt i pastër subversiv, është provë shtesë në kuptimin e vrasjeve si pasojë e frikës nga përsëritja.
Mund të tingëllojë cinike, por hetimi i 21 janarit vetëm përmes fatit të viktimave është një akt i pastër kriminal ndaj historisë që amniston gjysmën e përgjegjësve.

Add new comment