Blloku Bota
Parajsat fiskale/ Pakënaqësi në Zvicër për deklaratën e Biden
Një deklaratë e presidentit amerikan, Joe Biden, nuk është pritur mirë në Zvicër. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha pak ditë më parë se shumë kompani e përdorin Zvicrën dhe dy vende të tjera si parajsa fiskale. Por në Zvicër, Departamenti Federal i Financave e cilësoi një pretendim të tillë "të papërshtatshëm dhe plotësisht të vjetëruar".
"Shumë kompani shmangin taksat përmes parajsave tatimore në Zvicër, Bermuda dhe Ishujt Kajman", tha Biden të mërkurën gjatë fjalës së tij në Kongres, kur u bëri thirrje të pasurve dhe korporatave të paguajnë taksën që u takon.
Alarmi i WWF: Ekosistemi në rrezik, po zhduken insektet pjalmuese
Në 30 vitet e fundit kemi humbur mbi 70% të biomasës së insekteve fluturuese në Evropë. Në këtë grup hyjnë jo vetëm speciet më të rralla, por edhe specie të zakonshme, nga të cilat varet ekosistemi. Është fjala për insektet që bëjnë të mundur pllenimin. Për më tepër, 40% e bletëve të egra, fluturave dhe brumbujve rrezikojnë të zhduken globalisht.
PE i hap dritën jeshile fondit 7.9 miliardë euro për industrinë e mbrojtjes
Europarlamenti miratoi të enjten fondin e diskutueshëm prej 7.9 miliardë eurosh, që njihet si Fondi Evropian i Mbrojtjes (EDF), raporton Euractive. Ky fond i hap rrugë programit të parë të dedikuar të Bllokut për kërkime ushtarake që synon të forcojë bashkëpunimin ushtarak midis vendeve anëtare të BE.
Kina hedh hapin e parë për një stacion të vetin orbitues në hapësirë
Kina ka lëshuar modulin e parë të stacionit orbitues, një element ky i ambicieve të saj për një prani të përhershme njerëzore në hapësirë. Në këtë mënyrë, Kina ndjek gjurmët e SHBA, Rusisë dhe Evropës. Moduli 'Tianhe' siguron mjedis për jetën njerëzore dhe pajisje mbështetëse për astronautët. Ai u lëshua nga Wenchang, provinca Hainan, përmes raketës 'Long-March 5B', bëri të ditur televizioni shtetëror CCTV.
Lavrov: Marrëdhëniet SHBA-Rusi, më keq se në kohën e Luftës së Ftohtë
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, thotë se marrëdhëniet me SHBA-të në këtë moment janë edhe më të këqija sesa gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, për shkak të mungesës së respektit reciprok.
Lavrov thotë se Moska është e gatshme t’i normalizojë marrëdhëniet me Uashingtonin, por paralajmëroi që SHBA-të duhet të shmangin pozicionimin si "sovran" duke mbledhur aleatë kundër Rusisë dhe Kinës.
Ai paralajmëron se, nëse SHBA-të i shmangen një dialogu reciprok mbi bazën e një ekuilibri interesash, "ne do të jetonim në kushtet e një 'Luftë të Ftohtë' ose më keq".
OBSH: Varianti indian i Covid-19, i pranishëm në 17 vende
Një tjetër variant i virusit Covid-19 po përhapet me shpejtësi nëpër botë. OBSH bëri të ditur në buletinin javor për pandeminë se, i ashtuquajturi variant Indian është i pranishëm aktualisht në 17 vende të botës, përfshirë Italinë fqinje.
Raporti i HRW: Izraeli, aparteid mbi palestinezët
Aparteid dhe persekutim e cilëson organizata Human Right Watch mënyrën sesi IzraeIi po sillet me palestinezët. Raporti i publikuar sot konkludon se politika e qeverisë izraelite është "të ruajë dominimin e hebrenjve izraelitë mbi palestinezët" dhe "abuzimet serioze të kryera ndaj palestinezëve që jetojnë në territoret e pushtuara, përfshirë Jeruzalemin Lindor".
PE i heq imunitetin eurodeputetit grek të ekstremit të djathtë
Parlamenti Evropian i ka hequr imunitetin deputetit të dënuar të Agimit të Artë, Ioannis Lagos.
Votimi u mbajt të të hënën, por rezultatet u bënë të ditura sot. 658 eurodeputetë votuan pro heqjes së imunitetit, 25 kundër dhe 10 abstenuan, raporton "Ekathimerini".
Vendimi i PE i hap rrugë arrestimit të tij nga autoritetet belge dhe ekstradimit në Greqi për të vuajtur dënimin.
Kryediplomati i Iranit: Nuk kam asgjë në dorë, politikën e jashtme e bën Garda Revolucionare
Kryediplomati iranian, Mohammad Javad Zarif, është në një moment të sikletshëm pas publikimit të një bisede të tij me një gazetar, të cilit i thotë se Garda Revolucionare elite kishte më shumë ndikim në punët e jashtme dhe dosjen bërthamore të vendit sesa ai. Ky detaj nxjerr në pah natyrën e lidhjes që ka qeveria iraniane me Gardën Revolucionare.
Lukashenko: Për vrasjen time u dhanë 10 milionë dollarë
Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, pretendon se ndaj tij ka patur një plan vrasjeje dhe se për zbatimin e tij janë vënë 10 milionë dollarë. Madje sipas Lukashenkos, këto 10 milionë ishin paguar për sulmin ndaj rezidencës së tij, ndërkohë që 1 milionë dollarë u dhanë për një qitës snajper.
Kemi kohë që e dimë. Mendoni se e kryem këtë operacion në Moskë nga hiçi? Ne po i vëzhgonim. Pritej që ata të vinin në Minsk dhe të kryenin këtë operacion
