Blloku Bota
SHBA dhe Rusia ulen në bisedime në Gjenevë
Presidenti amerikan dhe ai rus do të ulen përballë njëri-tjetrit muajin e ardhshëm, takimi i parë i këtij niveli që prej zgjedhjes së Biden. Putin dhe homologu i tij amerikan do të takohen në Gjenevë, më 16 qershor, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Ish-këshilltari i Trump: Covid-19, një fabrikim për të zhvendosur vëmendjen nga zgjedhjet e 2020-s
Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, Michael Flynn, beson se pandemia e Covid-19 është një fabrikim për të zhvendosur vëmendjen nga zgjedhjet e vitit 2020. Në një intervistë të dhënë të premten, Flynn, një nga figurat e njohura të teorisë së konspiracionit QAnon, tha se virusi u krijua para 3 nëntorit "për të fituar kontrollin" e shoqërisë.
Iran, të moderuarit përjashtohen nga gara presidenciale
Zgjedhjet presidenciale në Iran duket se nuk do të sjellin surpriza. Këshilli i Gardianëve ka miratuar emrat që kalojnë në fazën e dytë, mes të cilëve nuk ka kandidatë të fortë nga radhët e të moderuarve. Janë shtatë kandidatët në garë për presidencën iraniane, raportojnë mediat. Zgjedhjet do të zhvillohen më 18 qershor.
Kush do të paguajë për të ardhmen pa karbon, debat në BE
Liderët e Bashkimit Evropian takohen të martën (25 maj) për të diskutuar mbi hapat drejt strategjisë për një të ardhme me karbon të ulët. Samiti do ta vërë theksin te riorganizimi i ardhshëm i politikave të BE për ndryshimin e klimës.
Komisioni ekzekutiv i BE do të publikojë propozimet mbi politikat klimatike në korrik, duke përfshirë reformat në tregun e karbonit dhe standarde më të ashpra të dioksidit të karbonit për makinat. Për miratimin e tyre duhet unanimiteti i 27 vendeve anëtare.
Tre kërkues në Vuhan u sëmurën në nëntor 2019. Raporti që rihap debatin për origjinën e CoVid-19
Mediat amerikane referojnë një raport të shërbimeve inteligjente të SHBA sipas të cilave hidhet dyshimi se CoVid-19 ka shpëtuar nga laboratori i Virologjisë në Vuhan të Kinës. Mediat sjellin në vëmendje faktin se në fillim të nëntorit 2019, tre kërkues në laboratorin në fjalë u sëmurën dhe kërkuan ndihmë mjekësore. Po kështu, i njëjti dokument i miratuar në ditët e fundit të administratës Trump, citon se simptomat e të prekurve përputhen me ato të të sëmurëve nga CoVid-19, por edhe të sëmundjeve sezonale.
Orban i hap derën Kinës
Tre vjet pas mbylljes së Universitetit të Evropës Qendrore, qeveria hungareze duket se po i lëshon terrenin e tij një universiteti kinez. Muajin e kaluar, Hungaria nënshkroi një marrëveshje strategjike me Universitetin Fundan, për hapjen e një kampusi në Budapest, në vitin 2024.
Qeveria e Viktor Orbanit thotë se hyrja e univeristetit kinez në vend, i pari në BE, do të rrisë standardet e arsimit në Hungari.
Hamas demonstron forcën në Gaza dhe shpall fitoren me Izraelin
Lëvizja palestineze Hamas ka celebruar atë që e quan fitore mbi Izraelin duke nxjerrë në rrugët e Gazës me qindra militantë. Në këtë shfaqje propagandistike ka dalë edhe lideri i lëvizjes, Yahya Sinwar që nuk ka mbajtur asnjë fjalim, por vetëm është përshëndetur me njerëzit e pranishëm.
Konflikti zgjati 11 ditë dhe ai përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe SHBA.
Erdogan: Bisedimet për Qipron rifillojnë vetëm me status shtetëror të Qipros Turke
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar ecurinë e negociatave për Qipron, teksa me rastin e përurimit të një tuneli ka bërë të ditur kushtet e Turqisë.
Nëse do të ketë bisedime të reja për Qipron, këto nuk do të jenë më mes dy komuniteteve, por mes dy shteteve
tha Erdogan gjatë një videokonference.
Vuçiç paralajmëron hapjen e "problemeve me Kosovën"
Presidenti i Serbisë, Alexander Vuçiç ka paralajmëruar se së shpejti vendi i tij do të përballet me presione që kanë të bëjnë me Kosovën.
Kam frikë se kjo do të përshpejtohet, nën presion. Mendoj se çdo gjë rreth Kosovës po shkon mirë, por kam frikë se këto ditë ata do të nisin me një sërë zgjidhjesh të mrekullueshme, por ne do të luftojmë
ka thënë Vuçicic në Priboj.
Serbia tërheq ambasadorin në Poloni
Serbia ka tërheq ambasadorin e saj në Poloni. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e qeverisë. Shkak për shkarkimin është bërë përfshirja e ambasadorit Nikola Zurovac në nënshkrimi i një letre mbështetëse për komunitetin gei në Poloni. Zurovac ka hedhur firmën së bashku me 40 ambasadorë të tjerë, pa u konsultuar fillimisht me Beogradin.
