Ambasadori në Vatikan, Ministria e Jashtme: Nuk nisim procedurat për emrin e ri, pa dalë dekreti i Presidentit

Postuar në 27 Shkurt, 2015 13:49

Ministria e Jashtme nuk do të nisë asnjë procedurë për përzgjedhjen e një emri për ambasador në Vatikan për aq kohë sa presidenti i Republikës, Bujar Nishani nuk do të shprehet me dekret kundër kandidaturës së Visar Zhitit. I pyetur nga ResPublica për këtë çështje, këshilltari për median i ministrit, Glevion Dervishi la të kuptohet se ministria është në pritje të hapave që do të hedhë presidenti Nishani lidhur me dekretimin ose jo të Zhitit. “Për aq kohë sa nuk ka një dekret të presidentit për ambasadorin e propozuar në Vatikan ministria nuk mund të nisë asnjë procedurë për përzgjedhje emrash.”-theksoi Dervishi, duke nënvizuar se nuk dihet ende sesi do të operojë Ministria e Jashtme në rast të një refuzimi me dekret të kandidaturës së zotit Zhiti. Për kandidatin për ambasador në Vatikan ka patur së fundmi diskutime dhe deri edhe kërkesa për kriteret: Sekretari i Konferencës Ipeshkvnore deklaroi që mirë është të shikohet mundësia e një kandidati katolik, sikurse edhe Presidenti ka nënvizuar rëndësinë e posaçme që ka emri që do të caktohet në Selinë e Shenjtë. Gjasat janë që ky sensibilitet, do të ruajë profilin politik të kandidatit të radhës si konfirmim i rëndësisë së postit. Në mjediset politike në Tiranë përfliten emra, por këto mbeten në kuadër të thashethemeve. “ResPublica” mësoi se një nga emrat është edhe deputetja e PD-së, Mesila Doda, të cilës i kërkoi një prononcim për këtë çështje. E kontaktuar, zonja Doda tha se nuk kishte asnjë dijeni rreth një fakti të tillë. Deputetja e Partisë Demokratike u shpreh se aktiviteti i saj politik është mjaft i ngjeshur dhe se aktualisht ajo është angazhuar me disa nisma të karakterit politik.

 

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.