Drejt luftës
Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis dhe ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, kanë marrë pjesë sot në paradën ushtarake me rastin e ditës kombëtare të vendit. Parada është mbajtur në Selanik dhe sipas gazetës “Kathimerini” aty janë prezantuar edhe sisteme të reja të mbrojtjes ajrore. Kryeministri Mitsotakis ka deklaruar se Greqia po zbaton programin më të gjerë të prokurimit të armëve në historinë e vet, ndërkohë që ministri Dendias ka shtuar se agjenda e riarmatimit 2030 “është esenciale për mbijetesën kombëtare”.
Këto qëndrime vijnë e marrin një kuptim tjetër në dritën e vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio në Athinë, në të cilën ai la të kuptohej se Athina zyrtare është partneri i besuar i SHBA në këtë rajon të Mesdheut.
Një aspekt shumë i palexueshëm gjeopolitik vjen nga çështjet detare, sidomos pas ratifikimit nga parlamenti libian i një marrëveshjeje detare me Turqinë, fuqi që kërkon rishikimin e kufinjve në Egje. Po kështu, zgjedhjet në Izrael janë një tjetër moment që duhet konsideruar, por ajo që është me rëndësi është militarizimi i vazhdueshëm i narrativës zyrtare dhe skenongrafisë politike.
Paradat e shtuara, përdorimi i shtuar i termit “luftë”, “konflikt”, “siguri”, jo vetëm në Greqi apo Egje, por kudo në Europë, janë një rrugë e shtruar për kalimin drejt luftës reale. Masat shtesë për mobilizim, riarmatim, fonde dhe rikonsiderimi i neutraliteti nga vende si Finlanda e madhe edhe Zvicra, flasin qartë se përgatitja për luftë është fakt politik.
Në rastin e Greqisë kjo përgatitje shkon vetëm kundër një shteti, Turqisë, edhe ajo anëtare e NATO-s që nuk arrin dot të ndërmjetësojë gjë në këtë drejtim. Një konflikt mes të dyve do të shënonte krizë besimi në mbarë aleancën që edhe sot nuk ka më një objektiv të qartë për ekzistencën e vet dhe nuk arrin të gjenerojë siguri si më parë. Le të vihet re se sa herë që pala greke flet për sigurinë kombëtare ajo nuk përmend thuajse fare NATO-n, pasi është e qartë se në konfliktin eventual me Turqinë, mungon edhe kuadri juridik për ta adresuar atë.
Problemi më i madh megjithatë është paradoksi i sigurisë dhe armatimit: sa më shumë një vend armatoset dhe ndjen se është në gjendje të përballojë apo zgjidhë sfidat e veta, aq më i vështirë bëhet pranimi i opsioneve të paqes. Në rastin konkret, pjesëmarrja e Greqisë në aleancën me Izraelin e ridimensionon angazhimin e saj ndaj Turqisë, si pjesë e një konflikti rajonal që nëse ndodh do të ishte katastrofë e një rrezeje të gjerë.
s.zaimi

Add new comment