Kompleksi i Serbisë që nuk shqitet nga "elita e Tiranës"
Pas vendimit të Hagës ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka dalë me një shkrim(e pritshme në fakt) edhe historiani Marenglen Kasmi. Me stilin dhe qasjen e një agjitatori të PPSH-së pas 1948-s, Kasmi përtej njohjes formale të akteve dhe përgjegjësive të mundshme penale të personave në fjalë, kalon në lëmin e tij preferuar: strategjia serbe që rifaktorizohet nga “loja e gjerë e Hagës”.
Sipas tij, për luftën e Kosovës ka një version serb që nuk modifikohet asnjëherë nga Beogradi dhe nisur nga realiteti i rrethanave që ndryshojnë, ai version mundet dikur të pranohet. Kasmi mendon se Serbia ka avantazh vazhdimësinë e narrativës, kurse ne jemi shumë pas në këtë drejtim. Ndaj ai bën thirrje që shqiptarët të zgjohen dhe ta kundërshtojnë propagandën me variantin shqiptar të luftës.
Kush do të kuptojë dhe të shohë, sidomos dikush që është historian, do të duhet të marrë në konsideratë jo vetëm faktet historike dhe objektive që janë të tilla jo vetëm si elementë të narrativës shqiptare, por edhe dialektikën e pavarësimit të Kosovës.
Së pari, lufta e Kosovës dhe narativa mbi të nuk mund të konkurohet nga narrativa serbe, pasi ajo ishte luftë ndërkombëtare. E dokumentuar si e tillë dhe e paraprirë së paku sa I takon NATO-s, Perëndimit dhe Rusisë, nga një process diplomatik dhe juridik i mirësqaruar. Nga viti 1998 e deri në 10 qershor 1999 kur u miratua Rezoluta 1244, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi katër rezoluta të tjera të injoruara ng apala jugosllave.
Së dyti, Lufta e Kosovës katalizoi jo vetëm pavarësinë e saj, por edhe fazën finale të shpërbërjes së Jugosllavisë, ndryshimin e regjimit jugosllav dhe fundin e luftërave të asaj federate.
Së treti, lufta pasoi luftën në Bosnje dhe Kroaci, Marrëveshjet e Dejtonit, ndarjen e kufinjve në Ballkan dhe vinte në dritën e njohjes së dokumentuar të politikës së Beogradit për spastrim etnik në emër të krijimit të hapësirës jetike serbe.
Së katërti, në raport me Rezolutën 1244, Kosova ka lëvizur në mënyrë të jashtëzakonshme nga statusi juridik i saj formal duke çuar në shpallje të njëanshme të pavarësisë. Mandej prej asaj rezolute, ende në fuqi, një pjesë e madhe e shteteve njohën Kosovën, duke e lënë Serbinë vetëm në përpjekjen e saj për të mbrojtur një dokument që rregullon ndryshe marrëdhëniet për ish-krahinën e saj.
Së pesti, ky tranzicion politiko-juridik drejt pavarësisë, nuk u mundësua nga pastërtia e supozuar e luftës së UÇK-së, por nga realiteti politik i Perëndimit që donte të legalizonte një entitet për të cilin nuk mund të kishte prapakthim.
Le të sjellim në vëmendje edhe disa momente të tjera: incidentet e UÇK-së me Beogradin nisën rreth vitit 1998 dhe fillimisht ato u ndërmjetësuan në funksion të të drejtave për arsim dhe të tjera nga komuniteti i Sant Egidios. Mirëpo me zgjerimin e incidenteve dhe daljen e Beogradit me akuzën e terrorizmit në Kosovë u krijua një realitet i ri politik përkundër status quosë së krijuar nga lëvizja pacifisite e Rugovës. Për të legjitimuar akuzën e vet, Sllobodan Millosheviç lejoi zhvillimin e zgjedhjeve në Republikën e vetëshpallur të Kosovës në të cilën Rugova ishte president. Rezultati i zgjedhjeve ishte rreth 90% pro Rugovës, shenjë kjo që i dha mundësi Millosheviçit të deklaronte se vota e shqiptarëve provonte akuzën e tij se UÇK ishte terroriste.
Mirëpo i njëjti Millosheviç pranoi të ulej në diskutime me UÇK-në në Rambuje, çka në fakt e zbehu pretendimin e tij. Mandej karta Rugova u luajt edhe në Perëndim: ai kërkonte nga Beogradi ndaljen e dhunës, ndërkohë që NATO po bombardonte, deklaratë të cilën e përsëriti edhe në takimin e tij më pas me Lamberto Dinin.
Kanë rëndësi të gjitha këto pasi përfaqësojnë kontekstin kompleks të një lufte që nuk ishte lineare siç po do ta prezantojnë sot një pjesë e shqiptarëve si puna e këtij Kasmit, linearitet që është në fakt edhe premisa nga buron i ashtuquajturi ankth i diskreditimit të saj nga serbët në të ardhmen. Lufta e vitit 1999 ishte diçka shumë më e madhe dhe e rëndësishme sesa aksionet e UÇK-së, edhe për historinë e shqiptarëve. Ajo ishte luftë e Perëndimit, Evropës për çlirimin e tyre nga një regjim opresiv, por edhe nga represioni historik i disa kufinjve jofunksionalë. Ky është një vendim që nuk kushtëzohej nga asnjë heroizëm dhe folklor, ishte një vendim i Europës për të ardhmen e saj.
Ndërkohë në Rezolutën 1244, që në hyrje të saj thuhet shprehimisht se:
Këshilli i Sigurimit të OKB-së… dënon të gjitha aktet e dhunës kundër popullsisë së Kosovës si dhe të gjitha aktet terroriste nga çdo palë
duke sanksionuar njohjen e ekzistencës së tyre pa cilësuar etninë si aspekt diskriminimi.
E njëjta Rezolutë vinte në dukje juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, mandatin e saj në Kosovë duke vijuar me rregullime të tjera. Ku konsiston atëherë aksidenti i padrejtësisë për të cilën flasin Kasmi me shokë? Në krijimin e gjykatës, apo në cilësinë e vendimit të saj? Si mundet që ende sot, në vitin 2026, forca e Serbisë të absolutizohet si më 1918-n? Nuk na ka mësuar asgjë historia? Dhe nëse ajo që thotë ky historian me prerje agjitatori manualesh xhepi, se krimet nëse janë kryer duhet gjykuar, si gjykohen ato? Apo duke miratuar rezoluta me dënime në parim? Kemi të bëjmë me një kompleks të "serbomëdhenjve" apo më tepër me një mënyrë të fundit të Tiranës akademike dhe politike për të ndikuar një Kosovë që s'po ja pjerdh më këshillat?

Add new comment