Liria ka emër, por qytetërimi ka ÇMIM

Sot në Hagë shpallet vendimi për katër të akuzuarit nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Por siç e dimë, pjesa më e madhe e shqiptarqve e ka ndarë mendjen: Hashim Thaçi dhe të tjerët janë çlirimtarë ndaj serbëve. Këta të fundit nuk mbeten pas; varrimi i Ratko Mlladiç është shndërruar në ceremoni kombëtare aq sa ka sjellë reagime ndërkombëtare.
Të gjithë kanë shpallur të drejtën e tyre dhe duket se krimet janë të tilla vetëm jashtë Ballkanit. Në Ballkan krim nuk quhet marrja e jetës ndaj një të pafajshmi, por vetëm agresioni i fqinjit ndaj të cilit ke çdo të drejtë veprimi.
Ka diçka primitive dhe miope nq të gjithë këtë teatër flamujsh dhe ulërimash. Ku spikasin po ato fytyra që janë në pararojën e çdo hajnie në këto anë. Logjika të dikton të ruash një distancë. Morali kërkon që gjërat të marrin shqyrtimin e drejtësisë në mënyrë që të kuptohet sadopak se edhe në Ballkan, edhe lufta është juridiksion i qytetërimit.
Çmimi gjyqësor i një krimi nuk është negociim mes pozitës politike, rolit historik dhe pasojës sociale. Krimi është krim i vlerësuar në rrethana konkrete, synime dhe pasoja mbi jetën. Asnjë krim nuk ka forcë negacioniste mbi Historinë: ata atje mund të jenë vërtet Çlirimtarët e Kosovës, por nëse Liria ka Emër siç bërtasin sazexhinjtë e zakonshëm, duhet kuptuar se ajo ka edhe një çmim. Dhe ky çmim është edhe hulumtimi i veprës së gjithësecilit në rrethana lufte.
Klithma e tufës së nacionalistëve të zakonshëm mes nesh reflekton kulturën e viktimës dhe viktimizimit të përjetshëm të shqiptarëve që duke u paraqitur si të tillë vetiu nënkuptojnë se nuk kanë qenë kurrë në pozitën për rë bërë krime. Pra as për t’u gjykuar për gjëra të tilla, pasi, vazhdon narrativa jonë, lufta jonë ka qenë mbrojtëse, pra fisnike dhe e papërlyer.
Ky definicion i takon librave dhe devizave ideologjike, jo realitetit. Sepse lufta kërkon të tjera mjete, vë në veprim realizmin e mbijetesës dhe nuk konsideron më protokollet e vetëkontrollit civil. Në Shqipëri elita komuniste lindi nga lufta guerrilje, njësoj si UÇK-ja, dhe erdhi në pushtet edhe me një seri krimesh të vetëpranuara. Askush nuk e gjykoi, as ajo veten dhe pasojën e dimë.
Patjetër që krime ka bërë edhe pala tjetër. Por asnjë krim nuk justifikon heshtjen mbi një tjetër, edhe pse në rastin e Kosovës, përgjegjësia dhe implikimi serb janë të ku e ku më të mëdha sesa aktet e marra për katër pjesëtarëtt e UÇK-së.
Debati nuk ka të bëjë fare me Prokurorinë. Debati ka të bëjë me ne, kulturën tonë, mënyrën sesi përpiqemi ta popullojmë historinë me heronj që na leverdisin. Ndaj edhe kemi mbetur pa histori, ndaj edhe mbetëm duke pyetur botën sesi u duket apo është historia jonë. Kjo që shohim është asgjë më shumë sesa sekuenca e radhës e një mendësie parapolitike dhe parahistorike për rendin moral dhe etik, duke mëtuar që të aderojmë në vijën e verdhë të botës me përrallat tona. Nuk ndodh. Fatura për të hyrë në Qytetin e Botës është të pranohet e vërteta në raport me rendin e tij. Jo se ne jemi më të këqinj se “ata”, por sepse integrimi kërkon paritet në shqyrtim.
Është historike që në fund të fundit, Kosova vjen në juridiksion ndërkombëtar pavarësisht rezultatit. Historike pasi deri më dje ka qenë në juridiksion të tjetër kujt. Dhe do ta pranojë atë do apo nuk do. Pas kësaj, beteja nis brenda nesh ku me siguri kopeja e të lënduarve do kërkojë monumentin e vet, duke mos parë se është momunenti unik i budallallëkut dhe tribalizmit.

Comments
Zoti Zaimi, jane te ralle
Zoti Zaimi, jane te ralle gazetaret dhe analistet si ju ne mediat e sotme te vendit tone.
Do te deshiroja qe kjo shoqeri nje dite do te clirohet nga te menduarit kolektivisht. Nje shoqeri qe kur zgjohet nga gjumi therret , armiku.... para se te shkoje ne gjume therre, armiku.....
Popull qe gjithmon luan viktimen dhe atdhedashurine nuk e tregon duke ndertuar shtetin por duke shpallur popuj armiq.
Add new comment