Një ndryshim në horizont

Postuar në 18 Qershor, 2026 13:10

 18 ditë protestë mjaftuan për të rrëzuar një maket të politikës që ka marrë vlerësime pozitive nga institucionet ndërkombëtare.

Sulmet dhe insinuatat për origjinën dhe motivet e protestës kanë rënë nga shumica dhe mazhoranca. Protesta është aktualisht lajmi i Shqipërisë në botë, aq sa për atë u ngrit një zë edhe në Parlamentin Europian.

Një anë tjetër e saj është edhe ngritja e zërit kundër korrupsionit ndaj një qeverie që merr vazhdimisht nota pozitive. Aktualisht mbarë bota sheh se në shesh janë njerëz që protestojnë kundër të vetmit sistem efektiv që funksionon në Shqipëri: atij të vjedhjes.

Ky fakt kërcënon direkt besueshmërinë e institucioneve europiane që vazhdojnë e presin dhe vlerësojnë qeveri që përpilojnë raporte, miratojnë ligje sa për të qenë korrektë dhe në terren veprojnë njësoj.

Duan nuk duan ta pranojnë ata që ishin akomoduar me sistemin e tanishëm ngjarjet që dëshmojmë sot përfaqësojnë një mesazh ndryshimi që herët apo vonë do të përfaqësohet. E vërteta është se të dyja partitë kryesore patën shanse të mëdha për të bërë realisht diçka për vendin, por ato bënë shumëçka për veten dhe kanë një konsensus që nuk negociohet: pasuria e vendit u takon njerëzve kryesorë të tyre.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.