Tri akuza për Belinda Ballukun. SPAK akuzon Igli Taren se u përdor për fshehjen e vilës së ish-zv.kryeministres
Sot SPAK ka thirrur Igri Taren, i cili ka deponuar aty për 6 orë. Më pas SPAK ka publikuar njoftimiin e mëposhtëm sipas të cilit thirrja e Tares është bërë në kuadër të hetimit të Belinda Ballukut.
Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet ndaj shtetases Belinda Balluku, e cila aktualisht është marrë e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim dhe pas kryerjes së veprimeve të mëtejshme hetimore dyshohet gjithashtu për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.
Në vijim të hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr.412, datë 3.6.2026, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasurinë e paluajtshme, në pronësinë indirekte të shtetases Belinda Balluku, që ndodhet në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë.
Sipas rezultateve të deritanishme të hetimit, ekzistojnë dyshime se pasuria e sekuestruar lidhet me përfitimin e parregullt, të kërkuar dhe marrë nga shtetasja Belinda Balluku, në këmbim të favorizimit të operatorit ekonomik, përmes një procedure prokurimi publik të zhvilluar nga Albcontrol sh.a. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e veprimeve juridike të dyshuara si fiktive, me qëllim fshehjen e origjinës dhe pronësisë reale të pasurisë.
Pasuria e vendosur nën “sekuestro preventive” përbëhet nga një “Vilë individuale dy katëshe tip Begonia me Nr.F6, parcela e rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 300 m2. Vila F6, brenda kësaj parcele, ka një sipërfaqe prej 103m2 (kati përdhe 54 m2 dhe kati i parë mbi përdhe 49 m2). Vila F6 ka edhe verandën 34m2. Vendparkimi ndodhet brenda sipërfaqes së parcelës. [Referuar kontratës së porosisë me nr.1059 rep, nr.650 kol, datë 05.12.2018]
Nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ndjekja e hetimeve me metoda speciale, grumbullimi i provave dixhitale dhe provave të tjera të administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, rezultojnë të dhëna për fakte penale të reja në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, shkronja “b” e Kodit Penal, në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, të Kodit Penal.
Nga aktet e administruara kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundërligjshme të shtetases Belinda Balluku në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt: “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me fond limit 88,651,633 (tetëdhjetë e tetë milion e gjashtëqind e pesëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tre) lekë, si dhe “Shtesë kontrate për ‘Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve’”, me vlerë 14,161,814 (katërmbëdhjetë milion e njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë) lekë pa TVSH.
Në lidhje me procedurën e sipërcituar, rezulton se shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor “Albcontrol” sh.a, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të “Albcontrol” sh.a, në bashkëpunim me shtetasin Evis Berberi, me detyrën e Shefit të Sektorit të Prokurimeve, si dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit S.P., E.N. dhe A.M., kanë kryer veprime të kundërligjshme në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe VKM nr. 1, datë 10.1.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” (i ndryshuar).
Këto veprime lidhen me fazën e përgatitjes së projektit dhe zhvillimit të procedurës, në përcaktimin e kritereve dhe miratimin e dokumenteve të tenderit, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit, operatorin ekonomik “Eurocol” sh.p.k. Favorizimi i shoqërisë fituese ka vazhduar edhe në momentin e lidhjes së kontratës, duke i ofruar parapagim të menjëhershëm në vlerën 50% të kontratës, si dhe gjatë zbatimit të kontratës dhe shtesës së saj.
Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë “Eurocol” sh.p.k.
Përfitimi i parregullt është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, ku rezulton se në atë kohë shoqëria “Eurocol” sh.p.k. kishte aplikuar dhe ishte pajisur me Lejen Zhvillimore Komplekse nr. 2385/1 prot., datë 27.3.2015, të miratuar me Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 7, datë 7.3.2014, “Për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për resortin turistik në fshatin Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë”.
Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B.
Kështu, rezulton se shtetasja Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë nr. 1059 rep., nr. 650 kol., datë 5.12.2018, të lidhur mes shtetasit I.T dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., shtetasit P.C. Veprimet e kundërligjshme në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar nga shtetasit Belinda Balluku, I.T dhe J.B, duke kryer veprimin tjetër fiktiv, atë të kontratës së qirasë (kontratë dore), datë 25.5.2022, dhe amendamentin e kësaj kontrate, datë 26.4.2024. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, si edhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse penale.

Comments
O KAPEDAN. PO AJO VILE
O KAPEDAN. PO AJO VILE KUSHTON ME SHUME SE FONDI LIMIT I TENDERIT. CA PASKA FITU EUROCOL NGA GJITHE KJO HISTORI? APO BJERI TI BIEM.
Mos u merzit a derman. Vetem
Mos u merzit a derman. Vetem ne hesapet e lekeve jane specialista socialistat. Ty ndoshta nuk te dolen hesapet se aq di, po keta dine me shume.
O koqe. Mos mu hiq si i
O koqe. Mos mu hiq si i mencem me ironi. Une ushqej kalamajt tu majt hesape. Po them qe ajo vile qe i paskan dhuruar ka nje cmim tregu nji milion euro,aq sa eshte fondi i tenderit per te cilen akuzohet. Do te duhej te mos ishte bere asnje lloj punimi, te mos ishte shpenzuar asnji lek per punime dhe fituesi i tenderit te mos fitonte asgje qe ti falte vilen Ballukut. Une kaq di. Ti qe di dicka me teper ndoshta na tregon ndonje aritmetike ndryshe. Na e trego.Duket se pret qe lexuesit tuaj te jene te gjithe budallenj.
Faleminderit per shansin qe
Faleminderit per shansin qe me dhe per te thene dicka me shume ... ne lidhje me aritmetiken kuptohet.
MESO NJE GJE (se ajo puna qe te jep buke me numrat ka te tjera ligje, por mbi to, eshte human nature)
1+1 jo gjithmone bejne 2. kete ngule ne balle te kafkes (siguroju qe te hyje brenda ne tru gozhda). keshille kjo e imja ...
Ti do qe te te dalin hesapet e korrupsionit?! Po normal mor daku qe nuk dalin numrat se paguhet jo me kalkulator ne dore, po me ndere, shkembim favoresh, shoqeri te vjetra ... ehu eshte e gjate lista.
Ti ose nuk jeton ne Shqiperi, ose duhet te hapesh pak ZOOM e kendveshtrimit. Sheh truri Daku, dhe truri fatkeqesisht nuk eshte vetem per te mbledhur numra. Ka sinapse te rendit me te larte qe vendosim perfundimisht nje veprim a sjellje. Qe shume here nuk ben sens aritmetik. Kur e kap dikush qe i ruan keto gjera, ben edhe me sens, ne sensin e kundert. Cfare te te them me shume se nuk kam nder mend te zbraz timen e mbush tenden, jo per gje po nuk na konvenjon.
Add new comment