1974-2026, rishpikja e të djathtës greke

Postuar në 21 Maj, 2026 20:34

Në një opinion të publikuar në gazetën greke “Kathimerini”, këshilltari I qeverisë spanjolle, Kostis Kornetis, një profesor në Madrid, merret me transformimin e të djathtës greke gjatë periudhës së Metapolitefsi-t, duke evidentuar disa linjëzime me interes të përgjithshëm. Periudha në fjalë përfaqëson restaurimin e demokracisë pas Diktaturës së Kolonelëve dhe si refleks i saj shpjegohet dominimi i skenës politike greke nga qendra e majtë, shprehur kyesisht te PASOK.

Ajo ofroi gjuhë, gjeste dhe idealizëm në shoqërinë e kohës

shkruan Kornetis.

Demokracia e Re? Ku qëndronte kjo forcë që u gjet në qoshen e mobilizimit masiv grek? Në një lloj anatgonizmi “kulturor”, partia e djathtë sipas tij provoi të ishte mjeti më rezistent institucional. E cila i mbijetoi krizës së madhe financiare dhe u rikthye në pushtet. Ku qëndron edhe sot.

Si mund të ndodhte riciklimi i të djathtës në një shoqëri si ajo greke në vitin 1974? Kornetis e vendos shkurtimisht këtë proces si meritë kryesisht të liderit të saj, Konstantinos Karamnlis që duke marrë një të djathtë me narrativë të delegjitimuar nga një juntë “e nacionalizmit të vjetër dhe antikomunizmit fanatik”, kaloi me shpejësi në një tjetër. Më të moderuar. Jo me fjalë, port ë ndërtuar me akte. Kornetis thotë se pranimi i referendumit të 1974-s me abrogimin e monarkisë, legalizmin e Partisë Komuniste dhe miratimin e Kushtetutës së 1975-s me hyrjen në TPE, ishin bazat e të djathtë së re. Europiane. Sigurisht që shkëputja nuk mund të ishte mekanike.

Demokracia e Re vijoi të ishte e lidhur me mekanizmat, mentalitetet dhe rrjetin e të djathtës së pas luftës civile. De-juntaizimi ishte i kufizuar, ndërkohë që dyshimi drejt të majtës mbeti për dekada. Por gjuha publike ndryshoi. E djathta mësoi të fliste një gjuhë stabiliteti, europiane dhe vijueshmërisë institucionale

vëren Kornetis.

Loja ndryshoi me ardhjen në krye të DR-së të Mitsotakis më 1984 që ndërmori reforma struktutore në parti, adoptoi gjuhë centrise dhe u ndihmua më 1989 nga skandalet e PASOK-ut që relativizuan kujtimet e Juntës.

Që nga ajo kohë e më pas, e djathta greke e normalizoi veten në një ligjërim tradicional për të djathtat europiane, duke e përditësuar atë në relacion me zhvillimet e kohës. E megjithatë edhe sot, kjo parti, baza e saj i ngjan një lloj sinkretizmi që vendos në bashkëjetesë historinë me kohën e sotme dhe prirjet e saj. Siç vëren autori:

Nga 1974 e deri më 206, Demokracia e Re ka ndryshuar radikalisht dhe ka provuar të jetë një parti e pushtetit me një aftësi të veçantë për të përthithur kontradiktat. Antikomunizmi është zevendësuar me gjuhën e “stabilitetit” dhe “normalitetit”. Paternalizmi i vjetër është shndërruar në menaxhimin teknokratik. Nacionalizmi tradicional i ka hapur rrugë një përzierjeje të europianizmit, liberalizmit ekonomik dhe kontrollit të fortë nga shteti…Kapaciteti për ndryshim është ajo që e karaterizon DR-në që nga 1974

Parashtrimi është një mënyrë për të vëzhguar evolucionin e një subjekti jo si qëllim në vetvete, por si mjet mbijetese. Përndryshe nuk do të quhet evolucion, por subversion. Çështja është se ndryshimet dhe shndërrimet si taktikë dhe nevojë kërkojnë njerëz të rinj, mënyrë të mendimi më strategjike dhe delegim pushteti, në mënyrë që shoqëria të shohë një alternativë që nuk është fortifikuar në sinorë të vjetër. Evolucioni kështu nga mjet, kthehet në agjent ndryshimesh strukturore duke mos e vënë detyrimisht në pikëpyetje trashëgiminë.

Në Shqipëri këtë proces e ka ndjekur deri diku Partia Socialiste e cila arriti të ndërtojë një narrativë europiane, të largojë nga vëmendja e përgjithshme, asocimin e saj me regjimin e Enver Hoxhës dhe madje të prezantohet prej gati dy dekadash si forcëm më modernizuese dhe e emancipuar sesa PD-ja.

Kjo ka arsye të shumta, por në dritën e zhvillimeve ku kemi qenë dëshmitarë, faktorizimi i PS-së nuk varet vetëm nga makiazhi i saj. Që edhe si i tillë, prodhoi ndryshime. Ai është kushtëzuar nga gabimet e lidershipit të Partisë Demokratike, që së fundmi ka humbur edhe garën brenda vetes duke nisur të flasë për diversione, armiq e të shitur. Për ta vënë në kontekst: Demokracia e Re apo edhe PS-ja te ne, janë subjekte që kanë mbijetuar duke ndryshuar. Në PD-në shqiptare ka mbijetur vetëm një njeri. I cili e ka ngarkuar atë forcë me ndëshkimin e pamundësinë eventuale të mbijetsës së saj nesër.

Të urojmë se kjo nuk do të ndodhë edhe sepse analogjitë përherë çalojnë. Por në sistemin ku jetojmë ndryshimi është taksativ dhe ai vjen vetëm përmes garës. Hapjes. Përshtatjes dhe modernizimit. Sigurisht që kriza e sotme është krizë e shoqërisë, jo vetëm e PD-së, por me përkufizim e dimë se në kushtet kur pushteti ka ezauruar edhe imagjinatën e vet, i takon forcave në opozitë të propozojnë dhe të drejtojnë besimin e njerëzve. Dhe kur njerëzit nuk të besojnë, nuk mund të flasësh për konspiracion vetëm. Ka diçka tjetër që shpjegon dështimin e vazhdueshëm dhe tkurrjen, përveç akuzave që jemi mësuar t’I dëgjojmë.

Aq sa nuk është e pavërtetë të thuhet se edhe sikur të pranojmë se Edi Rama i vjedh zgjdhjet, sërish Berisha nuk i ka fituar ato asnjëherë.

skerdilajd zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.