Ushqimi si mburojë strategjike, Suedia përgatitet për kriza dhe konflikt

Postuar në 02 Shkurt, 2026 19:56

Suedia po rikthen rezervat shtetërore ushqimore, në atë që autoritetet e cilësojnë si një nga investimet më të mëdha strategjike që nga vitet 1950, mes rritjes së tensioneve gjeopolitike dhe pasojave të ndryshimeve klimatike.

Është një nga investimet më të mëdha që kemi bërë që nga viti 1950,” thotë Saranda Daka, e cila drejton projektin e krijimit të rezervave në Bordin Suedez të Bujqësisë. Ajo thekson se vendimi shënon një kthesë të fortë nga politikat e pas Luftës së Ftohtë, kur Suedia çmontoi sistemin e rezervave ushqimore. “U krijua ideja se nuk do të kishte më kurrë luftë në Europë. Tani po rindërtojmë sërish,” shton ajo.

Shtysa vendimtare erdhi pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 dhe anëtarësimit të Suedisë në NATO në pranverën e vitit 2024. Suedia planifikon të grumbullojë drithëra, fara dhe plehra kimike, në bashkëpunim me sektorin privat, për të siguruar furnizim të qëndrueshëm ushqimor në rast krize.

Rezervat po vendosen fillimisht në veri të vendit, një zonë e konsideruar strategjike në rast konflikti mes NATO-s dhe Rusisë. “Në një luftë mes Rusisë dhe Perëndimit, Finlanda dhe vendet baltike do të ishin fushëbeteja kryesore,” thotë Daka.

Sipas saj, ky program është një garanci për qytetarët suedezë, por edhe “një mesazh për Rusinë”. “Duhet të tregosh që ke muskuj, që po bën diçka, për të rritur pragun e një sulmi të mundshëm,” shprehet ajo.

Suedia është pjesë e një trendi më të gjerë global, ku shtetet po rrisin rezervat ushqimore për shkak të pasigurisë klimatike dhe tensioneve gjeopolitike. Megjithatë, ekonomistët paralajmërojnë se grumbullimi masiv i rezervave dhe kufizimi i tregtisë mund të çojnë në rritje çmimesh dhe paqëndrueshmëri në tregjet ndërkombëtare të ushqimit.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.