Flamuri i “One Piece”, simboli i një epoke të re të lëvizjeve kundër korrupsionit

Postuar në 17 Tetor, 2025 20:14

Mes protestave të fundit të Gjeneratës Z që shpërthyen në të gjithë Azinë Jugore dhe Juglindore, është shfaqur një simbol unifikues: një flamur i zi me një kafkë dhe kocka të kryqëzuara, me një kapelë kashte. Flamuri i përket ekuipazhit pirat të Luffy-t nga anime "One Piece", të cilët luftojnë kundër sundimtarëve tiranë.

Flamuri "One Piece" është bërë simbol i lëvizjeve të vazhdueshme kundër korrupsionit që filluan në gusht dhe shtator në Nepal, Indonezi dhe Filipine. Megjithatë, flamuri nuk është vetëm përfaqësues i revolucionit - është tregues i një vale në rritje të të rinjve që po mobilizohen globalisht në tentativë për ta marrë demokracinë në dorë. 

Asistent profesori i Universitetit të Misurit, Dr. Matt Frierdich, shpjegon se simbole si flamuri "One Piece" mund t’i ndihmojë njerëzit të hidhen në veprim.

"Teksa sheh kafkën dhe kockat e kryqëzuara, duke ditur referencat dhe duke njohur kontekstin në të cilin po përdoret ky simbol… Mendoj se të rinjtë ndihen komodë kur meme-izojnë gjëra të tilla," thotë Frierdich.

Disa nga lëvizjet janë iniciuar nga dëshira për të rishikuar dhe korrigjuar institucionet qeveritare të themeluara prej kohësh, të cilat po rezultojnë të paefektshme. 

"Nuk ia kanë dalë të përshtaten me gjërat që ndryshojnë... Këto sisteme politike nuk janë përshtatur me mjedise të reja si ekonomia," thotë Frierdich. "Ndërkohë, shumë prej tyre kanë të bëjnë me korrupsionin, të tjera me papunësinë. Të tjera lidhen me dilemën 'Si do të jetë e ardhmja ime?'"

Në Filipine, protestuesit e Gjeneratës Z janë trashëgimtarë të një beteje kundër qeverisë që zgjat prej dekadash. Protestat e fundit u nxitën nga një skandal për përvetësimin e fondeve për infrastrukturën kundër përmbytjeve.

Junior Zoe Pacubas, bashkëkryetare e dizajnit grafik në Shoqatën e Studentëve Filipinas Mizzou, thotë se Gjenerata Z në Filipine po i përdor mediat sociale për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të protestuar kundër korrupsionit qeveritar.

“Gjenerata Z po i përdor mediat sociale për të përhapur dritë mbi të vërtetën, ndryshe nga brezi i vjetër që sillet në to si viktimë e korrupsionit të së kaluarës dhe është aq i mësuar me të saqë thjesht e pranon, në vend që të bëjë diçka për ta ndryshuar”, shprehet Pacubas.

Kayleigh Morrow, presidente e FSA-së, thekson se mediat sociale luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ndërgjegjësimit dhe mobilizimit politik.

“Mendoj se thjesht u lejon njerëzve të bëhen politikisht aktivë në një moshë më të re krahasuar me mundësitë që jepeshin më parë”, tha Morroë. “Nuk bëheshe vërtet politikisht aktiv derisa të rriteshe dhe lajmet do të kishin rëndësi për ty. Por tani që fëmijët kanë mediat sociale, i kanë ato në majë të gishtave”.

Megjithatë, mobilizimi i shtuar mund të çojë edhe në rritjen e rrezikut të dhunës. Protestat e fundit janë pasuar nga arrestime të panumërta dhe dhjetëra lëndime e viktima në të gjithë botën.

“Revolucioni nuk është gjithmonë i bukur. Mund të prodhojë gjëra jo fort të mira për t’i jetuar.” Frierdich tha. “Pra, nuk është në të vërtetë çështja lëvizje jo të dhunshme apo lëvizje kundër dhunës. Dhuna është e vazhdueshme, kështu që është çështja se si ta kanalizojmë atë në ndryshime produktive kur ke mentalitet revolucionar.”

Sipas tij, edhe nëse e ardhmja mbetet e paqartë, ka diçka për t'u respektuar në iniciativën e ndërmarrë nga brezi aktual për të bërë ndryshime.

“Rreziqet e kësaj lëvizjeje janë reale, por i tillë është edhe frymëzimi i të qenit gati të ngrihesh për diçka që nuk e di se si do të përfundojë, apo jo?”, thotë Friedrich. “Dhe unë mendoj se ky është si një lloj dëshpërimi, por njëkohësisht edhe një shpresë e pamëshirshme.”

Prova më e qartë e kësaj "shprese të pamëshirshme" mund të jetë një ndjenjë uniteti global që ndajnë të rinjtë e Gjeneratës Z dhe impulsi i tyre për të qenë në solidaritet me njëri-tjetrin. Në Kolumbi, FSA mbështet protestuesit kundër korrupsionit në Filipine.

Frierdich pretendon se këto kryengritje nuk janë të izoluara dhe se lëvizjet kundër korrupsionit që ndodhin në të gjithë globin, janë të rëndësishme për ata që jetojnë në SHBA.

"Njëkohësisht na tregon diçka rreth asaj që do të thotë të jesh pjesë e komunitetit njerëzor," tha Friedrich. "Për të mos qenë shumë sentimentalë, le të themi se këto përvoja janë ato që një vend i krijoi në revolucion. Nëse Revolucioni Amerikan ende do të thotë diçka për njerëzit, si mund të mos interesohesh për vendet që po pretendojnë të njëjtën gjë?"

Jamie Lu / MOVE

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.