Gusht apo shtator? Mandati i Aida Hajnajt në BKH, ndan Këshillin e Lartë të Prokurorisë

Postuar në 02 Shtator, 2025 08:55

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) vendosi sot lirimin nga detyra të drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Aida Hajnaj, për shkak të përfundimit të mandatit të saj 5-vjeçar.

 

Për përfundimin e mandatit të zonjës Hajnaj votuan shumica e anëtarëve të KLP-së, megjithatë 4 anëtarë nuk ranë dakord me afatet e përfundimit të mandatit të drejtoreshës së BKH-së. 

Gjashtë anëtarë votuan pro përfundimit të mandatit më 31 gusht, ndërsa 4 të tjerë mbajtën qëndrimin se mandati i Hajnajt përfundon në shtator.

Erjon Fejzulla, Arta Mandro, Zeqir Hoda, Ledina Rizaj, Mirela Bogdani dhe Vat Staka ishin anëtarët që votuan se mandati ka përfunduar më 31 gusht, ndërsa  Erind Mërkuri, Sokol Stojani, Olger Eminaj dhe Erind Gërmenji argumentuan se data e përfundimit të mandatit është në shtator, duke u shprehur kundër vendimit të menjëhershëm për lirimin e saj.

Në vendimin e sotëm të KLP, opinioni i tyre është reflektuar si mendim pakice. 

Aida Hajnaj ishte emëruar në krye të BKH-së në gusht të vitit 2020, ndaj për gjashtë anëtarë të KLP-së, fundi i mandatit të saj është pikërisht dita e fundit e gushtit 2025. 

Ndërkohë, për katër anëtarët e tjerë, një vlerësim i tillë nuk është në përputhje me rregullat e llogaritjes së afateve, të cilat, sipas ligjit, janë të detyrueshme për çdo autoritet publik. 

Bazuar në parashikimin e nenit 56, pika 3 të Kodit të Procedurave Administrative, cituar më sipër, ngjarja juridike, nga e cila ka filluar të ecë mandati i Drejtorit në detyrë, është data 1 shtator 2020. Duke iu referuar kësaj dispozite, rezulton qartazi se afati 5-vjeçar nuk përfundon në datën 31 gusht 2025, duke qenë se kjo datë, në mënyrë të dukshme, nuk mban të njëjtin numër me datën e fillimit të mandatit”, argumentuan ata. 

Katër anëtarët që votuan theksojnë se “një interpretim i tillë kufizues i kohëzgjatjes së mandatit është në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë, duke i hequr drejtuesit aktual, një ditë të plotë nga ushtrimi i detyrës, pa asnjë bazë ligjore dhe pa asnjë arsye të justifikuar nga rrethana objektive. Për këto arsye, vlerësojmë se shumica, ka tejkaluar kufijtë e kompetencës së tij dhe ka zëvendësuar normën  ligjore me gjykimin e anëtarëve të tij”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.