Përplasje episodike apo sistematike me gjyqësorin?

Postuar në 22 Gusht, 2025 16:48

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka sulmuar sot publikisht një gjykatës të cilin e akuzon se nuk lejon ekzekutimin e një vendimi për çlirimin e një toke të zënë në mënyrë të paligjshme.

Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”? Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të Shqipërisë 2030 në BE.

Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për Gjelin dhe për Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajon e tyre

shkruan z. Rama.

Për çështje të gjyqësorit sot disa media shkruajnë për një skandal me procesin e vettingut, ku sipas tyre është i përfshirë Sokol Sadushi. Sipas këtyre mediave, Sadushi ka lejuar kalimin për të kandidduar për në Gjykatën Kushtetuese të Genta Bungos, edhe pse relatorja që shqyrtoi kriteret e Genta Bungos, gjyqtarja e Apelit Enkela Vlora (Bajo), ka paraqitur para kolegëve të saj në KED relacionin me konkluzionin për përjashtimin e kandidates nga gara për në Kushtetuese, për shkak se nuk justifikonte pasurinë me burime të ligjshme”.

Është e natyrshme që të pyetet: pse kalohen në heshtje vendime të tilla që ndikojnë në vendimmarrjen e gjyqësorit dhe cilësinë e tij? Zoti Rama përfaqëson një shumicë që hyri në konflikt me Gjykatën Kushtetuese, ku tani po kërkon të katapultojë një njeri që ka probleme të verifikuara nga ata që mbikëqyrin procesin. Është e udhës të mendohet se është shumë e vështirë që Sokol Sadushi ka vendosur me vullnet të vet plotësisht për Bungon dhe këtu mjafton të kujtojmë se çfarë ndodhi dikur me KED-në nën drejtimin e Dvoranit.

Sulmet selektive ndaj drejtësisë apo segmenteve të saj nuk janë të reja në Shqipëri. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzonte Sollakun se flinte mbi dosje, edhe pse e kishte vënë aty vetë si Prokuror të Përgjithshëm, ndërkohë që megjithë manovrën e z. Rama për t’iu drejtuar KLGJ-së apo Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, mbetet fakt se kjo përballje i intereson kryeministrit për arsye që ende nuk janë bërë të qarta?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.