Historia kërkon edhe pak Dinjitet! Pak...

Postuar në 07 Prill, 2025 15:02

Do të jetë e vështirë që historia jonë të gjejë ndonjë përfaqësues institucionesh pa shtyllë kurrizore deri në këtë nivel sa kryeministri Edi Rama. I cili e ka shumë të lehtë që të bëhet rrogozi i kujtdo që sadopak mund t’i shërbejë për ndonjë yçkël lobimi në këtë botë. Sepse kjo është edhe politika e madhe e këtij zotërie: ta begenisin diku për t’u shitur këtu si lider me peshë dhe imunitet. Në takimin me presidentin izraelit, Isac Herzog, zhvilluar në Jeruzalem, z. Rama pasi mori një medalje, u shpreh ndër të tjera se:

Ky nder i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua, por e marr në emër të Shqipërisë, në emër të popullit shqiptar, e mbi të gjitha, në emër të të gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë, të cilët vunë veten e jetët në rrezik gjatë orëve më të errëta të historisë moderne dhe e kthyen vendin tim në të vetmin vend në Europë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrej sesa në fillim të saj…

Nuk mundem të mos kujtoj këtu një prej shumë episodeve, të asaj faqeje të lavdishme të historisë sonë, kur të gjithë udhëheqësit fetarë u thirrën nga nazistët për të dhënë qasje për t’i dorëzuar arin shqiptar dhe listën e hebrejve dhe ata menjëherë thane: “Mund ta merrni floririn, po hebrenjtë janë tanët, do t’i mbrojmë”. Dhe ata nuk bashkëpunuan me nazistët dhe askush nuk e bëri këtë.

Ka dy hebrenj në listën e personave të internuar në Gjermani nga e gjithë bota, por nuk janë hebrenj në fakt. Janë dy shqiptarë që ishin djemtë e një familjeje shqiptare, që fshehu dy hebrenj dhe kur nazistët shkuan t’i merrnin, i vjetri i shtëpisë u tha, “prisni në derë”, sepse do t’ua dorëzonte, dhe u dorëzoi dy djemtë e tij, që përfunduan në Bergen-Belsen dhe nuk u kthyen kurrë, e nuk thanë kurrë që ata nuk ishin hebrenjtë që supozohej të mbronin”, solli në vëmendje kreu i qeverisë shqiptare.

Dhe po, Shqipëria është një vend me shumicë myslimane, por kjo ishte një nga arsyet pse nazistët nuk mundën të mbërrinin tek hebrenjtë, sepse myslimanët ishin mburoja e tyre më e fortë.

Dua ta përsëris këtu, që, ashtu siç ka qenë, jo vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, por tre herë në histori, – tokë ku hebrejtë gjetën strehë e mbrojtje, – Shqipëria do të jetë gjithmonë shtëpia juaj e dytë dhe ju do të jeni gjithmonë të mirëpritur në Shqipëri

Është një deklarim i mbushur me trillime dhe sajime të dikujt që nuk e ka për gjë të pështyjë e lëpijë çdo gjë.

Së pari, Shqipëria nuk përfaqëson asgjë të jashtëzakonshme në historinë e shpëtimit të hebrenjve. Edhe Yad Vashem që njeh kontributin e vendeve, grupeve dhe njerëzve që ndihmuan në shpëtimin e hebrenjve, rendit shumë vende. Polonia, Hollanda, Bullgaria e Aksit, Japonia e Paktit Tripalësh, Kina, Greqia dhe Serbia, Vatikani dhe shumë vende të tjera që kanë patur mes tyre njerëz dhe përfaqësues që kanë refuzuar dorëzimin e hebrenjve.

Edhe Italia fashiste nuk e ndoqi politikën e genocidit ndaj hebrenjve, kështu që çfarë ka të jashtëzakonshme këtu?! E jashtëzakonshmja është tek përdorimi i Shqipërisë si instrument i politikës së disa lobeve hebreje dhe sionistëve të TelAvivit që duan të thonë se edhe myslimanët i shpëtuan hebrenjtë. Dhe ja këta ishin në Shqipëri. Ndaj edhe z. Rama sot e ka pohuar me të madhe faktin se “nazistët nuk arritën dot te hebrenjtë sepse në mes ishin myslimanët shqiptarë”.

Po cili tutkun e ha këtë? Kush e beson se gjermanët që imponuan këtu politikën e vet në çdo kuptim, imponuan një Regjencë kukullash në këmbim të një respekti formal për pavarësinë e vendit, respektuan vullnetin e myslimanëve të Shqipërisë për mbrojtjen e hebrenjve që ishin a nuk ishin një grusht në këtë vend? 

Këto i thotë vetëm Edi Rama që zotohet këtu për miqësi të përjetshme me hebrejtë të cilëve u hap derën e Shqipërisë si ta kishte të vetën. Zoti Rama harron ndoshta qëllimisht se mes Luftës së Dytë Botërore dhe Shqipërisë së sotme është një regjim që kishte politikë tjetër ndaj Izraelit dhe hebrenjve. Dhe ai regjim e përfaqësonte Shqipërinë po aq, në mos më shumë sesa z. Rama sot. Kjo sjellje e sotme, të kujton atë zakonin e shqiptarëve që pasi të bëjnë një nder, ta kujtojnë deri sa të kesh jetë, aq sa thua "bukë e hije në shtëpinë tënde". 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.