“Europa e Lirë”/ Gjykata Speciale, përplasje e ashpër në Kuvendin e Kosovës. Mustafa: Nuk vihet në pyetje gjykimi i luftës çlirimtare të Kosovës

"Themelimi i Gjykatës Speciale, nuk e cenon sistemin e drejtësisë në Kosovë, si dhe Kosova dhe institucionet e saj janë duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvend, për sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale". “Europa e Lirë” citon në këtë mënyrë kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka folur në një interpelancë në Kuvendin e Kosovës lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte. Sipas “Europa e Lirë” ai ka thënë se ligji për themelimin e Gjykatës Speciale është miratuar nga deputetët dhe si i tillë do të zbatohet. "Nuk vihet në pyetje gjykimi i luftës çlirimtare të Kosovës, e cila ishte luftë për të mbrojtur pragun e shtëpisë nga forcat ushtarake dhe atyre paramilitare serbe". "Ne besojmë në pastërtinë e luftës së UÇK-së, prandaj sjellja e individëve që eventualisht mund të kenë bërë krime gjatë luftës apo pas luftës, nuk mund të identifikohet me luftën e pastër çlirimtare të Kosovës", deklaroi Mustafa. Kryeministri, po ashtu ua ka rikujtuar deputetëve se nëse Kosova nuk merr vendim për formimin e kësaj Gjykate, atë mund të bëjë dikush tjetër. "Ende është në fuqi Rezoluta 1244 e cila mundëson që vendimet e tilla t’i marrë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara", tha Mustafa.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, si iniciues për thirrjen e kryeministrit Isa Mustafa në interpelancë, lidhur me përgjegjësinë kushtetuese të Qeverisë së Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, ka thënë se formimi i saj është një kthim prapa i shtetësisë së Kosovës. Ai tha se përmes Gjykatës Speciale, cenohet integriteti i gjyqësisë.
Add new comment