"Dekonspirohet” Ballist Morina i dronit të Beogradit. Kastriot Myftaraj e kallëzon penalisht dhe e quan pjesë të shërbimeve serbe. Flamuri? “Simbole të flamurit tonë me atë të Shtetit Islamik”

Postuar në 05 Prill, 2015 17:05

Ballist Morina, personi që mori autorësinë e dronit mbi stadiumin e Beogradit, ka në ngarkim së fundmi një kallëzim penal. Nismëtar i kallëzimit është opinionisti Kastriot Myftaraj, i njohur si përpunues dhe promovues i historisë alternative të pluralizmit shqiptar, ose ndryshe i përmbajtjes dhe menaxhimit konspiracionist të tij. Myftaraj e lajmëron kallëzimin në rrjetin social “Facebook” dhe rendit një arsyetim të gjatë, që zë fill nga akti i presupozuar i Morinës, simbolet e fshehura pas flamurit që qarkulloi me dron dhe zgjerohet me argumente gjeopolitike ku qendrore janë rreziqet islamiste për Shqipërinë. “Kallzues: Kastriot Myftaraj, i dtl. 1966, vendlindja Korçë, vendbanimi Tiranë
I kallzuar: Ismail Morinaj (Ballist Morina), i biri i Xhemalit dhe Hyrijes, i dtl. 30 shtator 1982, vendlindja Shikaj Kukës, vendbanimi Tiranë
Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë
OBJEKTI:
Kallzimi penal konsiston në këto vepra penale:
1) “Vepra me qëllime terroriste”, parashikuar nga Neni 230 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
2) )“Provokimi i luftës”, e parashikuar nga neni 211 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
“Poshtërimi botërisht i Republikës dhe i simboleve të saj”, parashikuar nga neni 268 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, shkruan Myftaraj. Sipas tij, e gjitha është lojë serbe për të vënë në situatë të vështirë Shqipërinë dhe Morina është thjesht dora e tyre. Ja argumentimi: “Autoritetet përkatëse serbe janë duke shfaqur një mungesë interesi të çuditshme për të zbuluar të vërtetën në hetimin që kanë nisur për dronin. Madje nuk kanë kryer as veprimet më të thjeshta hetimore. Ndonëse autoritetet serbe kanë thënë se do të lëshojnë një urdhër arresti ndërkombëtar për Ismail Morinajn, i cili fshihet në Shqipëri një gjë të tillë nuk e kanë bërë ende dhe sot pas gjashtë muajve. Emri i Ismail Morinajt nuk figuron në listën e të kërkuarve nga Interpoli, të publikuar prej tij. Duket qartë se autoritetet serbe duan ta përdorin emrin e Morinajt, si autor të dërgimit të dronit, por jo të kenë të bëjnë drejtpërdrejt me Morinajn. Merret vesh, Ismail Morina është bashkëpunëtor i shërbimeve të fshehta serbe”, shkruan ai. Përveçse Shqipëria do të akuzohej, ashtu siç edhe ndodhi, për Kastriot Myftarajn, ka edhe diçka tjetër më të thellë që fshihet te flamuri: “Autori i bannerit i kishte vendosur dy Etërit Themelues të Shtetit Shqiptar, Ismail Qemal Vlorën dhe Isa Boletinin, si dhe stemën e Republikës së Shqipërisë, shqiponjën e zezë në fushë të kuqe, brenda një fushe të zezë. Ky nuk ishte thjesht një poshtërim. Praktikisht me këtë banneri kishte kombinuar flamurin kombëtar shqiptar me flamurin e zi të Shtetit Islamik. Një tjetër simbol islamik në banner ishte harta, e ashtuquajtur nga Ismail Morinaj, si e Shqipërisë Etnike. Nëse e shikoni me vëmendje hartën do të vini re se në këtë hartë, brenda territorit të “Shqipërisë Etnike” përfshihet dhe Sanxhaku. Sanxhaku nuk ka qenë kurrë një treve e pretenduar si pjesë e Shqipërisë Etnike që nga koha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe deri më sot. Shumicën e popullsisë e përbëjnë boshnjako-muslimanët (54.5%) Serbët përbëjnë 33.9% të popullsisë dhe malazezët 7.25% të popullsisë. Vetëm 1.04% e popullsisë së përgjithshme të Sanxhakut, ose 4062 persona janë deklaruar shqiptarë”, vijon Myftaraj. Në fakt me këtë flamur krekosen së fundmi Edi Rama dhe Sali Berisha dhe nuk dihet nëse këta e bëjnë për t’u dukur, besojnë vërtet, dinë diçka si Kastriot Myftaraj, apo as e kanë vrarë mendjen kaq gjatë. Përgjigja për këro pyetje, është një rast i mirë që Myftaraj të bëjë kallëzim edhe për këta të dy.
https://www.facebook.com/kastriotmyftaraj1966/posts/86544842...
s.z

Comments

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

<p><strong>Bravo Kastriot Myftaraj !!!!!!</strong></p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.