ILDKP kallëzon penalisht Ridvan Boden për deklarim të rremë pasurie dhe pastrim parash. Bode: Kallëzim Ganajt për denigrim të figurës

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka kallëzuar penalisht ish-Ministrin e Financave Ridvan Bode për deklarim të rremë pasurie si dhe për pastrim parash. Siç theksohet nga ILDKP edhe pse është njoftuar disa herë nga ky institucion, ish-Ministri ka refuzuar që të paraqitet për të dhënë shpjegime, lidhur me burimin e krijimit të pasurive të tij, familjarëve dhe të personave të lidhur me të, si dhe të paraqiste dokumentacionin përkatës. Por PD ka reaguar duke e cilësuar këtë kallëzim si një porosi politike e Edi Ramës dhe Ilir Metës për të sulmuar opozitën dhe “për të larguar vëmendjen nga korrupsioni në qeveri”. Vetë Bode, më pas ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga ILDKP duke theksuar se ai i është përmbajtur ligjit për deklarim të pasurisë. “Unë i jamë përmbajtur ligjit, kam bërë deklarimet sipas ligjit për pasurinë. Nuk ka pasur asnjë rast që të më ketë ardhur njoftim, jam paraqitur në përputhje me ligje të vendit. Do bëj kundër kallëzim ndaj Shkëlqim Ganaj për denigrimin e figurës sime”, deklaroi deputeti.
a.k
Add new comment