“Gazeta Shqiptare” sqaron penalitetet nga 20 pikët e patentës që do hyjnë në fuqi nga 22 prilli 2015. Kush kapet i dehur i hiqen 8 pikë

Nga 22 prilli hyn në fuqi patenta me pikë, raporton “Gazeta Shqiptare”. Sipas shkrimit të botuar prej saj, kush qarkullon i dehur do t’i hiqen 8 pikë nga patenta. Në çasti që drejtuesi i mjetit kryen disa shkelje dhe i humbet të gjitha pikët, ai/ajo do të drejtohet në një autoshkollë për të kryer një kurs riaftësimi dhe një provim për të “rifituar” lejedrejtimin. Sistemi i ri me pikë është unifikim i praktikave të vendeve të BEsë, i cili do të shërbejë për identifikimin dhe sanksionimin e kundërvajtësve të përsëritur të normave të sjelljes në trafikun rrugor. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës bën të ditur se, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua projektvendimi “Për miratimin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, një akt zbatues i nenit 120/1 të Kodit Rrugor, në bazë të të cilit do të funksionojë sistemi i pikëve të lejeve të drejtimit. Mbajtësi i çdo lejedrejtimi zotëron fillimisht një sasi prej njëzet pikësh. Pikët do të zbriten në bazë të njoftimeve nga Komisioni i Shqyrtimit të Kundravajtjeve në Policinë e Shtetit, për shkeljet e normave të sjelljes, parashikuar në Kodin Rrugor, në masën e treguar në tabelën e pikëve. “Drejtuesit e mjeteve mund të marrin informacion për sasinë e pikëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor nëpërmjet faqes së internetit, emailit, telefonit, ose me kërkesë me shkrim. “Gazeta Shqiptare” sqaron gjithashtu se sistemi i ri i pikëve për lejet e drejtimit të mjeteve rrugore hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, më datë 22 prill 2015″.
Add new comment