Lirohet me kusht Lavdërim Tufa, i akuzuari për tri vrasje dhe një plagosje që u dënua për “Masakrën e Kartodromit”

Gjykata e Tiranës i pezulloi 1 vit e 8 muaj burg Tufës, i dënuar me 20 vjet burg për vrasjen e Fatmir Ramës, i njohur si “Miri i Xhikes”, dhe dy personave të tjerë në vitin 2004. Më herët gjykata i hoqi dënimin me burgim të përjetshëm pas rihapjes së gjyqit ndaj tij. Tufa ka pretenduar pafajësi në të gjitha proceset e zhvilluara. Pasi ka shlyer pjesën më të madhe të dënimit, i akuzuari për tri vrasje dhe një plagosje i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një kërkesë për lirim para kohe me kusht. Kjo çështje u gjykua nga gjyqtarja Enkeleda Hajro, e cila pasi mori miratimin e prokurorit, përfaqësuesve të burgut ku vuan dënimin Tufa dhe raportit për dinamikën e vuajtjes së dënimit, pranoi kërkesën e tij për ta liruar para kohe me kusht. Në fund të muajit mars, Hajro vendosi të pranojë kërkesën e Tufës duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm. Sipas vendimit të gjykatës, Tufa akuzohej për vrasje në rrethana të tjera cilësuese në dëm të shtetasve Fatmir Rama, Julian Durishti, Kristaq Cani dhe ka plagosur shtetasin Fatmir Rrapaj, ngjarje e ndodhur në vitin 2004 në periferi të Tiranës.
Add new comment