Partive pa deputetë u hiqet e drejta të konkurrojnë pa firma, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve korrigjon vendimin

“Panorama” shkruan se KQZ ka korrigjuar pa votim një vendim të miratuar në mbledhjen e datës 7 prill të vitit 2015. Në mbledhjen e 7 prillit, KQZ u njohu kryetarëve të bashkive, kryetarëve aktualë të komunave, si dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak të drejtën që të përjashtohen nga detyrimi për të mbledhur 3 mijë firma, në rast se dëshironin të kandidonin si të pavarur për bashkinë e zonës ku janë zgjedhur apo partitë jashtë koalicioneve. Ky vendim u kundërshtua nga Partia Demokratike, por amendamenti u miratua me katër vota pro dhe tre kundër të pakicës. Në këtë mbledhje, kryetarja e KQZsë, Lefterije Luzi (Lleshi), bashkoi votat me të zgjedhurit e maxhorancës, Denar Bibën, Edlira Jorgaqin dhe Gëzim Veleshnjën. Ndërkohë që tri votat kundër ishin ato të përfaqësuesve të pakicës, Klement Zgurit, Hysen Osmanajt dhe Vera Shtjefnit. KQZ vendimin e zbardhur e ka publikuar në faqen zyrtare të saj me vendimin nr.88, por disa ditë më vonë ai është modifikuar në përmbajtje, duke rrëzuar tërë amendamentin e kaluar me “shumë vështirësi”.
Add new comment