Vangjel Dule thotë se PBDNJ ka komunikim politik por jo negociata me PS-në: Nëse s’biem dakord dalim vetëm në zgjedhje

Vangjel Dule e quan “komunikim politik, por jo negociata” marrëdhënien me PS-në sa i takon zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, ndërkohë akuzon PD-në e PS-në se po përdorin politikisht komisionet zonale Zgjedhore. Nga selia e PBDNJ-së, në konferencë për median paraditen e sotme Dule tha se këto dy parti po hyjnë në betejën elektorale me 225 militantë më të flaktë të tyre të cilët janë anëtarë të këtyre KZAZ-ve. “Dy partitë e mëdha me kompozimin e 90 KZAZ po hyjnë në betejën elektorale me 225 militantë më të flaktë të tyre në përbërje të këtyre komisioneve. Këta militantë paguhen për një periudhë dy mujore nga paratë e taksapaguesve për të punaur partitë politike duke shkelur në mënyrë flagrante barazinë në zgjedhje”, tha kreu i PBDNj-së. Dule foli dhe për mundësinë e daljes vetëm në zgjedhje nëse nuk arrihet marrëveshje. Sa i takon PS-së thotë se janë në komunikim politik por jo në negociata. “Duke qenë se jemi në komunikim politik por jo në negociata me PS, po të kemi konvergim qëndrimesh programesh apo parapëlqime kandidaturash atëherë do kemi dhe një marrëveshje përkundrazi do jemi të vetëm”.
Add new comment