“INA” flet për diskriminimin shtetëror, shqiptarët më tepër nxënës dhe më pak shkolla në Maqedoni

Agjencia e lajmeve “INA” thotë se sipas të dhënat e fundit të publikuara ditë më parë në faqen zyrtare të internetit të Entit Shtetëror për Statistikë, 50% e filloristëve në Maqedoni janë shqiptarë. “INA” shkruan se Maqedonisë nuk i ka mjaftuar as çerek shekulli nga pavarësimi prej ish-Federatës Jugosllave dhe as 14 vite nga konflikti i armatosur që të heq dorë nga politikat e dyfishta në arsim, kryesisht me shkollimin e shqiptarëve. “Diskriminimi në shifra është për fat të keq edhe më tej evident - edhe atë bazuar në të dhënat zyrtare të vetë shtetit të Maqedonisë”, shkruan “INA”. Të dhënat për numrin e nxënësve, paraleleve, shkollave dhe mësimdhënësve në arsimin fillor dhe të mesëm që ka publikuar së fundmi Enti Shtetëror i Statistikave për situatën në fund të vitit shkollor 2013/2014 dëshmojnë se vetëm për arsim shqip, numri i paraleleve, shkollave dhe mësimdhënësve nuk korrespondon me numrin e nxënësve që mësojnë në gjuhën shqipe. Në fakt, përputhje të këtyre parametrave nuk ka as te arsimi në gjuhën maqedonase, turke dhe serbe (në nivelin fillor) apo maqedonase, turke dhe angleze (në nivelin e mesëm). Mirëpo, dallimi mes tyre dhe shkollimit në gjuhën shqipe është tepër i madh, çdo herë në disfavor të këtyre të fundit. Kjo, nuk tregon asgjë tjetër përveç faktit se shqiptarëve u ofrohen shumë më pak mundësi dhe kushte për shkollim në gjuhën amtare, edhe pse e kanë një të drejtë të garantuar me Ligj dhe Kushtetutë, raporton agjencia “INA”.
Add new comment