ERE: 10.9% më pak konsumatorë të energjisë deri në 300 kwh. E paqartë nëse janë abuzues apo ka shtim konsumi pas “uljes së çmimit”

Postuar në 22 Prill, 2015 11:22

Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, ka qenë sot në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ku është shqyrtuar raporti vjetor i ERE-s. Ky është viti i parë pasi ERE miratoi unifikimin e çmimit të energjisë për konsumatorët, ose ndryshe heqejne fasësh mbrojtëse. Dhe Ahmeti dhe përcjell disa të dhëna që kanë rëndësi. “Duke prezantuar raportin para anëtarëve të komisionit, z. Ahmeti tha se unifikimi tarifor i energjisë elektrike përmes heqjes së fashës mbrojtëse prej 300 kilovatësh për konsumatorët familjarë ka prodhuar një ndryshim të përqindjes së konsumatorëve duke ngritur pikëpyetje nëse ka pasur abuzime apo nëse është rritur konsumi. Referuar të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë, para heqjes së fashës rezultonte se 58.7 për qind e konsumatorëve paguanin fatura konsumi nën 300 kilovatë. Ndërsa pas heqjes së kësaj fashe, përqindja e konsumatorëve nën 300 kilovatë ka zbritur në 47.8 për qind”, raporton zyra e shtypit e Parlamentit. Shihet pra një lëvizje prej 10.9%, e cila është vështirë të karakterizohet. Qeveria aktuale, madje edhe kryeministri e kanë cilësuar fashën mbrojtëse si një mekanizëm abuzimi masiv, ndërkohë që luhatja është jo më shumë sesa 11%. Vështirësia për të kuptuar nëse këta janë abuzuesit e prezumuar qëndron në faktin se qeveria ka deklaruar se çmimi i unifikuar përfaqëson në realitet ulje të çmimit të energjisë, pasi mesatarja e dy çmimeve të mëparshëm, ishte mbi 10 lekë/kwh. Sot ajo është 9.5 lekë/kwh. Rrjedhimisht mund të kemi të bëjmë me shtim të konsumit për shkak të uljes së çmimit dhe reagim të konsumtarit ndaj mungesës së një kufiri referues. Për të dhënë një përgjigje ndaj kësaj çështjeje, do të duhej që përveç penalizimit të atyre që vjedhin energjinë, të ndiqej hetim edhe për raste të abuzimit me fashën.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.