Izet Haxhia rrëfen për gazetën “Dita” se çfarë ka ndodhur me Remzi Hoxhën, roli i Berishës në luftën e Kosovës

Postuar në 30 Prill, 2015 02:27

Ish- truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia, në një intervistë për gazetën “Dita”, thotë se kreu i parë i SHIK ishte shumë i lidhur me drejtuesit e PD. “Më ka habitur gjithmonë një afërsi e Irakli Koçollarit, shefit të parë të SHIK, i zgjedhuri i Ramizit, me krerët e PD-së së sapokrijuar, sidomos me Berishën dhe Hajdarin. Selia e PD-së në Rrugën e Kavajës ishte një vend vizitash të vazhdueshme në orët e vona të natës nga Koçollari,” thotë Haxhia. I pyetur për kontributin e Sali Berishës në luftën për çlirimin e Kosovës, ai thotë: “Çfarë mund të prisni nga një njeri si Berisha, që takohej fshehtas me ministrin e Millosheviçit”. Ai tregon se në kohën kur vetë ishte angazhuar për të ndihmuar UÇK-në, Berisha u mundua që të tregohej sikur pas kësaj ndihme, qëndronte ai. “Me një të njohurin e tij, dërgon në Tropojë një grup televiziv francez të kanalit TF5 më duket. Si duket ishte në dijeni të veprimtarisë sime dhe donte që të jepja një intervistë për këtë kanal ku do paraqitesha si ish- shefi i sigurimit të tij dhe që luftoja në radhët e UÇK-së. U thashë që këtë intervistë nuk mund ta pranoj dhe nuk do ta jap”. Haxhia flet edhe për zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe për një takim mbi të cili është spekuluar kaq shumë gjatë kësaj kohe: mes Berishës dhe Gligorovit. “Di këtë: që Remzi Hoxha ka vdekur nga torturat në qelitë e SHIK, nga njerëzit e SHIK. Ka dy variante për vendndodhjen e trupit të tij. Njëri, që trupi është transportuar në det me lundër dhe e kanë hedhur atje. I dyti, që është transportuar diku pas malit të Dajtit, ku pasi është djegur, është varrosur. Ka disa njerëz që janë përfshirë në këtë krim. Por që arrestimi i Remzi Hoxhës është bërë me urdhër të Gazidedes, kjo është e sigurt. Nuk e di sa e vërtetë është që Remzi Hoxha ka filmuar një takim të Berishës, Gligorovit dhe Millosheviçit në vilën Viljana në Ohër. Që ka pasur një takim Berisha- Gligorov në atë vilë, kjo është e vërtetë zyrtare, por më ka bërë përshtypje se në atë takim asnjë nga shoqëruesit e Berishës apo delegacionit që e shoqëronte nuk është lejuar të futet në brendësi të asaj vile, gjë që nuk ndodhte në asnjë takim ndërkombëtar”. Sipas Izet Haxhisë, “Rugova është një frikacak dhe nuk ka asnjë kontribut në çlirimin e Kosovës”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.