Zëri/ “Fluturimet” e dështuara të Thaçit, në pesë muaj nuk ka sjellë asnjë njohje të re për Kosovën

“Zëri” shkruan sot se zv/kryeministri i parë i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është edhe shef i diplomacisë nuk ka arritur në pesë muaj që të sjellë as edhe një njohje të re për Kosovën. Pavarësisht faktit se ka zhvilluar më shumë se 15 vizita zyrtare jashtë shtetit, madje edhe në vende me shumë ndikim, rezultat konkret në njohje nuk ka pasur. Zyrtarë të partive politike dhe analistë të ndryshëm thonë se kryediplomati kosovar po tregohet i pasuksesshëm në rrafshin e diplomacisë e gjithë kjo si pasojë e asaj që ai më shumë po e promovon figurën e tij si një president i ardhshëm sesa që merret me politikën e jashtme. Sipas artikullshkrueses Lumturie Blakaj, nga koha kur ka marrë “timonin” e Ministrisë së Jashtme, Thaçi ka zhvilluar një sërë vizitash jashtë vendit madje në vende me ndikim si Washington, Berlin, Paris, Bruksel, Hagë, Ankara, Lubjanë, Zagreb, Tiranë, Shkup, Podgoricë. Aktualisht Thaçi po qëndron për një vizitë zyrtare në Vatikan, shtet ky nga i cili Kosova tash sa kohë është duke e pritur njohjen. Të pakënaqur me punën e Hashim Thaçit si ministër i Jashtëm janë edhe zyrtarë nga partia e koalicionit, shkruhet në "Zëri".
Add new comment