Të gjitha institucionet, përfshi presidencën, shkelin ligjin për të drejtën e informimit

Postuar në 30 Prill, 2015 03:51

Afrim Krasniqi botonte dje një shkrim në “Shqiptarja.com” ku fliste për temën e transparencës së qeverisjes. Krasniqi ishte konkret dhe zgjidhte qasjen bazuar në kriterin ligjor, përderisa Shqipëria ka që nga viti 2014 një ligj të ri për të drejtën e informimit, që vendos detyrime dhe afate për institucionet. “Në listën e çështjeve me interes publik, programi i transparencës (neni 7) kërkon që institucionet të bëjnë publike falas strukturën e institucionit, organigramën e punës, rregulloret dhe bazën ligjore, të dhënat e kontaktit dhe oraret e punës së zyrtarëve drejtues, të dhëna profesionale mbi kualifikimin e drejtuesve të institucionit, të dhëna për pagën, pasurinë, mënyrën e rekrutimit të stafit, kompetencat, raportet audituese, raportet e KLSH, të dhëna mbi buxhetin dhe shpenzimet, projektet në vijim, programet afatshkurtra dhe afatgjata, të dhëna mbi prokurimet publike të kryera, të dhëna mbi palët kontraktuese dhe fituese, regjistrimin e kërkesave dhe përgjigjeve, arkivin elektronik deri edhe detyrimin që brenda 48 orëve të bëjë publike çdo vendimmarrje që lidhet me liritë, të drejtat dhe përgjegjësitë ndaj qytetarëve e publikut”, referon Krasniqi. Mirëpo si paraqitet gjendja? Sipas tij, asnjë prej institucioneve, madje as Ministria e Drejtësisë nuk i është përmbajtur detyrimeve të ligiit. As edhe Presidenti. “Nga detyrimi ligjor kohor ka kaluar një muaj dhe tashmë, programi i informimit publik dhe programi i transparencës janë në sprovën e madhe të jetësimit të tyre. Konkretisht, një monitorim i faqes zyrtare të institucionit të Presidentit, Kuvendit, Kryeministrisë dhe të gjitha ministrive, mbi 40 institucioneve qëndrore të varësisë, dhe institucioneve të pushtetit vendor në detyrë, - në asnjë rast nuk rezulton se autoriteti publik ka përmbushur detyrimin ligjor për jetësimin e programit të transparencës. Për ironi të fatit, edhe dikasteri kryesor që merret me ligjet (Ministria e Drejtësisë), apo ai që miraton ligje (Kuvendi), nuk kanë përmbushur as 10% të detyrimit ligjor që buron nga ky program. Rëndom në faqet zyrtare të institucioneve nuk ka të dhëna mbi pikat e kontaktit real, për strukturën dhe buxhetin, për drejtuesit dhe format e rekrutimit të tyre, për detyrimet publike përkatëse, për deklarimet e pasurisë, apo për shërbimet administrative ndaj qytetarëve. Kur kërkon në faqet e tyre zyrtare gjen pafundësisht deklarata ditore, komunikata shtypi standarde, njoftime propagandistike për aktivitete pa ndonjë dobi publike, por rrallë gjenden të dhëna që janë në interes publik, që ofrojnë transparencë dhe modele qeverisje me integritet”, shkruan ai. Detyrimi dhe përgjegjësia bie në radhë të parë ndaj qeverisë, pse mazhoranca aktuale e kishte premtim ndër kryesorët vendosjen e këtij standardi, që e zbatoi në planin legjislativ, por duket se mendon të mos zbatojë detyrimet që burojnë prej tij.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.