Sipas “Monitor” ka rënë paraja në qarkullim, që është dhe një sinjal për ngadalësimin e ekonomisë

Postuar në 07 Maj, 2015 02:50

Tre muajt e parë të këtij viti kanë shënuar një rënie të parasë gjithsej që qarkullon në ekonomi, referojnë statistikat e Bankës së Shqipërisë, shkruan “Monitor”. Masa monetare gjithsej (M3) arriti në 1.19 trilionë lekë në fund të muajit mars, me një rënie prej 4.4 miliardë lekësh në raport me fundin e vitit 2014. Sipas ekspertëve, kjo rënie është shqetësuese, pasi tregon për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend. Ndonëse rënia është edhe ciklike, ritmet e ngadalësimit të rritjes së parasë gjithsej në qarkullim janë të dukshme vitin e fundit, siç tregohet dhe nga grafiku. “Monitor” shkruan se ky tregues i shtohet sinjaleve të tjera për ngadalësimin e ekonomisë, si rënia e eksporteve me 2% me bazë vjetore për periudhën janar-mars 2015; ngadalësimi i rritjes së kredisë, performance e dobët e depozitave; ulja e të ardhurave nga tatimet e doganat me 2%, po për të njëjtën periudhë, me të hyrat nga TVSh (një tregues direkt i qarkullimit të mallrave në ekonomi), që u reduktua me 9%, duke arritur në 27.5 miliardë lekë. Po sipas “Monitor” edhe paraja që qarkullon jashtë kanaleve bankare ka shënuar një ulje në muajt e parë të këtij viti, ndryshe nga gjysma e dytë e vitit të kaluar, kur shënoi një rritje rekord dhe jashtë normalitetit, e lidhur kryesisht me uljen e depozitave në lekë, për shkak të normave të ulëta të interesit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë , në mars 2015, niveli I parasë jashtë korporatave depozituese (që përbëjnë 18% të parasë gjithsej, ishte 216.4 miliardë lekë, duke u ulur me 1.2 miliardë lekë, në raport me dhjetorin 2014.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.