Banka e Shqipërisë: Rritja ekonomike në frenim të përkohshëm

“Monitor” shkruan se Banka e Shqipërisë bëri të ditur gjatë prezantimit të raportit të politikës monetare për tremujorin e parë të 2015 se rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim gradual dhe t’i afrohet nivelit potencial gjatë vitit 2016. Sipas BSH-së, kjo do të krijojë premisat për kthimin e inflacionit objektiv brenda horizontit afatmesëm të veprimit të politikës monetare. Banka e Shqipërisë njoftoi se ka forcuar më tej kahun stimulues të politikës së saj monetare, përmes ruajtjes në nivele të ulëta të normës bazë të interesit dhe furnizimit të sistemit bankar me likuiditet. Kjo politikë monetare lehtësuese, sipas BSH-së, është reflektuar në ulje të kostove të financimit në ekonomi, si dhe ka ndihmuar në rritjen e kredisë në lekë. Sipas raportit, reagimi i ekonomisë ndaj politikës monetare stimuluese është jo i plotë, i ndikuar nga hezitimi për ndërmarrjen e rrezikut, si nga biznesi ashtu edhe nga sistemi financiar. Banka e Shqipërisë, së fundmi , vlerëson kushtet e financimit dhe pret se politika e ndjekur monetare do të vijë në përmirësim gjatë vitit 2015, si dhe do jetë stimulues edhe për disa tremujorë në vazhdim, raporton “Monitor”.
Add new comment