Shqiptarë të dashur! Ju jeni të zgjuar, ndaj do votoni Mua!

Duke folur sot në Elbasan për projekte të ndryshme të ndërmarra nga qeveria, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te inceneratori i mbetjeve dhe ujësjellësi. Meqenëse këto janë çështje që duhet të ishin zgjidhur me kohë, z. Rama dha këtë justifikim:
Dikush mund të thotë se bota sot po merret me inteligjencën artificiale kurse ne akoma flasim për ujë e për plehra. Po. E vërtetë është, por bota nuk pati 30 vjet Saliun. Ne e patëm…
Në fakt kjo është gjuhë elektorale, pasi zoti Rama sa herë përballet me kritika, thotë se “unë nuk jam magjistar”. Nga ana tjetër, nëse Berisha ka 30 vjet në politikë, ai ka qenë 13 vjet në pushtet, ndërkohë që z. Rama ka 20 vjet në karrige pushteti duke nisur që nga viti 1999 kur ishte ministër Kulture, për të vazhduar me kryetar I Bashkisë së Tiranës dhe për të ardhur në detyrën e tanishme.
Prandaj të akuzosh ende sot për mangësitë Berishën, kur në thuajse tri dekada pushteti është ndarë barabar mes socialistëve dhe demokratëve është të ndjekës politikë që I merr njerëzit për budallenj. Për më tepër që me metrin e z. Rama, Berisha mund të dalë e të thotë se bëri tunelin e Elbasanit.
Më tej z. Rama bëri komente edhe për politikën e bllokimit të rrugëve nga ana e PD-së. Komente që edhe njëherë provojnë se kryeministri as do tëdijë për të shkuarën e tij:
Si mundet në shekullin e 21-të, si mundet në vitin 2019, një parti politike që pretendon të qeverisë Shqipërinë, të shfaqet rrugëve duke bllokuar mijëra e dhjetëra mijëra qytetarë që duan të lëvizin për qëllimet e tyre dhe të pretendojë se me bllokimin e rrugëve, po lufton për demokraci. Kush I ha këto, kush I beson këto? Sa i dehur duhet të jesh për të shkuar pas këtij berihaji?
Në fakt po të shohësh faqen online të Partisë Socialiste aty të del përpara lajmi i bllokimit të rrugës nacionale në vitin 2010, e më pas në media gjen bllokim të koordinuar rrugësh në vitin 2011 nga militantë që kërkonin që KQZ-ja t’i jepte fitoren elektorale z. Rama për Bashkinë e Tiranës.
Kanë kaluar vetëm 8 vjet dhe zoti kryeministër pretendon se Shqipëria është bërë Norvegji apo Zvicër, ndërkohë që duhet të kujtojë se Parlamenti i ndërtuar me listat e tij është ndoshta i vetmi në histori që pati aq shumë njerëz me rekorde kriminale.
A i kujtojnë këto shqiptarët? Ndoshta. Por kryeministri e ka për detyrë të mos i harrojë. Edhe pse ai mundet sërish të marrë 1 milionë apo më shumë vota. Sikur t’I merrte për arritjet do kuptohej, por me këto që thotë z. Rama duket se nuhat se duke marrë njerëzit për budallenj, mund të ketë të sigurtë një fitore dhe një fushatë ku nuk I duhet të flasë për kandidatët dhe problemet reale.
Add new comment