Miti i pavdekshëm i Bruce Lee
E gjithë bota e njeh atë si Bruce Lee, luftëtarin e ftohtë dhe të sigurt të arteve marciale, që papritur u kthye në ikonën e kinematografisë në fillim të viteve ’70.
Ai performoi në pesë filma, tre prej të cilëve u publikuan pas vdekjes së tij në Hong Kong, në moshën 32-vjeçare. Por jeta e tij, filozofia dhe trashëgimia mbetën, duke kaluar barrierat e kohës dhe kombësisë.
Këtë të shtunë, Hong Kongu do të shënojë 40-vjetorin e ndarjes nga jeta të Lee, duke hapur një ekspozitë në Muzeun e Trashëgimisë, ku do të paraqiten arritjet e yllit të arteve marciale.
“Mendoj se arsyet përse ne sot vazhdojmë të flasim për Bruce Lee, dhe jo në mënyrë nostalgjike por të rëndësishme, janë eksperienca e tij e gjatë, filozofia dhe origjinaliteti i jetës së tij”, thotë Shanon Lee, vajza e tij e vetme.
“Po të mos kishte performuar me origjinalitetin dhe aftësitë e tij në ato filma, atëherë nuk mendoj se sot do të vazhdonim të flisnim për të”, shton Shanon. Zonja Lee është drejtuese e Fondacionit Bruce Lee, me bazë në Shtetet e Bashkuara, që huazoi qindra sende personale të të atit për ekspozitën që do të hapet në Hong Kong.
Mes 600 objekteve janë kostumi i verdhë që Bruce Lee veshi në filmin “Game of Death”, disa poezi të shkruara prej tij në anglisht, foto të familjes, etj.
Jeff Yang, një shkrimtar kinezo-amerikan, që ka shkruar shumë për kinemanë aziatike, vlerëson se Lee ishte një idhull për të rinjtë kinezë dhe aziatikë.
“Ai u tregoi kombeve joaziatike se aziatikët mund të jenë të fortë, karizmatikë dhe seksi. Se ata mund të zotërojnë ekranin dhe të udhëheqin arkëtimet e box office”, shprehet Yang.
Ndërsa Lewis Luk, një njohës i mirë i arteve marciale, thotë se Lee fitoi respekt ndërkombëtar për kinezët me kurajon dhe forcën e tij fizike.
“Ai ishte një rebel. Ai kombinoi artet marciale aziatike me ato perëndimore, në vend që të ndiqte format klasike dhe u siguroi respekt kinezëve në mbarë botën”, thotë Luk.
Luk, rreth të 50-ave dhe me profesion avokat, është një prej instruktorëve në një plaestër në Hong Kong, në lagjen Tsim Sha Tsui, ku dikur banonte vetë Lee.
Add new comment