Një taksirat i ri për Shqipërinë

Postuar në 04 Nëntor, 2011 04:01
Ledi Shamku

E trashët zullumin, zoti Kryeministër! Me këtë aferën e plehrave e trashët vërtet, dhe keni lënë pa gojë një popull të tërë. Bjerini njëherë qark, të dëgjoni se çfarë thonë njerëzit realisht për ju… I trishtuat e i shtangët shqiptarët me këtë lajmin e plehrave, zoti Kryeministër, aq sa nuk po dinë më të ndajnë aftin e kalbjes së plehrave në rrugëtim nga afti i kalbjes së sistemit tuaj qeverisës, gjithashtu për rrugë.

A dini si thonë njerëzit: “Po mirë mor xhanëm, mirë që ky yni i ka puqur fijet e punëve të veta me ca xhagajdurë andej nga Italia, e don të na e zbrazë plehnajën ne Napolit këndej nesh, po ç’dreqin ka që na e thotë gjithë gëzim, a thua se po na sjell shëndet e jo sëmundje?!” Rrojmë në epokën e komunikacionit, zoti Berisha, dhe e kemi tash të thjeshtë t’i përqasim modelet, aq më tepër kur edhe shtiren njëlloj.

Fjalimet tuaja ngjajnë në thelb e në formë me fjalimet e udhëheqësve tiranë e të korruptuar të shteteve të Afrikës së varfër, të cilën po ata vetë e shndërruan për vite me radhë në kanistër hedhurinash nga e gjithë bota. Ridëgjova kasten dje në youtube fjalimin e ish-tiranit të korruptuar të Bregut të Fildishtë, Laurent Gbagbo, kur i fliste me afsh mediave për përmbushjen e kushteve të zhvillimit përmes zbarkimit të plehrave. Iu fliste me afsh, ja kështu si flisni ju tani.

Por a dini ç’ndodhi? Plehrat u zbrazën Bregut të Fildishtë dhe brenda një jave plot 100 mijë vetë u lemerisën nga epidemia e beftë. Thuajani pra shqiptarëve se po ju gatitni të njëjtin hall!

Ju kam dëgjuar edhe ju në 2004-ën, zoti Kryeministër, m’atë kohë kreu i opozitës. Ju kam parë të brofni nga këto karrige të Kuvendit, duke klithë me fraza patriotike kundër importit të plehrave që qeveria e atëhershme po donte të inicionte. Cili nga të dy jeni ju? Cili jeni ju, zoti Berisha?

Dilni tani dhe thuajini shqiptarëve troç, thuajini se i gënjyet në 2004, se as që jua ndjente për kanosjen e plehrave por ju duheshin thjesht vota, sikundër tani as që jua ndjen se e shndërroni Shqipërinë në kazan global sëmundjesh, se ju duhen thjesht paratë. Ju duhen asprat e Judës, se mesiguri keni ndarë mendjen t’ia mbathni me soj e sorrollop pasi t’ua kalbni truallin shqiptarëve e t’ua helmoni ujrat. Më zi se kulçedra në përralla, zoti Berisha!

Gënjeni, ditën për diell.. Gënjeni, edhe kur ju zënë me presht e rrenës në duar. Kur në 2010 nxori kokë kjo mënxyra e plehrave, ministri juaj i mjedisit deklaroi: “Nuk do të importojmë lëndë të para të helmëta, radioaktive apo të pariciklueshme”. Fjalë e rrenë ministri juaj, sepse e vërteta doli vetë në dritë. Pikërisht në ato ditë të deklaratës, në 18 tetor 2010, në Portin e Barit, skuadra e karabinierisë ekologjike sekuestroi një anije kontrabandë, dëngas me ngarkesë speciale, me copa lavatricesh, frigoriferësh dhe lëndësh radioaktive që ish nisur për në Shqipëri. Sigurisht, në ujdi me ju, madje në ujdi private me ju, kokë më kokë me ju, zoti Berisha, ngaqë anija tentoi të nisej 2 ditë para se ju t’iu prrallisnit shqiptarëve për mrekullinë ekonomike të plehrave të botës!

A thua s’na mjaftojnë plehrat tona, zoti Berisha?! Si deklaruat ju? Thatë: “vendi ynë nuk arrin të furnizojë me lëndë të parë industrinë e riciklimit, kështu që jemi të detyruar t’i importojmë plehrat dhe t’i riciklojmë këtu”. (!) Si nuk arrin të furnizojë me lëndë të parë??? Shqipëria frymëton nën plehra, zotëri. Shkoni në gji të Rodonit, ta shikoni se çfarë përplasin lumenjtë tanë aty. Male pisllëku urban e industrial për faqe të zezë përplasin! Aq pirg janë tani, sa as deti nuk i tërheq më, e as toka nuk i prapëson dot. Kështu në Rodon, kështu në Patog, kështu në Erzen, kështu në Ishëm, kështu në Shkumbin, kështu në derdhje të Vjosës, kështu shpateve të maleve ndanë rrugëve, kështu gjithkund. Jemi një nga vendet më të ndotura të botës, dhe kjo e dhënë nuk vjen nga Instituti Kryeministror i Statistikave, por nga Organizmat Ndërkombëtare të Mjedisit dhe Shëndetit.

Pse nuk keni përgjegjshmërinë dhe kurajën t’ia nënshtroni Referendumit Popullor një ligj të tillë? Presidenti ua ktheu mbrapsht, ndërsa Shoqëria Civile ju ka ardhë te dera me protesta. Vallë vendoskan vetëm votat e kësaj shumice të paqenë mbi jetën e shëndetin e shqiptarëve, e madje edhe të atyre që ende s’kanë lindur?! Nënshtrojani këtë ligj referendumit mbarëshqiptar si një detyrim ndaj milionave. Merret vesh, ju nuk doni ta bëni se këto miliona jetë shqiptare nuk ju hyjnë në sy, zoti Berisha. Por shqiptarwt kanw nisur t’ju konsiderojnë si shkatërrues me mision, zotëri!

Është detyrë e gjithsekujt sot, ta reshtë këtë misionin tuaj shkatërrimtar. Ta reshtë e t’i kthejë secilit hisen. Shqiptarëve t’u japë Shqipërinë e rrëmbyer nga ju. Ndërsa juve natyrisht t’ju japë përballjen me drejtësinë.

Publikuar në Shekulli

Comments

Submitted by anila (not verified) on

5 yje per shkrimin. Tani pyetje, do e çojnë në gjykate kushtetuese kete ligjin??

Submitted by Migena Aleksi (not verified) on

shum te drejt ka anila.. shkrimi eshte vertet i bukur..  e lexova te shekulli qe ne mengjes.. por nuk eshte e qarte nje gje: opzoita cfar do bej konkretisht?? kemi shprese, kemi besim te ajo

Submitted by Anonim (not verified) on

Ehhh...sqyrtoje gjykat kushteuese ceshtijen, Saliu e ka mbush me plera...

Submitted by gjeto (not verified) on

Po qe se po lexoni ketu z. Shkreli, falenderime per qendrimin tuaj dhe artikulimin e tij!

Megjithate ju jeni e caktuar prej partise tuaj per te mbikeqyrur programet mbi arsimin dhe kulturen, dhe ja pse perdorimi prej jush i formave te panjohura gramatikore, mosrespektimi i vullnetshem i standartit gjuhesor, i ul shume pike gjithe asja cka thoni.

Pasionin e respektuar si gjuhetare dhe filologe mund ta tregoni ne veprimtari akademike dhe jo politike: ndryshojeni standartin, po vetem atehere perdorni forma si "hoqëria Civile ju ka ardhë te dera me" etj. Deri atehere, perpjekja juaj per te komunikuar ne sferen politike me forma te panormuara do te quhet arrogance apo papergjegjshmeri. Politikani i sherben ResPublica-s, gjese se te gjitheve, marreveshjes se te gjitheve dhe shembulli i te shkruarit tuaj nuk demonstron respekt te marreveshjeve

Presidenti iu versul Kryetares se Parlamentit per menyren sesi kjo flet duke mos respektuar standartin, ndonese e folura e Kryetares eshte mbase me afer standarit se shumecka tjeter ne veprimtarine e saj. Per ju qe me ndergjegje dhe duke perdorur edhe ekspertize profesionale shkelni standartin ME SHKRIM, duhet te kete qendrime akoma me te ashpra.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.